Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

“AS”: Muriqi, mishërimi i shijes së hidhur dhe të ëmbël

Vedat Muriqi

Mediumi i fuqishëm spanjoll, “AS”, i ka kushtuar të dielën një shkrim Vedat Muriqit, përkatësisht shkëlqimit të tij individual dhe dështimit të Mallorcas për të qëndruar në La Liga.

“Sulmuesi kosovar kaloi edicionin e tij më të mirë në karrierë sa i përket minutave të luajtur dhe golave, por ai nuk ishte në gjendje ta shpëtonte Mallorcan nga rënia në kategorinë e dytë dhe nuk do të jetë në Kupën e Botës”, ka shkruar “AS”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edicioni mbresëlënës i Muriqit, shkruan tutje gazeta spanjolle, ka përfunduar pa realizimin e dy objektivave kryesorë: kualifikimin në Kupën e Botës me Kosovën dhe qëndrimin në La Liga me Mallorcan.

Dy goditje të rënda në vitin më të mirë të karrierës së tij, shkruan “AS”.

Muriqi i është bashkuar një grupi të vogël lojtarësh që kanë realizuar mbi 20 gola e nuk e kanë shpëtuar skuadrën e tyre nga rënia. Kishte vetëm tri raste të tilla në të kaluarën në La Liga, i fundit në edicionin 1999/2000. Jimmy Floyd Hasselbaink i kishte realizuar plot 24 gola, por nuk ia doli ta shpëtonte Atletico Madridin nga rënia.

“Shija e hidhur dhe e ëmbël vazhdon për Vedatin, i cili këtë vit ka pasur tjetër humbje të vështirë ekipore me Kosovën. Republika e re, e cila iu bashkua FIFA-s dhe UEFA-s në vitin 2016, iu afrua kualifikimit në Kupën e Botës, por humbi nga Turqia për një gol në finale të plejofit”, shkruan “AS”.

Muriqi kishte barrën kryesore te Mallorca. Është lojtari prej të cilit është varur më së shumti ekipi në ligat e mëdha evropiane, sa i takon shënimit të golave. Gati gjysma e golave të Mallorcas, 23 prej 47 janë shënuar nga kosovari.

Të dhënat statistikore të Muriqit janë të frikshme. Ai po ashtu ka vendosur rekorde gjatë edicionit që përfundoi me dëshpërim për Mallorcan.

“Mallorca ka pasur një nga sulmuesit më të mirë në Evropë, por nuk ka qenë në gjendje t’i shndërrojë të gjitha sukseset e tij në pikë të mjaftueshme”, shkruan “AS”.

Klubet e mëdha turke e kanë përcjellë me vëmendjen situatën e Mallorcas. Dhe tani pritet të nisin sulmin final për transferimin e Muriqit. Fenerbahçe ka kohë që e kërkon, por në garë ka hyrë edhe Galatasaray.

Muriqi ka kontratë me Mallorcan deri në vitin 2029 dhe ka përsëritur shpesh së është i lumtur në ishullin spanjoll. Por vështirë se do të jetë i lumtur të luajë në kategorinë e dytë spanjolle.