Arbëri

Forumi i Sigurisë: Ballkani Perëndimor i rrezikuar nga ndikimi rus

Forumet sikurse ai i Sigurisë në Munih të Gjermanisë po vlerësohen mundësi e mirë për demaskimin e veprimeve të Serbisë në Kosovë, ani pse Ballkani Perëndimor nuk pati vëmendje të madhe në diskutimet që u zhvilluan. Përveç një debati të organizuar, pa përfaqësues nga Kosova e Serbia, Ballkani Perëndimor u përmend në raportin e Forumit në kontekst të ndikimit rus që për qëllim ka pengimin e integrimit të rajonit në BE

Ballkani Perëndimor mbeti nën hijen e zhvillimeve të tjera në pjesë të ndryshme të botës, në margjinat e njërit prej forumeve më të mëdha të sigurisë në Evropë. Me gjithë rritjen e shqetësimeve për rrezikun e ndezjes së një konflikti të ri në Ballkan, duke iu referuar edhe tensioneve Kosovë-Serbi, në Forumin e Sigurisë në Munih u zhvillua vetëm një diskutim mbi Ballkanin Perëndimor, pa pjesëmarrës nga Kosova e Serbia. Megjithëkëtë, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, në panelin ku ishin edhe udhëheqës të Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut, e përmendi nevojën që SHBA-ja e BE-ja të mos e largojnë fokusin nga Ballkani Perëndimor.

Megjithëkëtë, Ballkani Perëndimor u përmend në kontekst të ndikimit të Rusisë në raportin e Forumit që mbylli punimet të dielën.

“Progresi i paktë në rrugën drejt anëtarësimit në BE ka mbajtur gjithashtu derën e hapur për ndikimin malinj rus në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Serbia jo vetëm që varet nga Rusia për furnizimin e saj me energji, por Rusia gjithashtu mund të përdorë lidhjet e saj historike me popullsinë serbe, lidhjet me grupet paraushtarake e të krimit të organizuar, si dhe të depërtojë në mjedisin informativ. Këta faktorë ndihmojnë në shpjegimin se pse mbështetja popullore për anëtarësimin në BE në Serbi është më e ulëta në rajon”, shkruan në raport.

Sa i përket integrimit të Ballkanit në strukturat euroatlantike, për Kosovën aty shënohet se ka statusin e “kandidatit të mundshëm” në Bashkimin Evropian.

Mst: Forumet të shfrytëzohen për demaskimin e Serbisë

Analisti Visar Xani vlerëson se pavarësisht mungesë së vëmendjes ndaj Ballkanit, forume të tilla kanë rëndësi në demaskimin e obstruksioneve të Serbisë në Kosovë.

“Forumet e tilla janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shkak se përfaqësimi me nivel të lartë të diplomacisë botërore është mundësi e mirë për të diskutuar me ta dhe për t’i shprehur shqetësimet apo çështjet në interes të Kosovës për t’i avancuar përpara. Por duke marrë parasysh që bota ballafaqohet shumë me probleme të sigurisë, siç është çështja e luftës në Ukrainë, konsideroj se me gjasë çështjet ballkanike në këtë forum kanë qenë anësore. Por patjetër se nuk është një forum i parëndësishëm dhe Kosova duhet të vazhdojë edhe më tutje t’i shfrytëzojë takimet e tilla në mënyrë bilaterale për ta promovuar shtetësinë e Kosovës, për të treguar një realitet se çka ndodhi në veriun e Kosovës dhe për ta demaskuar Serbinë me veprimet e tyre terroriste të cilat i kanë ndërmarrë dhe mbase mund t’i ndërmarrin në të ardhmen”, ka thënë analisti Visar Xani.

Për obstruksionet e Serbisë nga Munihu foli edhe senatorja amerikane, anëtarja amerikane e Komisionit të Senatit për Politikë të Jashtme. Ajo tha se gabimisht është menduar se pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë më nuk do të ketë telashe në Ballkan.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja ta mbajnë fokusin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qoftë në raportet mes Kosovës e Serbisë, në Bosnjë-Hercegovinë apo edhe në zgjerimin e BE-së. Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë menduam se u vendos paqja, se gjithçka është në rregull dhe të gjithë janë në rrugën për t’u bërë demokraci, për t’u kryer reformat - dhe i hodhëm sytë diku tjetër, por nuk mund ta bëjmë këtë gjë tani. Mendoj se SHBA-ja duhet të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje”, tha Shaheen të dielën.

Ajo u pyet edhe për letrën që Senati ia kishte përcjellë administratës nga presidenti Joe Biden me kërkesën që të përfshihet sa më shumë në shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mungesën e presionit mbi Serbinë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Duhet të shohim çdo mundësi që ekziston. Ne do të vazhdojmë që ta nxisim administratën Biden që të mbështesë përpjekjet e Ballkanit Perëndimor. Këto përpjekje janë si publike ashtu edhe private. Ka përpjekje që ndihmojnë për t’i vënë në lëvizje gjëra edhe pas perdeve. Pata mundësinë të takoja Kurtin e Vuçiqin. Një nga gjërat që mendoj se është me rëndësi të ndodhë është Serbia ta arrestojë Radoiçiqin, duke qenë se ka qenë i përfshirë në vrasje dhe për këtë duhet të japë llogari”, është shprehur Shaheen.

Mst: Kosovës i kërkohet t’i koordinojë veprimet me aleatët

Lidhur me raportet Kosovë-Serbi ka folur edhe kryeministri Rama, i cili tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet në raport me Brukselin, pavarësisht nëse pala tjetër nuk e bën këtë.

“Dua të them atë që duhet për t’u thënë. Kosova nuk po negocion me Serbinë. Pikë. Kosova thjesht po negocion me BE-në dhe SHBA-në, siç ne po negociojmë me BE-në. Ka një plan franko-gjerman që është mjaft i qartë, ka gjëra që duhet përmbushur njëra palë dhe pala tjetër. Pse Kosova të mos shkojë në Bruksel të nënshkruajë tri-katër gjëra dhe t’i thotë: zotëri Lajçak ne jemi gati t’i zbatojmë dhe ai (Lajçak) të merret pastaj me palën tjetër. Nuk është justifikim të mos bëhen gjërat vetëm pse pala tjetër sillet keq”, ka theksuar Rama.

Kryeministri Kurti dhe vartës të tij në margjinat e Samitit patën takime me admiralin e NATO-s, Stuart Munsch, me delegacionin e senatorëve amerikanë, kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, e emisarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Në takime u fol për dialogun me Serbinë dhe për vendimin e fundit të Bankës Qendrore (BQK) që e njeh vetëm euron si valutë zyrtare në vend.

Nga ana tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me ministrat e Jashtëm britanik dhe kinez, David Cameron dhe Wang Yi, me delegacionin e Senatit të SHBA-së, të cilëve iu ankua për pozitën e serbëve në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë koordinimi duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të Rregullores së BQK-së, me arsyen se ajo prek komunitetin serb. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi javën e shkuar se mospërmbushja e kërkesës së tyre për periudhë më të gjatë transitore deri në zbatim të rregullores ka ndikuar në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Visar Xani thotë se moskrijimi i një strategjie të përbashkët me aleatët vështirëson adresimin e problemeve që ka Kosova.

“Kosova edhe pse merr pjesë në forume të tilla, nuk ka ndonjë mundësi apo potencial për të ndikuar, por duhet të shfrytëzojë miqësinë me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët e tjerë, me qëllim që të kenë strategji të përbashkët dhe të njëjtën kohë të arrijnë më shumë suksese në procesin diplomatik. Por nëse vazhdohet edhe më tutje që Kosova ta vazhdojë konfrontimin me ndërkombëtarët, atëherë forumet e tilla do të mbesin vetëm disa takime dhe numra, por pa rezultate konkrete”, ka potencuar Xani.

Siguria e Evropës pas pushtimit rus mbi Ukrainën dhe situata në Lindjen e Mesme e kanë dominuar edicionin e 60-të të Forumit të Sigurisë në Munih.