Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pianoja në dialog me fuqinë e lëvizjeve në “Chopin Piano Fest”

Për rreth dy orë, publiku ka ndjekur shfaqjen ku kufijtë midis pianos e baletit zbeheshin vazhdimisht. Për publikun qe përjetim i plotë skenik, jo vetëm për të dëgjuar

Për rreth dy orë, publiku ka ndjekur shfaqjen ku kufijtë midis pianos e baletit zbeheshin vazhdimisht. Për publikun qe përjetim i plotë skenik, jo vetëm për të dëgjuar

Pos një tjetër koncerti në program të festivalit, ngjarja qe gjithashtu në agjendën e festimeve për Ditën e Çlirimit. Programi i koncertit me titull “Piano & Dance” me pianisten e njohur nga Vjena, Maria Radutu, balerinin shqiptar me famë ndërkombëtare, Eno Peçi, dhe balerinën nga Kosova, Mërgime Morina ka sjellë një koncept që e bëri recitalin pianistik përtej formës tradicionale dhe e shndërroi atë në një ngjarje skenike, ku tingulli dhe lëvizja e plotësonin njëra-tjetrën

Në festivalin ku zakonisht gjithçka rrotullohet rreth tingullit të pianos, mbrëmja e së dielës në “Chopin Piano Fest” ka sjellë përjetim ndryshe. Pianoja mbeti në qendër të vëmendjes, por kësaj radhe qe në komunikim me balet. Ajo hyri në dialog me trupin, lëvizjen dhe teatrin, duke krijuar universin artistik ku muzika dhe baleti u shkrinë në një gjuhë të përbashkët.

Pos një tjetër koncerti në program të festivalit, ngjarje qe gjithashtu në agjendën e festimeve për Ditën e Çlirimit. Programi i koncertit me titull “Piano & Dance” me pianisten e njohur nga Vjena, Maria Radutu, balerinin shqiptar me famë ndërkombëtare, Eno Peçi, dhe balerinën nga Kosova, Mërgime Morina, ka sjellë një koncept që e bëri recitalin pianistik përtej formës tradicionale dhe e shndërroi atë në një ngjarje skenike, ku tingulli dhe lëvizja e plotësonin njëra-tjetrën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mbrëmja nisi me një nga kryeveprat e repertorit pianistik – me ciklin e plotë të “24 Preludes, op. 28” të Fryderyk Chopinit. 

Të interpretuara nga Maria Radutu, preludet shpalosën një mozaik emocionesh dhe karakteresh, duke përmbledhur në pak minuta secila një botë të tërë muzikore. Ajo ka thënë se pjesa e parë ka qenë e ndërtuar mbi botën romantike të Chopinit, ndërsa pjesa e dytë e koncertit ka sjellë marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis vallëzimit dhe muzikës. 

“Pjesa e parë ka qenë gjithë cikli i preludeve të Chopin, të cilat të gjithë së bashku na sjellin gjithë historinë e muzikës romantike. Në këtë kontekst, vallëzimi është më teatral sesa balet ndërsa në pjesën e dytë patëm një ndërlidhje midis muzikës së bashku me vallëzim. Gjatë gjithë kohës unë jam duke interpretuar, ndërkohë që Eno vallëzon me vepra që nuk janë të destinuara për këtë dhe ne së bashku balancojmë gjithë programin”, ka thënë pianistja Maria Radutu. 

Në pjesën e dytë, programi ka kaluar në universin e kompozitorëve të tjerë. “Tango” e Igor Stravinskyt, “Three Preludes” e George Gershëinit, “Finale from Blanc” e Mikael Karlssonit, “Dance of the Blessed Spirits” e Christoph Willibald Gluckut, “Ninni”, “Toccata” e Paul Constantinescut dhe “Prelude G-mol, Op.23, nr.5” i Sergei Rachmaninoffit kanë krijuar rrugëtim të larmishëm stilistik, ku vallëzimi dhe muzika kanë komunikuar vazhdimisht me njëra-tjetrën.

Mbi këtë sfond, Eno Peçi ndërtonte rrëfimin skenik që lëvizte midis baletit dhe vallëzimit teatral, duke i dhënë trup tingullit dhe duke e kthyer muzikën në figurë.

Për Eno Peçin, pjesë e trupës së  Baletit të Operës Shtetërore të Vjenës dhe një nga emrat më të suksesshëm shqiptarë në skenën ndërkombëtare të baletit, ky bashkëpunim ka ofruar mundësi të reja shprehjeje. 

“Është një format pak më ndryshe, sepse në botën e artit dëgjohet vetëm piano ose vetëm baleti. Është një format që i mblidhet të gjitha, edhe pianon, edhe vallëzimin e teatrit, por edhe baletin, të kryqëzuara, sepse muzika, të interpretohet nëpërmjet lëvizjeve, mbase përbën edhe më shumë sens. Gjenden disa forma komunikimi me pianon, me muzikën dhe nëpërmjet saj del një shprehje komplet ndryshe. Ka shumë dimensione të ndryshme nëpërmjet të cilave mund të shkojmë me artin, jo vetëm me balet, por ka shumë komponentë të ndryshëm që ndërlidhen dhe në fund krijojnë diçka të magjishme”, ka thënë ai.  

Sipas Peçit, interpretimi solo e shton edhe më shumë përgjegjësinë artistike.

“Është më sfiduese ngase jam vetëm, por interaksionet janë të shumta, si me karrigen, me pianisten, me muzikën, me atmosferën e me vendin ku jemi. Nëpërmjet këtyre interaksioneve mund të krijojmë histori të ndryshme që publiku të hapë pak fantazinë dhe të mendojë atë që kam ndërmend të shpreh nëpërmjet këtyre lëvizjeve. Sigurisht, kur je vetëm, do të mendosh më shumë, ndërsa kur ke dikë është më e lehtë. Por struktura është e njëjtë”, ka thënë ai.  

Drejtoresha menaxhuese e festivalit, Besa Luzha, e ka cilësuar koncertin si një nga ngjarjet më të veçanta të këtij edicioni.

“Ka qenë ndër ngjarjet në listë të festimeve për Ditën e Çlirimit. Është koncept modern. Pianoja ishte në qendër, në fokus, sikur të ishte recital, por shoqërimi me lëvizje, me koreografinë e Enos dhe komplet koncepti, ishte shumë interesant, sepse ishte hera e parë që kemi pasur një program të tillë me balet. Kemi pasur më parë, por jo kështu me koncept të recitalit pianistik. Besoj se ka qenë shumë interesant edhe për publikun”, ka thënë ajo.

Në qendër të projektit ka qenë pianistja Maria Radutu, e njohur për qasjen e saj novatore ndaj muzikës klasike. E lindur në Rumani dhe e formuar artistikisht në Austri, ajo është bërë e njohur në skenat evropiane për koncertet që kapërcejnë kufijtë e recitalit tradicional, duke bashkuar muzikën me teatrin e performancën. Radutu ka treguar se bashkëpunimi me Peçin ka histori tashmë dhjetëvjeçare.
“Ishin shumë në kombinim që nga fillimi. Kur bëhet bashkë muzika dhe vallëzimi, muzika krijon magji në një mënyrë. U munduam të sjellim një përzierje në program dhe në dramaturgjinë e tij, kështu që muzika dhe vallëzimi të jenë në nivel të njëjtë”, ka thënë ajo.

Një vend të veçantë në program ka zënë  edhe vepra e kompozitorit suedez, Mikael Karlsson, e krijuar fillimisht për balet.

“Vepra nga Mikael është shkruar për balet dhe unë isha e ftuar si soliste në Operën Shtetërore në Vjenë”, ka thënë pianistja.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes, dialogut midis muzikës dhe lëvizjes iu bashkua edhe balerina Mërgime Morina, një prej emrave më të njohur të baletit në vend. Prania e saj e ka pasuruar më tej dimensionin skenik të koncertit, duke qenë partner i barabartë në rrëfim me Peçin.

Për rreth dy orë, publiku ka ndjekur shfaqjen ku kufijtë midis pianos e baletit zbeheshin vazhdimisht. Për publikun qe përjetim i plotë skenik, jo vetëm për të dëgjuar.