Në episodin e pesëmbëdhjetë të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, vije pjesa e dytë e rrëfimit të poetit Agim Gjakova për kohën e kaluar në Shqipërinë komuniste dhe kthimin në Kosovë pas 39 vjetëve.

Gjakova: U ktheva në Kosovë pas 39 vjetëve dhe e gjeta Gjakovën shkrumb

7 o. më parë / 15 qer 2025 21:00
Agim Gjakova

Poeti Agim Gjakova, në një rrëfim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, kujton kthimin e tij në Kosovë më 12 qershor 1999, pas plot 39 vjetëve e 15 ditësh qëndrimi në Shqipëri.

“Unë do hyj me gjermanët në Prizren. Më 12 qershor. E ju bëni çka të keni qejf...”, u kishte thënë ai disa të rinjve që kërkonin të shtynte kthimin.

Gjakova, gjatë bombardimeve të NATO-s, u shpreh se ishte angazhuar për të ndihmuar të rinjtë kosovarë që kishin ardhur në Shqipëri për t’u përfshirë në luftë. Me ndihma nga diaspora, ai arriti t’i strehojë, t’i ushqejë dhe t’i përgatisë për kthim.

“Djemtë s’kishin bukë me hângër... I strehuam, i ushqyem, dikë edhe e çuam te doktori. Pata marrë nga Zvicra 16 mijë franga nga miqtë, iu gjeta një banesë e i ndihmova si munda”, rrëfeu poeti.

Kthimi në Kosovë ishte i dhimbshëm.

“E gjej Gjakovën shkrumb... Djalin e tezës e kishin arrestuar në Pozharevc. Gjej shokun tim të klasës, Qamil Gexhën, të cilit ia kishin ekzekutu djalin e vetëm”, ka thënë ai.

Gjakova: Kosovarët konsideroheshin rrezik në Shqipërinë komuniste

8 o. më parë / 15 qer 2025 20:39
Agim Gjakova

Poeti Agim Gjakova, në një rrëfim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ka treguar se si kosovarët ishin të stigmatizuar dhe të ndjekur në Shqipërinë e regjimit komunist, ku konsideroheshin si rrezik ideologjik.

“Pirro Bita, sekretar i sekretariatit në atë kohë, i mblodhi të gjithë sekretarët e partive të rretheve dhe u tha: ‘Kosovarët janë të molepsur nga ideologjia revizioniste. Sigurimi (shërbimi sekret i Shqipërisë) duhet të dijë ku, me kë po takohen’”, tregon Gjakova, duke theksuar se kjo nuk kishte të bënte me mbrojtjen e Shqipërisë, por me përpjekje për t’i dëshmuar Enver Hoxhës se “po bëhej punë”.

Në dosjen e Sigurimit, të cilën Gjakova e mori më vonë në dorë, përshkruhet ndjekja e tij e përditshme deri në detaje absurde.

“Veç nuk m’i kanë përshkru edhe çka kam pa andërr, me ia qëllu”, ironizon ai.

Ndër të tjera, Gjakova ka qenë autor i një letre drejtuar ministrit të Brendshëm të kohës, Kadri Hazbiut, ku shprehej hapur: “Shqipëria e la Kosovën në vitin 1944 në duart e shkaut, serbëve... Kosovarët nuk trajtohen mirë në Shqipëri”.

Megjithëse shumë prej shokëve të tij u arrestuan, u dënuan me burgime të rënda apo edhe me pushkatim, Gjakova shpëtoi. Ai thotë se këtë ia detyrohet ndërgjegjes së bashkëkombësve të tij

“Nuk më ka shpëtu Perëndia, më kanë shpëtuar vëllezërit tanë nga Kosova – profesorë, gazetarë, akademikë – që më kanë njohur dhe nuk kanë besuar kurrë se kam ardhë me e prishë Shqipërinë”, rrëfen Gjakova.

Sipas poetit, loja e Sigurimit ishte që kosovarët të mos lejoheshin në jetën publike në Shqipëri.

Gjakova rrëfen përplasjen e parë me Partinë e Punës

8 o. më parë / 15 qer 2025 20:30
Agim Gjakova

Poeti Agim Gjakova, në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ka rrëfyer me detaje përplasjen e hapur me Partinë e Punës në Shqipëri, gjatë viteve të regjimit komunist.

I ardhur nga Kosova dhe i ndjekur nga regjimi jugosllav për kërkesat e tij për të drejtat e qytetarëve të Kosovës, Gjakova tregon se në Shqipëri u përball me një sistem tjetër shtypës – këtë herë për “mungesë disipline me mësimet e Partisë” dhe për moskonformitet me ideologjinë zyrtare.

Gjakova tregoi për një takim me sekretarin e Partisë së Punës, i cili pas një debati akuzoi kosovarët si “mikroborgjez”.

“Uuu, shoku sekretar, në radhë të parë nuk guxoni ta fyeni një popull të tanë... Po me ju nuk u bisedoka”, kishte thënë Gjakova, që më pas thotë se ia përplasi derën e zyrës.

Ai kujton se kjo përplasje e parë mund të kishte përfunduar me burgosje apo internim, por u shpëtua falë ndershmërisë së një oficeri të Sigurimit (shërbimi sekret i Shqipërisë.

“Përndryshe, s’e kishe pa ma diellin me sy”, i ishte thënë, siç rrëfen Gjakova.

Pas këtij momenti, për Gjakovën nisi një periudhë gjysmë izolimi dhe injorimi institucional në Shqipërinë e asaj kohe. Iu hap dosja 1128-faqëshe nga Sigurimi.