Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Plot 23 gola nga Muriqi, por çka shkoi keq për Mallorcan?

vedat muriqi

Në Kosovë, largimi i Mallorcas nga La Liga as që do të përmendej sikur pjesë e kësaj skuadre të mos ishte lojtari më i mirë i përfaqësueses, Vedat Muriqi. Për shumë tifozë të futbollit është e dhimbshme që Mallorca të largohet nga liga, me gjithë shkëlqimin e Muriqit dhe efikasitetin e hatashëm të tij. Me 23 gola, ai është realizatori i dytë më i mirë i La Ligas. Superylli Kylian Mbappe i shënoi 25. Muriqi përfundimisht nuk është për kategori të dytë. Largimi nga Mallorca është i pritshëm

Pas pesë edicionesh në La Liga, Mallorca do të garojë në kategorinë e dytë spanjolle në edicionin e ardhshëm. Vedat Muriqi ishte pjesë e skuadrës gjatë gjithë këtyre pesë edicioneve dhe gjasat nuk janë të mëdha që ai të mbetet në skuadrën që do të luajë në kategorinë e dytë të Spanjës.

Kjo në fakt as që mund t’i kërkohet sulmuesit që i realizoi plot 23 gola në elitën e Spanjës. Muriqi shkëlqeu, por Mallorca nuk mbajti ritmin e tij. Dhe tani, me shumë gjasë, 32-vjeçari do të shënojë gola në ndonjë skuadër tjetër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por si u bë që Mallorca të largohet nga La Liga, vetëm dy vjet pasi arriti në finale të Kupës së Mbretit dhe përkundër superformës së kosovarit?

Më 6 prill 2024, Mallorca humbi vetëm në kohën shtesë nga Athletic Bilbao në finale të Kupës spanjolle. Në janar 2025 u paraqit edhe në turneun e Superkupës së Spanjës, të mbajtur në Jeddah të Arabisë Saudite. Dhe tani do të garojë në kategorinë e dytë spanjolle.

Tifozët e Mallorcas po kërkojnë largimin e drejtuesve të klubit. Dhe ana sportive po del të mos jetë arsyeja e vetme për largimin e Mallorcas nga La Liga.

Mediumi i afërt me klubin, Diario de Mallorca, ka paraqitur një seri çështjes “jashtë fushe”, që kontribuan në rënie.

“Gabimet sportive, prishja institucionale dhe përçarja me tifozët e kanë dërguar klubin nga paraqitja në turneun e Superkupës në Divizionin e Dytë brenda 18 muajsh”, ka shkruar ky medium.

Reputacioni i Mallorcas nisi të goditet kur u mposht 3:0 nga Pontevedra e kategorisë së dytë në garën për kupë, në janar 2025. Pati pakënaqësi të theksuara të tifozëve. Në Arabi, gjatë turneut të Superkupës, ndodhën disa incidente ku të përfshirë ishin familjarë të lojtarëve. Partneret e dy prej lojtarëve të Mallorcas raportuan ngacmime e fyerje si dhe mungesë të qartë sigurie. Në janar 2025, FIFA sanksionoi klubin me ndalim të transferimeve në tri afate për një borxh prej 50 mijë eurosh ndaj një klubi turk. Dënimi u hoq pasi u bë pagesa, por dëmi ishte bërë.

Në fund të edicionit 2024/2025 kishte pakënaqësi të tifozëve ndaj disa prej lojtarëve. Në verën e kaluar nuk u bë mjaftueshëm për të kthyer besimin. U transferuan dy lojtarë të rëndësishëm, por kishte edhe shumë dyshime. Edicioni nisi keq, ndërsa edhe disa vendime të arbitrave shkuan kundër.

Kishte edhe përplasje të brendshme, sidomos të lidhura me ish-kapitenin Dani Rodriguez.

Rezultatet mungonin dhe pakënaqësia e tifozëve rritej. Dhe kërkesa për largim të bordit drejtues u shpeshtua.

Trajneri Jagoba Arrasate u shkarkua dhe në vend të tij erdhi Martin Demichelis. Ndryshimi dukej se funksiononte fillimisht, por 12 xhiro para fundit ishte vonë. Me Demichelis, skuadra mori gjysmën e pikëve të mundshme, që nuk doli mjaftueshëm. Mallorca humbi përballje me rivalët direkt dhe kjo ishte vendimtare në fund.

Lëndimet dhe vendimet kundërthënëse po ashtu ndikuan në humbje të dhimbshme.

Dhe gjitha këto ndikuan që fitorja në xhiron e fundit të mos mjaftonte për Mallorcan. Para ndeshjes me Oviedon, të shtunën, trajneri Demichelis drejtoi gishtin kah mbrojtësi shqiptar, Marash Kumbulla. Kumbulla u përgjigj më pas, në një tjetër përplasje të brendshme.

“Me lot në sy dhe dhembje në zemër, duhet të pranojmë një goditje shumë të rëndë. E dim çka do të thotë. E dimë që dhemb. Dhe e kuptojmë zemërimin, trishtimin dhe zhgënjimin e çdo banori të Mallorcas. Për këtë arsye mund vetëm të kërkojmë falje. Është koha ta pranojmë, të ngrihemi dhe të fillojmë nga e para. Me më shumë përgjegjësi se kurrë”, shkruan në një postim të Mallorcas.

Në fakt në Kosovë largimi i Mallorcas nga La Liga as që do të përmendej sikur pjesë e kësaj skuadre të mos ishte lojtari më i mirë i përfaqësueses, Muriqi. Për shumë tifozë të futbollit është e dhimbshme që Mallorca të largohet nga liga, me gjithë shkëlqimin e Muriqit dhe efikasitetin e hatashëm të tij. Me 23 gola, ai është realizatori i dytë më i mirë i La Ligas. Superylli Kylian Mbappe i shënoi 25.

Trajneri Demichelis ka pranuar se Muriqi nuk është për kategori të dytë.

“Të gjithë do të tentojnë të marrin lojtarë nga Mallorca. Ka lojtarë si Muriqi ose Samu dhe të tjerë që nuk janë për kategorinë e dytë. Por unë nuk jam ai që i negocion këto gjëra. Shpresoj që klubi të ketë një projekt ambicioz. Disa gjëra duhet të rindërtohen që klubi të jetë stabil”, ka thënë Demichelis.

Rindërtimi me shumë gjasë do të jetë pa Muriqin në krye të sulmit.