Arbëri

Aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve, dyshohen për lëshimin e lejeve ndërtimore e këmbim të pronave

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve komunalë në Pejë dhe një gjeodezisti të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Prokurorja Lumturije Vuçetaj tha se mbi 11 të pandehurit rëndojnë 23 vepra penale. Në Komunë nuk folën për aktakuzën e në opozitë thanë se prej kohësh i kanë ngritur dyshimet që lidhen me ndërtimet

Lëshimi i lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin ka implikuar dhjetë zyrtarë komunalë të Pejës dhe një zyrtar të Agjencisë Kadastrale të Kosovës ndaj të cilëve të premten është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Ata dyshohen edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për çështje që lidhen me këmbimin e pronës dhe inspektimet e ndërtimeve.

Prokurorja Lumturije Vuçetaj tha se mbi 11 të pandehurit rëndojnë 23 vepra penale.

“Rezultati i hetimit intensiv në koordinim me Policinë e Kosovës ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj 11 personave, prej tyre 10 zyrtarë komunalë, katër janë drejtorë të drejtorive komunale, 2 udhëheqës të sektorëve të drejtorive përkatëse, 2 inspektorë të ndërtimit, një zyrtar gjeodezist, në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi, si dhe një gjeodezist i licencuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës”, ka bërë të ditur Vuçetaj.

Aktakuzën e ngritur nuk e komentuan në Komunën e Pejës, nën arsyen se ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht.

“Pasi të marrim konfirmimin zyrtar, atëherë mundemi me pasë një reagim ose një qëndrim, por për momentin vetëm mund të supozojmë, pa pasur diçka zyrtare, ato nuk kryhen pa vendimin e ligjshmërisë”, ka deklaruar Faik Zekaj, zëdhënës i Komunës së Pejës.

E Berat Ganiqi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se për çështjet për të cilat dyshohen zyrtarët kjo parti në opozitë prej kohësh e ka ngritur zërin në Kuvendin Komunal.

“Edhe ne në të kaluarën e kemi ngritur shqetësimin e sidomos që ka të bëjë me këmbimin e pronave në qytetin e Pejës, e që është bërë dukuri negative që është duke ndodhur kohë pas kohe në Asamblenë Komunale të Pejës, ku këmbehen prona të kohëpaskohshme me ar në mospërputhje me atë që jepet dhe që merret”, ka theksuar Ganiqi.

Më herët Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuza kundër zyrtarëve komunalë të Deçanit, Klinës dhe Istogut, mbi të cilët rëndojnë 55 vepra penale.