Në një intervistë për mediumin britanik “The Guardian”, presidenti ukrasinas, Volodymyr Zelensky, ka folur gjerë e gjatë për luftën, Rusinë dhe siç ka thënë, gënjeshtrat e liderit të saj, Vladimir Putin. Zelensky tregon po ashtu për takimin e tij me oligarkun rus, Roman Abramovich në Kiev, dhe se për çfarë i ishte zotuar atij.
Duke folur për gazetën “The Guardian”, Volodymyr Zelensky duket i qeshur dhe optimist. Më shumë se katër vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putini, ai beson se lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945 po fillon ngadalë të kthehet në favor të Ukrainës. Sipas tij, situata ushtarake është më premtuese për Kievin sesa ka qenë gjatë dy vjetë e gjysmë të fundit.
“Nuk mund të themi se Rusia po e humb këtë luftë. Por mund të themi se ajo po e humb iniciativën çdo ditë, ditë pas dite”, këmbëngul ai.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë javës së fundit, Kremlini ka pësuar një sërë goditjesh. Dronët ukrainas me rreze të gjatë veprimi kanë goditur qytetin e lindjes së Putinit, Shën Petersburgun, duke shkaktuar zjarre në terminalet e naftës dhe duke ngritur re të mëdha tymi mbi qytet.
Sulme të ngjashme kanë paralizuar Krimenë e pushtuar. Një rrugë e rëndësishme furnizimi është mbushur me kamionë dhe cisterna të djegura, ndërsa gadishulli i aneksuar nga Rusia në vitin 2014 po përballet me mungesa të mëdha karburanti.
Ndërkohë, në frontin lindor, përparimi i ngadaltë rus pothuajse është ndalur. Sipas Zelenskyt, i cili që nga viti 2022 ka deklaruar vazhdimisht se Ukraina mund të mbrohet nëse merr mbështetjen e nevojshme, Kremlini po humbet më shumë se 30.000 ushtarë në muaj. Nga këta, 23.000–24.000 janë vrarë, ndërsa pjesa tjetër janë plagosur rëndë. Ai sugjeron se numri i vërtetë mund të jetë edhe më i lartë.
“Në total, ky është një numër shumë i madh. Kjo do të thotë se ata nuk po e fitojnë luftën”, thekson ai.
Edhe Ukraina ka humbur personel ushtarak, por në një shkallë më të vogël.
Megjithëse lufta e Moskës duket e bllokuar, shkatërrimi vazhdon. Muajt e fundit Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj qyteteve dhe qytezave ukrainase, me qëllimin e dukshëm për të terrorizuar civilët.
Një sulm të martën e kaluar përfshinte 73 raketa dhe 656 dronë. Tetëmbëdhjetë persona janë vrarë në Kiev dhe Dnipro, përfshirë një djalë trevjeçar, i cili ka mbetur i varrosur nën rrënojat e një blloku banesash. Sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, rusët po përdorin qëllimisht municione të tilla në zonat e banuara të cilat shpërthejnë në ajër dhe lëshojnë bomba më të vogla mbi një zonë të gjerë.
“Putini ka gënjyer nga fillimi i luftës”
Javën e kaluar, Zelensky i ka dërguar një letër të hapur presidentit rus, duke propozuar një takim ballë për ballë për të ulur tensionet, dhe për t’i dhënë fund konfliktit. Duke folur të premten në forumin ekonomik të Shën Petersburgut, Putini e ka hedhur poshtë ofertën. Ai e ka quajtur letrën “të pasjellshme” dhe ka deklaruar se kërkesat territoriale të Rusisë, rajoni i Donbasit dhe dy provinca jugore ukrainase, mbeten të pandryshuara.
Ai gjithashtu ka këmbëngulur se forcat ruse po përparojnë përgjatë gjithë vijës së frontit, duke u thënë ushtarëve: “Vazhdoni punën, vëllezër”.
Qëndrimi i palëkundur i Putinit ka bërë që disa vëzhgues të pyesin nëse ai jeton në iluzione ose po furnizohet me informacione të pasakta nga komandantët e tij. Zelensky thotë se këto teori mund të jenë të besueshme, por shton se “arsyeja pse ai gënjen nuk ka rëndësi”.
Sipas tij, Putini ka gënjyer që nga fillimi i luftës, duke pretenduar se pushtimi ishte i nevojshëm për të “shpëtuar” rusishtfolësit në Ukrainë. Ai mendon se këto gënjeshtra shërbejnë si ngjitës që bashkon segmente të ndryshme të shoqërisë ruse.
Në arenën ndërkombëtare, Rusia ka pësuar disa humbje politike. Në prill, aleati më i afërt i Putinit në Evropë, Viktor Orban, u mund në zgjedhjet parlamentare në Hungari. Përpjekjet e fundit ruse për të mbështetur kandidatë pro-Kremlinit në Moldavi dhe, fundjavën e kaluar, në Armeni gjithashtu dështuan.
“Ata po humbin ndikimin në vende të ndryshme, përfshirë Azerbajxhanin”, thotë Zelensky.
“Ata janë të izoluar brenda Evropës dhe nga Shtetet e Bashkuara. Pra, janë vetëm”, shton ai.
Donald Trumpi e ka nisur mandatin e tij të dytë në vitin 2025 me premtimin se do t’i jepte fund luftës.
Zelensky ka lavdëruar me kujdes përpjekjet diplomatike amerikane, pavarësisht një takimi të vështirë në Zyrën Ovale në shkurt të vitit 2025, samitit miqësor mes Trumpit dhe Putinit në Alaskë në gusht 2025, si dhe shkurtimeve të ndihmës amerikane për Kievin.
“Gjithmonë i kam thënë presidentit Trump se Putini gënjen. Ai luan lojëra me ju dhe me Shtëpinë e Bardhë”, thotë Zelensky, duke shtuar se është mirënjohës ndaj amerikanëve për “mbështetjen e tyre të fortë”.

Zhvendosja e vëmendjes tek Irani
Presidenti ukrainas e pranon se vëmendja e Uashingtonit është zhvendosur drejt Lindjes së Mesme.
“Sigurisht, që nga fillimi i luftës me Iranin fokusi i tyre ndryshoi”, thotë ai për administratën Trump.
Ai e kupton arsyen pse SHBA-ja ka përdorur shumë raketa dhe armë në konfliktin me Teheranin, por thekson me keqardhje se Ukraina, ndryshe nga aleatët amerikanë në Gjirin Persik dhe Izraeli, nuk ka marrë kurrë një nivel të tillë mbështetjeje.
“Është për të ardhur keq”, thotë ai.
Që nga viti 2022, Ukraina është shndërruar në një superfuqi të dronëve. Nga një vend që dikur kërkonte ndihmë ushtarake nga Perëndimi, Kievi është kthyer në një qendër të prodhimit ushtarak dhe inovacionit teknologjik. Disa vende arabe kanë kërkuar ndihmën e saj për rrëzimin e dronëve iranianë Shahed.
Megjithatë, arma më e rëndësishme që i mungon Ukrainës sot, sipas Zelenskyt, janë sistemet amerikane Patriot. Ato janë të vetmet që mund të rrëzojnë raketat balistike ruse që bien çdo natë mbi civilët ukrainas.
Të dielën, Zelensky ka zhvilluar bisedime në Downing Street me kryeministrin britanik, Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Ai thotë se u ka bërë sërish thirrje aleatëve evropianë që të “mbyllin qiellin” e Ukrainës, pra ta ndihmojnë vendin të përballojë sulmet masive me dronë dhe raketa.
Përveç raketave kundërbalistike, ai kërkon mbështetje financiare për ta transformuar ushtrinë ukrainase të mobilizuar, në një forcë profesionale me kontrata, sipas modelit evropian.
Ai pranon se raketat Patriot janë jashtëzakonisht të shtrenjta, me një kosto prej rreth 4 milionë dollarësh secila. Sipas tij, Britania, Franca, Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian duhet të bashkëpunojnë për të ndërtuar një alternativë evropiane ndaj sistemit amerikan.
Në këmbim, Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj të fituar me shumë sakrifica në luftën me dronë.
“Britania është ndër vendet e interesuara. Edhe NATO-ja është shumë e interesuar. Ky është informacion i paçmueshëm”, thotë ai.
Zelensky nuk dëshiron të flasë shumë për operacionet e ardhshme ushtarake. Megjithatë, sulmet me dronë me rreze të mesme dhe të gjatë e bëjnë rikthimin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, një mundësi joshëse, megjithëse ende të largët.
Forcat ukrainase po punojnë për të shkatërruar logjistikën e gadishullit dhe për të goditur objektiva ushtarake dhe energjetike në të gjithë jugun e pushtuar të Ukrainës.
“Gjithçka ka të bëjë me infrastrukturën kritike. Kjo i ndihmon ata të militarizojnë Krimenë tonë. Ne po punojmë për këtë”, shton ai.
Për një kohë të gjatë, shumë rusë janë përpjekur ta injorojnë luftën që zhvillohet përtej kufirit ukrainas. Zelensky thotë se qëllimi i sulmeve me rreze të gjatë veprimi është që banorët e Moskës dhe Shën Petersburgut ta “ndiejnë” se çfarë do të thotë lufta.
“Fitorja në këtë luftë do të vijë kur shoqëria ruse të pranojë se lufta është e tmerrshme, se është një tragjedi jo për dikë diku larg, por për vetë ata. Dhe mendoj se ky është momenti që po afrohet”.
Zotimi i Zelenskyt
Në maj, oligarku rus, Roman Abramovich, ka udhëtuar fshehurazi në Kiev për bisedime me Zelenskyn.
Presidenti ukrainas thotë se i bëri të qartë se nuk do të heqë dorë kurrë nga Donbasi, siç dëshiron Moska.
“Mendoj se ka njerëz të ndryshëm rreth Putinit. Gjysma duan ta vazhdojnë luftën. Gjysma duan ta ndalin. Dhe njerëzit që vijnë nga biznesi e kuptojnë se ekonomia ruse është në një gjendje të tmerrshme. Është shumë afër kolapsit”, shprehet ai.
Zelensky e ka dhënë intervistën pak para se të takohej me Mbretin Charles. Të dy duket se kanë krijuar një marrëdhënie të ngrohtë dhe të besueshme. Presidenti ukrainas ka zbuluar më herët se monarku i kishte kërkuar Donald Trumpit, gjatë vizitës së tij shtetërore në Britani vitin e kaluar, të mbështeste Ukrainën, diçka që presidenti amerikan e ka bërë me hezitim.
Kur u pyet nëse një ditë Mbreti Charles mund të vizitojë pallatin presidencial në Kiev, Zelensky buzëqeshi dhe tundi kokën me entuziazëm.
“E dini, sot në mëngjes kur fola në telefon me gruan time, Olenën, me gjithë respektin për Keir, ajo fillimisht i dërgoi përshëndetje mbretit. Dhe pastaj kryeministrit”, rrëfen ai duke qeshur.
“Ukraina e do Madhërinë e Tij. Do të doja shumë ta ftoja në Kiev. Ndoshta këtë vit. Nuk e di nga pikëpamja e sigurisë, por sigurisht që duam ta shohim”.