Komisioni për buxhet ka shqyrtuar raportin e punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Derisa OSHP-ja u kritikua nga deputetët për vonesa në shqyrtim të kërkesave për diskualifikim të operatorëve ekonomikë nën dyshimet për falsifikim, nga KRPP-ja u kërkua sqarim për kontratat e shumta njëburimore që kanë lidhur disa nga institucionet
Gjithsej gjashtë kompani figurojnë në “Listën e zezë” të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, institucion që njihet si “Gjykatë e tenderëve”. Duke i përfshirë në të, kompanitë janë diskualifikuar nga aktivitetet e prokurimit shkaku i falsifikimit të dokumenteve.
Ani se autoritetet kontraktuese gjatë vitit të kaluar kanë parashtruar 54 ankesa për përjashtim të operatorëve ekonomikë, vetëm 30 prej tyre janë shqyrtuar gjatë 2022-s.
Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për buxhet, drejtuesit e OSHP-së kanë arsyetuar edhe vonesat në shqyrtim të lëndëve.
Kryetarja e Bordit të OSHP-së, Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ka thënë se shkaku i ankesave të shumta të operatorëve ekonomikë ka pasur volum të madh të punëve. Sipas saj, aktualisht janë vetëm tre anëtarë të Bordit dhe se janë marrë përsipër edhe lëndët që i kanë pasur dy anëtarët tashmë të larguar.
“Ka kërkesë për diskualifikim të operatorëve ekonomikë për kontrata më të mëdha dhe ne u japim prioritet atyre. Për shembull, ka ndodhur në momentin e shpalljes së aktivitetit të prokurimit, që operatori nuk i ka dorëzuar dokumentet e përshtatshmërisë dhe ne kemi gjykuar, varësisht nga natyra e aktivitetit dhe kemi marrë vendim” , ka thënë Gradinaj-Mexhuani.
Deputetët kanë kërkuar sqarime nga drejtuesit e OSHP-së se si ka mundësi që kompanisë e cila është në “listë të zezë” t’i aprovohet si e bazuar ankesa nga paneli i shqyrtimit.
“Kur një operator vendoset në ‘listë të zezë’ e më pas shohim se ankesa përcjellëse aprovohet nga paneli i OSHP-së, ku mund të jetë i përgjegjshëm dhe i papërgjegjshëm një operator ekonomik, edhe me vepër penale, edhe gjithashtu në kryerjen e aktiviteteve të prokurimit publik”, ka thënë deputetja Jeta Statovci.
Për këtë, Gradinaj-Mexhuani ka thënë se duhet që të precizohet me legjislacion nëse kanë të drejtë për diskualifikim të kompanive edhe pasi të nënshkruajnë kontratat, pasi, siç ka thënë, nuk është e precizuar.
Në këtë mbledhje, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ngriti si shqetësim rritjen e vlerës së kontratave njëburimore.
“Pse organizatat buxhetore e kanë rritur 51 për qind vlerën e kontratave njëburimore? A keni ndonjë vlerësim? Unë kam me kërku auditim një për një, për të gjitha organizatat buxhetore. Përveç ushtrisë, policisë ose ndonjë emergjence shtetërore, nuk ka arsye tjetër për të bërë kontrata njëburimore”, ka thënë Hoti.
Shpenzimin e mbi 78 milionë eurove përmes kontratave me negocim e kanë arsyetuar përfaqësuesit e KRPP-së.
Avni Sahiti, anëtar i Bordit të KRPP-së, ka thënë se përveç KEK-ut, vlera e kontratave njëburimore është rritur nga MPB-ja dhe Ministria e Arsimit.
“Përveç KEK-ut, ka qenë edhe Ministria e Punëve të Brendshme që ka shpenzuar 19 milionë euro përmes procedurës së negociuar pa publikim, duke përdorur të drejtën ekskluzive. Është furnizimi me softuer edhe e kemi Ministrinë e Arsimit, te prokurimi i teksteve. Këto tri aktivitete e kanë rritur numrin e aktiviteteve si vlerë në përdorimin e kësaj procedure”, ka thënë ai.
Hoti ka pyetur sërish nëse monitorohen këto kontrata dhe a kërkohet nga autoritetet kontraktuese sqarime dhe a kundërshtohen kontratat e tilla, pasi, siç ka thënë ai, kjo ndikon edhe në rritjen e vlerës së kontratës duke e dëmtuar buxhetin.
Përfaqësues të KRPP-së thanë se ka raste që janë dhënë opinione kundërshtuese, por se opinionet e KRPP-së nuk janë obliguese për autoritetet kontraktuese.
E në mbledhjen e fundit të Komisionit parlamentar për buxhet për sesionin pranveror, deputeti Hoti ka kritikuar kryetarin e Komisionit, Armend Muja, për mospërmbushje të planit të punës së Komisionit.
Muja e ka arsyetuar këtë duke thënë se ka pasur edhe mungesë të kuorumit dhe se janë shqyrtuar edhe pika të tjera që nuk kanë qenë në plan.
Në mbledhje është miratuar edhe marrëveshja me Bankën Investive për linjën e 10-të hekurudhore.
Ani se në rend të ditës ishte edhe raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ai është hequr dhe nuk është shqyrtuar. Për këtë, kryetari i Komisionit, Muja, ka thënë se është java e tretë që kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në mbledhje shkaku i agjendës së ngjeshur. Por, sipas tij, në agjendë Kuvendi duhet të jetë më i rëndësishëm dhe përmes administratës ka kërkuar një sqarim nga Fejzullahu.
E, Fejzullahu ka thënë se do te dërgojë arsyetim përmes e-mailit.