Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Usyku mban titujt pas fitores kundërthënëse ndaj “kikboksierit Verhoven”

usyk

Oleksandr Usyk pati fatin të mbante titujt e botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, duke shënuar fitore shumë kundërthënëse, me ndërprerje në raundin e 11-të, ndaj Rico Verhoevenit. Holandezi Verhoeven ka pasur karrierë impresive në kikboks, por e kishte vetëm një meç në boksin profesionist para përballjes së zhvilluar në orët e vona të së shtunës.

Verhoeven ishte agresori i qartë për periudha të gjata, duke befasuar legjendën Usyk në një mënyrë që askush nuk e priste.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një ndeshje çuditërisht të ngushtë, ukrainasi Usyk ofroi një sulm të vonshëm dhe lëshoi një goditje të mprehtë me të majtën që e dërgoi holandezin në dysheme e litar.

Verhoeven megjithatë i mbijetoi numërimit, por një seri goditjesh në sekondat e fundit të raundit të 11-të, bëri që gjyqtari të ndërhynte dhe të ndërprente meçin. Ishte një vendim jashtëzakonisht i ashpër për sfiduesin Verhoeven.

Madje kur meçi u ndërpre në mënyrë kundërthënëse, Verhoeven ishte duke udhëhequr 96:94 sipas njërit gjyqtar. Dy të tjerë ishin duke e vlerësuar luftën 95:95.

“Meçi ishte i vështirë. Ishte luftë e mirë”, ka thënë Usyk.

Në meçin që shumë njerëz prisnin të nxirrte në pah hendekun midis boksit profesionist dhe ambicies së kalimit nga një sport tjetër në boks, Usyku i pamposhtur dukej i lodhur në mënyrë të pazakontë.

Tri herë kampioni i padiskutueshëm, që dominoi kategorinë kruzer dhe atë të rëndë, megjithatë gjeti një mënyrë për të fituar meçin e 25-të në boksin profesionist. Por kundërshtari i ukrainasit 39-vjeçar vuri në dyshim rezultatin, njëjtë si shumë njohës të sportit e komentues në rrjetet sociale.

Legjenda 37-vjeçare e kikboksit, Verhoeven, e vlerësoi të hershme ndërprerjen, kurse kërkoi rimeç. Verhoeven ka thënë se kjo megjithatë varet nga Usyk.

“Doja që gjyqtari të më linte të dilja në raundin e 12-të. Ndjeva se ishim mjaft të barabartë në tabelat e rezultateve”, tha Verhoeven.

Titulli i versionit WBC i Usykut ishte në rrezik, kurse meçi llogaritej edhe si mbrojtje e brezit të kampionit në “WBA Super”, ndonëse Verhoeven nuk do të ishte i kualifikuar për të fituar atë version të titullit në rast të përmbysjes. IBF-ja dha leje për meçin, por nuk e miratoi për brezin e këtij versioni.

Meçi u zhvillua në afërsi të piramidave të Gizës në Egjipt. Është njëri prej meçeve më të pazakonta të boksit deri më tani.

Verhoeveni, që ka dominuar gjatë në kikboks, bëri nisje të gjallë dhe me energji të vazhdueshme. E lëshoi goditjen e djathtë e të fortë disa herë në trupin e Usykut.

Yje të boksit ishin pranë ringut, së bashku me aktorin Jason Statham, që i mundësoi Verhoevenit të realizonte këtë meç.

Verhoeven dha një goditje të fortë në raundin e tretë, kurse Usyk u përgjigj në të katërtin. Raundet kalonin dhe lufta nuk përfundonte. Verhoeven jepte goditje, ndërsa në raundin e dhjetë dhe të 11-të, Usyk u bë më i gjallë, duke dhënë disa goditje “aperkat”.

Verhoeven ishte dukshëm i lënduar në raundin e 11-të, por shumica vlerësuan se ai është dashur të lejohet të dal në raundin e 12-të dhe të fundit. Vendimi i gjyqtarit ishte shumë diskutabil.

Gjyqtari ndërpreu meçin vetëm një sekondë para përfundimit të raundit të 11-të.

“Jam shumë krenar për paraqitjen dhe shpresoj që bota e boksit të më pranojë si boksier. Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam këtu”, tha Verhoeven.

Reagimet për rezultatin përfundimtar pritet të jenë të shumta. Por Usyk shënoi tjetër fitore dhe Agit Kabayel shfrytëzoi rastin duke hyrë në ring dhe duke kërkuar meç me Usykun. Ai është sfidues i detyrueshëm në versionin WBC.

“Kam pritur gjatë për këtë ndeshje. Jam gati dhe mendoj se Gjermania është gati për meç. Le ta bëjmë në një stadium gjerman. Mendoj se të gjithë tifozët e duan”, tha Kabayel.

Usyku u përgjigj me “le ta bëjmë, ska problem. Jam gati, vëlla”.

Pavarësisht se çka sjell e ardhmja, Usyku e kaloi natën më të vështirë të karrierës ndaj sportistit që pakkush e llogariste të denjë për një luftë për titull të botës.