Arbëri

Haxhiu - Tahirit: Mosmarrja e veprimeve sa ishe ministër, tregon qartë kush i ka bërë shërbim Serbisë

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka reaguar edhe deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, pasi ai tha se Vetëvendosja ka propozuar tre kandidatë për kryetar të Kuvendit që kanë “rekord të zi” ndaj UÇK-së. 

Haxhiu e ka akuzuar Tahirin se po manipulon me të pavërteta dhe se po shpif. 

“Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës u shua në vitin 2018, gjatë mandatit të Abelard Tahirit si Ministër i Drejtësisë. Pra Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë. Periudha deri më 31 dhjetor 2000 është e propozuar dhe votuar nga qeverisja e PDK-së, në 2011, kur u miratua Ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Ky ligj përcakton qartë se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur mbulon periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Më vonë, më 3 gusht 2015, në Kuvend votuan Dhomat e Specializuara, me juridiksion kohor 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000”, ka shkruar ajo në Facebook.

Haxhiu ka thënë se Ligji i hartuar nga qeverisja e VV-së vlen për periudhën e luftës, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999, dhe se hulumtimi dhe dokumentimi “mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, por jo më vonë se 31 dhjetor 2000”. Ka shtuar se boshti kryesor i ligjit është periudha e luftës, kurse zgjatja deri në fund të vitit 2000 ka të bëjë vetëm me pasojat e drejtpërdrejta të luftës.

“Çdo interpretim ndryshe është keqinformim dhe shpërdorim politik i tekstit ligjor”, ka shkruar ajo.

“Duke mbyllur Institutin për Krimet e Serbisë, duke votuar Specialen që gjykon vetëm shqiptarët, duke miratuar Ligjin për Personat e Zhdukur me afat deri në vitin 2000 dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim, sa ishte Ministër, që i shërben drejtësisë për krimet e luftës, është e qartë se kush i ka bërë shërbim Serbisë”, deklaroi Haxhiu. 

Tahiri ka thënë të shtunën se zgjatja e hulumtimeve të krimeve të luftës nga Haxhiu si ministre, i ka shërbyer Serbisë

"Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë", pati shkruar ai.