Paranteza ime e hedhur në titull, e shikuar me dioptrinë sociologjike, bëhet kureshtare për lexuesin dubioz edhe për faktin se të gjithë fokusin e zhvendos nga fituesi elektoral te projekti i nisur dhe i identifikuar politikisht si “Republika e Tretë”. Në këtë kuptim, paranteza nuk e mohon fitoren e LVV-së në zgjedhjet e 7 qershorit, por sugjeron se projekti i asaj që shquhet si “Republika e Tretë”, por që ende nuk po qarkullon publikisht si slogan, pësoi një “goditje të rëndë dhe serioze”.
Kur sjellim argumentin e “goditjes serioze dhe të rëndë”, aludimi ynë i referohet prolongimit të realizimit të synimeve dhe ambicies për ta ndryshuar ngadalë, por sigurt dhe me mjete demokratike, “arkitekturën” e Kushtetutës aktuale ahtisariane. Që, dorën në zemër, është koha për ta thënë edhe publikisht, se; është shndërruar në një “këmishë” tejet të ngushtë, si për proceset ashtu edhe për zhvillimet dinamike aktuale që po ndodhin në Kosovë dhe rreth Kosovës. Pra, ambicia dhe synimi për të filluar instalimin e këtij projekti, krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur LVV-ja kishte marrë 51.3% të elektoratit kosovar, me zgjedhjet e 7 qershorit duket tashmë se është kthyer dy hapa prapa.
E themi kështu edhe për shkak se ideja e fillimit të instalimit dhe realizimit të kësaj narrative, e dikush do të thoshte edhe kauze e misioni i Albin Kurtit, ishte shumë më e volitshme kur LVV-ja kishte dominim dhe epërsi absolute hegjemone në zgjedhjet e 28 dhjetorit, sesa tani kur ka një fitore johegjemonike dhe me mundësi të kufizuara.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDhe kjo “zhveshje” e pakalkuluar sa dhe si duhet nga të qenit hegjemon absolut i skenës politike të fut në “shtigjet” e dyshimit dhe të dilemave interesante që duhet të kenë përgjigjet e duhura. E para, se projekti për “Republikën e Tretë” ose nuk është serioz dhe përdoret vetëm për “mirëmbajtje” të pushtetit. E dyta, se LVV-ja ende nuk është e gatshme që e vetme t’u futet “betejave” politike për realizimin e këtij synimi me ambicie kombëtare. E treta, se ky subjekt hegjemon është në kërkim të një partneri të fuqishëm e kredibil për ta implementuar këtë mision, që për të është edhe interes kombëtar. Dhe e katërta, se Albin Kurti, si ideator, është duke pritur një moment më të volitshëm që, me gjasa, do të krijohet pas përfundimit të “kaosit të kontrolluar" global që është duke ndodhur në gjithë botën.
Në gjykimin tim, meqë nuk kemi përgjigjen e saktë në këto përpjekje, ka gjasa që këto opsione apo edhe dyshime të (pa)bazuara të jenë qëllimisht të lëna të hapura edhe për një fakt. E ai fakt ka të bëjë me taktikën apo strategjinë e njohur kur një fitues hegjemon zakonisht bën: “Një hap elektoral para, e dy hapa politikë prapa.” Që, në situatën tonë aktuale politike, do të mund të interpretohej edhe kështu: “Një mandat më shumë për liderin, por një hap prapa për Republikën e Tretë”, ose “Një hap para në marrjen e legjitimitetit të dalë nga zgjedhjet dhe dy hapa prapa në procesin e fillimit të ndryshimit kushtetues”.
Më 7 qershor, Kosova i dha Kurtit edhe një mandat për qeverisje, por jo edhe mandat për “Republikën e Tretë”.
Tani, nëse nisemi nga akti dhe fakti se zgjedhjet e vitit 2026 prodhuan një realitet pak a shumë identik, që nënkupton një “legjitimitet” të ri weberian, ku nga lideri kërkohet që kjo fitore (qoftë ajo edhe “fitore e Pirros”!) të mund të shndërrohet në një konsensus gjithëkombëtar, kuptojmë se jemi në rrugë të mbarë edhe për sfidat e tjera dinamike që e presin Kosovën edhe në planin e jashtëm...
Duket paksa utopike kjo strategji hipotetike, mirëpo, me fjalë të tjera, votuesit kosovarë edhe kësaj here shprehën vullnetin e tyre për t’i besuar Kurtit si lider, por jo aq sa ai ka pritur për t’ia deleguar rindërtimin dhe fillimin e ndryshimit të rendit aktual institucional të Kosovës.
A i hasi “gozhda në sharrë” “Republikës së Tretë”?
Dhe nëse tani analizojmë ad hoc projektin për “Republikën e Tretë”, kuptojmë se ky projekt është paraparë, në gjykimin tim, të realizohet në tri etapa: ajo e protestimit, që identifikohet me kohën kur LVV-ja ishte në margjinat opozitare; ajo e qeverisjes, që ka të bëjë me periudhën gjashtëvjeçare të pushtetmbajtjes; dhe faza e tretë, që ka të bëjë me fillimin e implementimit gradual të projektit në fjalë, që duket se i ka hasur “gozhda në sharrë” me zgjedhjet e qershorit. Thënë më ndryshe, i tërë ngërçi institucional apo mosmarrëveshjet politike që u “prodhuan” artificialisht në këta tetëmbëdhjetë muaj janë bërë ajo “gozhda në sharrë” për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
Pra, zgjedhjet e qershorit prodhuan një situatë simptomatike, ku qytetarët e Kosovës ia dhanë votën për të vazhduar qeverisjen e Kurtit 4, por nuk ia dhanë edhe mandatin për hegjemoninë e projektit të “Republikës së Tretë”. Megjithatë, siç thuhet, fitues i vërtetë nuk është gjithherë subjekti që fiton zgjedhjet dhe bëhet hegjemon i krijimit të institucioneve paszgjedhore, por subjekti apo partia që arrin ta fitojë besimin dhe “mendjen kolektive” të qytetarisë së një vendi.
Por, një fitore absolute, p.sh. me mbi 60%, ashtu siç pretendonte apo edhe shpresonte LVV-ja, pa asnjë dyshim do ta triumfonte tërësisht projektin e “Republikës së Tretë”. Fakt ky që nuk ndodhi, për fatin e opozitës, ngase ajo, me një fitore të tillë absolute të LVV-së, de facto dhe de jure do të “pensionohej” përgjithmonë.
Pra, fitorja relative e LVV-së, që në një mënyrë është një “fitore e Pirros”, e pamundëson në këtë fazë të emancipimit të shoqërisë kosovare atë që njihet në sociologjinë elektorale si “hegjemonizim kulturor dhe institucional”.
Së këndejmi, në gjykimin tim, kam guximin të konstatoj se “odisejada” për projektin e “Republikës së Tretë” do të vazhdojë edhe me konstelacionet e dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Kjo nënkupton se ky projekt, që në “gjeopolitikën” e LVV-së mund të shihet si një revolucion institucional i papërfunduar, fitoi mbështetje të konsiderueshme qytetare, por jo atë masë kritike elektorale të nevojshme sa për ta përmbyllur ciklin e synuar transformues të Albin Kurtit.
Epilogu
Në gjykimin tim, nëse zgjedhjet e 7 qershorit do të këndvështrohen përtej statistikave dhe mandateve, atëherë mund të argumentohet se ato nuk prodhuan një humbës klasik dhe as një fitues absolut. Ato më shumë “prekën” kufirin e projektit transformues që e synon dhe e punon pa ndalur Albin Kurti, sesa humbjen e vetë LVV-së si bartëse dhe artikuluese e heshtur dhe e pashpallur (ende) në publik.
Në këtë kuptim, mund të thuhet se Vetëvendosja fitoi si forcë elektorale, ndërsa “Republika e Tretë” nuk arriti të fitojë statusin e një projekti të pakontestueshëm shoqëror dhe institucional në mendjet e kosovarëve.
Dhe pikërisht ky dallim ndërmjet fitores zgjedhore dhe fitores historike mbetet ai çelësi sociologjik për ta kuptuar domethënien e vërtetë të këtyre zgjedhjeve.
(Autori është profesor i sociologjisë)