Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025.
Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja thuhet se është anuluar njoftimi i KQZ-së nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.
Gjithashtu thuhet se me votimin që është bërë në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim.
Tutje thuhet se njoftimi është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, andaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.
""Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025", u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-ja.
Pas këtij vendimit zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se KQZ-ja do të presë afatin ligjor për ankesë ndaj tij, para se ta vendosë në rend ditë këtë çështje.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka deklaruar Elezi.
KQZ-ja në fillim të kësaj jave nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesmarrje në zgjedhje.
Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.