Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zeneli thotë se ëndrra e tij ishte të luante për Suedinë në Botëror

Besfort Zeneli

Mesfushori Besfort Zeneli e ka pritur me entuziazëm ftesën e Suedisë për t’u paraqitur në Kupën e Botës 2026.

Zeneli u lind në Suedi, ndërsa luajti gjashtë ndeshje për Kosovën U21, para se të kalonte te Suedia A. 
Paraqitjen me Suedinë në Kupën e Botës, Zeneli e vlerëson si “një ëndërr e bërë realitet”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Që kur isha i vogël kam pasur ëndërr të luaj për vendin tim, të luaj në Kupën e Botës”, ka thënë Zeneli për faqen e ish-klubit të tij, Elfsborg. 

Tek Elfsbogu, luan vëllai i madh i Besfortit, Arbër Zeneli, një prej më të mirëve dikur te Kosova A.
Suedia ishte në grup me Kosovën në kualifikimet e rregullta. Kosova doli fituese në të dy ndeshjet.

Suedia mbeti e fundit në grup, pas Zvicrës, Kosovës e Sllovenisë. Por për shkak të suksesit në Ligën e Kombeve, e fitoi të drejtën e paraqitjes në plejof.

Në plejof fillimisht fitoi 3:1 ndaj Ukrainës në Valencia e më pas 3:2 ndaj Polonisë.

Besfort Zeneli thekson se u gëzua shumë kur pa emrin e tij në listën finale të Suedisë për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

“Nuk isha 100 për qind i sigurt që do të mund të ndiqja transmetimin nga shtëpia në Belgjikë. Nuk më ishte thënë asgjë më parë, kështu që padyshim që ishte pak stresuese. Kur u lexua emri im, në fund, ishte një lehtësim dhe një gëzim i madh”.

Ish-mesfushori i Elfsborgut, Besfort Zeneli, dha kontribut në fitoren që ia siguroi Suedisë biletën për Botërorin që nis të enjten.

23-vjeçari u largua nga Elfsborgu për të luajtur për klubin belg Union SG në janar dhe ka pasur arritje të mëdha, ndonëse për kohë të shkurtër. Unioni përfundoi në vendin e dytë, por fitoi Kupën e Belgjikës.

Zeneli u shpall “Lojtari i Muajit” në ligën belge për praqitjet e tij në mars.

“Deri tani ka qenë mirë. Si klubi ashtu edhe trajneri më dhanë kohë të kapja ritmin e ndeshjes, pastaj mora mundësinë dhe e shfrytëzova. Kam luajtur një pozicion pak më ofensiv sesa më parë në Elfsborg. Më është dukur mirë. Dëshira ishte ta fitonim titullin dhe Kupën, por jam i kënaqur me mënyrën se si ka qenë gjysma e parë e vitit për mua”, ka theksuar Zeneli.

Ai shpreson të shkojë mbarë edhe Botërori.

“Do të bëjmë gjithçka që të shkojmë sa më larg të jetë e mundur. Do të jetë jashtëzakonisht argëtuese dhe shpresoj për sa më shumë mbështetje të jetë e mundur nga shtëpia në Boras”.

Në Botëror, suedezët janë Grupin F, kurse do të luajnë me Tunizinë, Holandën e Japoninë.