Vërejtjet për mangësi në hartimin e ligjeve, deputetët e pushtetit dhe ata të opozitës ia numëruan të mërkurën Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi. E ndonëse evidentuan një sërë mangësish në Projektligjin për Shëndetin Prodhues dhe Fertilizimimin e asistuar, ata e kaluan atë për shqyrtim në Kuvend, me shumicën e votave të anëtarëve
Një sërë mangësish të ndërlidhura drejtpërsëdrejti me zbatueshmërinë, kanë evidentuar të mërkurën anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për Shëndetin Prodhues dhe Fertilizimimin e Asistuar.
Si shqetësim të veçantë ata ngritën çështjet rreth përcaktimit të gjinisë, bankave për ruajtjen e qelizave dhe dispozitat ndëshkuese për rastet e shkeljes së ligjit.
Deputetë nga pushteti e opozita shprehën vërejte për grupin punues të Ministrisë së Shëndetësisë rreth hartimit të drafteve.
“Do të thotë që atje kemi një grup, kërkoj mirëkuptim dhe nuk po e them për të ofenduar dikë, por kemi grupe punuese të cilat nuk po janë komponente në profesionin e tyre dhe po vijnë ligje të cilat po qe se do të hyjnë me automatizëm në funksion do të bënin probleme jashtëzakonisht të mëdha në rregullimin e jetës shëndetësore”, ka thënë deputeti i VV-së, Buim Meta.
“Të gjitha ligjet po na i sjellin jashtë standardeve për miratimin e ligjeve. Nuk ka në qëllim të ligjit pesë-gjashtë paragrafë. Qëllimi i ligjit duhet të jetë i fokusuar me një paragraf të parashkruhet, pastaj sepse po ndodh që vazhdimisht fushëveprimi i ligjit po na e qesin si qëllim. Pra duhet t’i përmbahen standardeve”, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
E vërejtje, anëtari nga Lidhja Demokratike, Armend Zemaj, shprehu për masat ndëshkuese në rastet e shkeljeve.
“As nuk është mirë e përcaktuar mbikëqyrja, as nuk është mirë sanksionet. Me i pa sanksionet janë tmerrësisht nëse e lexoni mirë faqen e fundit dhe nëpër to ka haptas rreshta që shihen implikime të grupeve të interesit”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Me gjithë vërejtjet, Projektligji mori shumicën e votave për të kaluar në shqyrtim në Kuvend.
Ndërkaq në mbledhjen e Komisionit u formua edhe një grup punues për monitorimin e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Me këtë rast, deputetët kërkuan që të përpilohet një raport mbi gjobat e shqiptuara deri më tani për mosrespektim të këtij ligji.