Arbëri

Drojë nga pasojat e reja, nëse në javët në vijim nuk zbatohen marrëveshjet

Dialogu KOsove-Sebri

Pas paralajmërimit të presidentit të Francës, Emmanuel Macron se javët në vijim do të jenë vendimtare për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, njohës të zhvillimeve thonë se, nga Kosova dhe Serbia pritet shprehje më e qartë e gatishmërisë për përmbushjen e obligimeve. Në rast të mungesës së vullnetit, ata kanë përmendur edhe pasoja për palët e që në rastin e Kosovës vetëm sa mund të shtohen pas sanksioneve që BE-ja vazhdon t’i mbajë në fuqi

Pranverë vendimtare në funksion të përmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshjet e Brukselit do të jetë për Kosovën dhe Serbinë, thonë njohës të zhvillimeve.

Fillimisht, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në urimin për 16-vjetorin e shtetësisë së Kosovës shprehu pritjen që javët e ardhshme të jenë përcaktuese për zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por në BE nuk janë përgjigjur për angazhimet që i kanë në përmbushjen e këtij synimi, të cilit i ka dhënë shtytje Franca dhe Gjermania. Derisa ka ngecje në zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes së dakorduar një vit më parë, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë një ditë më parë se për momentin nuk po mendohet të caktohet një takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj ka thënë se, dinamizimi i këtij procesi do të tentohet edhe për shkak të zgjedhjeve në BE.

“Në BE gjithsesi do të donin që edhe Kosova edhe Serbia të shprehen më qartë në gatishmërinë e tyre për të implementuar të gjitha obligimet që dalin nga të gjitha marrëveshjet, si ajo e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit ashtu edhe marrëveshjet e mëhershme, pasi që BE-ja së shpejti do të shkojë në zgjedhje dhe së shpejti së paku deri në vjeshtë do tu përfundojë mandati edhe zyrtarëve të tashëm në institucionet e BE-së. Ata do të donin që në këtë pranverë të ketë hapa konkret dhe të shihet qartë se nuk do të ketë më kthim mbrapa por palët do të shkojnë drejt normalizimit të raporteve”, ka thënë Palokaj.

Ai ka shtuar se, sa i përket Kosovës pritet që të ketë një qëndrim të qartë si të qeverisë ashtu edhe partive opozitare rreth draftit të statutit të propozuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është thënë disa herë se ndonëse të gjitha pikat e marrëveshjeve formalisht kanë të njëjtën peshë dhe të njëjtin obligim për palët, gjithsesi tashmë e dinë se bashkësia ndërkombëtare insiston që hapi i parë të jetë deklarimi rreth statutit të Asociacionit dhe nisja e procedurës për themelimin e këtij Asociacioni. Me nisje do të konsiderohej pranimi nga ana e qeverisë dhe dërgimi për mendim në Gjykatën kushtetuese”, ka thënë Palokaj.

Ai ka përmendur edhe pasojat që i presin palët nëse nuk do të ketë zbatim të obligimeve.

“Në rastin e Kosovës është vazhdimi i masave të cilat tashmë janë në fuqi e në anën tjetër, edhe për Kosovën edhe për Serbinë tashmë ndihma nga paketa e BE-së për rritje në Ballkan që kap vlerën mbi 6 miliardë euro në përgjithësi, është e kushtëzuar formalisht me përparimin në procesin e normalizimit të raporteve. Vetë fakti se mund të ketë ndalje të këtyre fondeve për Kosovën dhe Serbinë do të jetë pasojë vetvetiu sepse sipas disa përllogaritjeve fillestare Kosova do të mund të përfitonte së paku rreth 400 deri 500 milion euro nga kjo paketë”, ka thënë ai. “E mos përdorimi i saj do ta linte Kosovën mbrapa. Por edhe Serbisë i nevojiten këto mjete, prandaj edhe ajo në BE se mendohet se do të jetë motivi kryesor për palët për ti zbatuar obligimet e tyre”.

Ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me përfaqësues të QUINT-it më 21 tetor 2023 ua dorëzuan palëve propozimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo u pasua me takimet e ndara në Bruksel mes liderëve të Kosovës e Serbisë me përfaqësues të QUINT-it. Por mungoi dakordimi rreth dokumentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pati kushtëzuar zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas propozimit të BE-së, me nënshkrimin e dokumenteve të dialogut. Edhe pse Kurti ishte gati ta nënshkruajë marrëveshjen bazë, aneksin dhe propozimin e ri për themelimin e asociacionit, BE-ja e shpërndau përgjegjësinë te të dyja palët, me arsyen se u vendosën parakushte.

Me gjithë paralajmërimet e BE-së se perspektiva evropiane e Kosovës e Serbisë varet nga implementimi i marrëveshjeve, vitin që shkoi nuk u përmbush asnjëra prej pikave të dakorduara.

Sipas Palokajt, pasoja do të ketë edhe në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së, përkatësisht mosshqyrtimi i aplikacionit për anëtarësim në BE dhe marrja e statusit të kandidatit.

“Ndërsa edhe Serbia po ashtu që nga viti 2011 nuk ka hapur asnjë kapitull e pos Kosovës, Serbia e ka si kusht problemin e mos përmbushjes së obligimeve rreth sanksioneve ndaj Rusisë, pastaj edhe situata e brendshme dhe parregullsitë në zgjedhje që janë raportuar në Serbi. Kështu që palët mendojnë se duhet t’i kryejnë obligimet e tyre dhe Bashkimi Evropian mendon se kjo pranverë duhet të jetë vendimtare në këtë drejtim”, është shprehur Palokaj.

Në mungesë të rezultateve në dialog, liderët e Kosovës në disa raste e kanë përsëritur se prioritet është siguria në vend duke paralajmëruar se Serbia po përgatit sulm tjetër në veri, pasi atij në Banjskë ku më 24 shtator 2023 mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Pavarësisht denoncimit të Serbisë, në BE e kanë përsëritur disa herë se janë në pritje të përfundimit të hetimeve për ta konsideruar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë. Ndërkaq lënien në fuqi të masave për Kosovën e kanë arsyetuar me atë se nuk janë ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për shtensionim të situatës në veri.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq as dy ditë nuk i kishte qëndruar pas dakordimit për të cilin Joseph Borrell tha se ai dhe kryeministri Albin Kurti ishin pajtuar.

Ndonëse neni katër i planit përcakton se, Serbia nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, Vuçiqi deklaroi hapur se nuk e respekton atë.

Disa muaj pas marrëveshjes së dakorduar, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq i shkroi letër Brukselit përmes së cilës e njoftoi atë se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin “de facto” apo “de jure” njohjen e Kosovës.