U zgjodh në krye të Organizatës së Pensionistëve të Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar.
Por kundërkandidati i saj, Osman Vitia, dhe disa pensionistë të tjerë kanë hedhur akuza në drejtim të 64-vjeçares Mybera Kasumi, e cila gjatë kohës që u zgjodh kryetare e kësaj organizate ishte 63 vjeçe.
Sipas Vitisë, gjatë zgjedhjes së saj si kryetare e OPP-së, është shkelur Statuti i Organizatës, pasi ajo nuk e ka përmbushur moshën e pensionistes.
Shtyrja e zgjedhjeve pa asnjë arsye derisa janë siguruar votat e nevojshme; anulimi i votimit nga 3 shoqata, që nuk premtuan vota për kandidatët; sjellja e Shoqatës së Grave jashtë Statutit; ndalimi i fjalës së lirë të delegatëve dhe keqpërdorimi i financave pa i dhënë llogari askujt, janë ankesat e tjera të tyre.
Akuza për zgjedhje jashtë Statutit kanë edhe për sekretarin Asllan Asllani, i cili ka moshën mbi 80 vjeç.
Në këtë mënyrë Vitia thotë se kanë bërë edhe një peticion, të cilin e kanë dërguar në instancat më të larta.
Se ka pasur shkelje gjatë zgjedhjes së kryesisë së kësaj organizate e thotë edhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi.
Sipas tij, shkelja e parë është bërë se vetë ai nuk është thirrur në këto zgjedhje. Fajtor ai lë ligjin, i cili ua mundëson organizatave të bëjnë shkelje.
Kryetarja Mybera Kasumi dhe sekretari Asllan Asllani këto akuza të tyre i quajnë të pabaza.
Sipas Kasumit, përkundër Statutit të pensionistëve është Ligji për organizata që nuk e specifikon moshën e personit që udhëheq ato.
Ajo pretendon se nuk po pranohet pasi është grua.
Ndërsa vetë sekretari Asllani thotë se peticionit të tyre ai ua ka kthyer një përgjigje.
Me shkrim, Asllani i është përgjigjur edhe peticionit të nënshkruar nga 93 pensionistë të Prishtinës.
Sipas tij, votimi i anëtareve nga Shoqata e Grave është e ligjshme, pasi shoqata e tyre funksionon në kuadër të Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës.
Sipas nenit 19 të ligjit të organizatave, rregullimi i hollësishëm i çështjeve të organizimit, të funksionimit dhe të veprimtarisë së organizatave parashikohet me Statutin e saj. Statuti i OJQ-së hartohet nga themeluesi dhe miratohet në mbledhjen themeluese të organizatës.