Arbëri

Komuna e Fushë-Kosovës detyrohet të paguajë mbi 700 mijë euro pagesa gjyqësore

Më shumë se 700 mijë euro është shuma që Komuna e Fushë-Kosovës është detyruar dhunshëm ta paguajë për disa kategori buxhetore gjatë vitit të kaluar.

Këto pagesa janë bërë për shkak të vonesave në shlyerjen e detyrimeve që Komuna e Fushë-Kosovës ka pasur ndaj personave dhe kompanive të kontraktuara.

Duke u bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, borxhi kryesor i Fushë-Kosovës për paga dhe mëditje ka qenë 394,266€, për investime kapitale 87,945€ dhe për mallra dhe shërbime 54,043€.

“Shuma e pagesave të realizuara nga Thesari, në bazë të vendimeve

gjyqësore/përmbarimore ishte 714,419€. Prej tyre borxhi kryesor ishte 536,255€, ndërsa 178,164€ ishin shpenzime të interesit dhe procedurale të gjykatës/përmbarimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Tutje në raport thuhet se këto pagesa kanë ndodhur si rezultat i kërkesave nga mësimdhënësit për paga jubilare apo paga përcjellëse, si dhe për shujta që rrjedhin nga kontrata kolektive. Kurse, pjesa tjetër është pasojë e mospagesës me kohë të obligimeve financiare ndaj furnitorëve, si dhe hyrja në obligime pa buxhet.

Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Ndërkohë, shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë, Durim Hajra, ka theksuar se këto pagesa kanë ndodhur për shkak të neglizhencës së punëve dhe keqmenaxhimit të parasë publike nga ana e Komunës.

“Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj për Komunën e Fushë-Kosovës, këtë Komunë e ka kategorizuar ndër komunat me opinionin më negativ. Pra, ka dhënë një opinion të kualifikuar. Njëra nga gjetjet dhe problematikat është edhe çështja 9, e cila ka të bëjë me vonesën e pagesave për disa kategori, e të cilat vonesa e kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Fushë-Kosovës për afër 200 mijë euro. Pra, vetëm interesi nga përmbaruesit buxhetit të Komunës i ka kushtuar afër 200 mijë euro”, tha Hajra.

Raporti i Auditorit ka tërhequr vërejtjen se pagesat e realizuara nëpërmjet vendimeve gjyqësore vështirësojnë realizimin e buxhetit sipas planifikimeve ,respektivisht implementimeve e projekteve, dhe po ashtu krijojnë kosto shtesë në emër të shpenzimeve gjyqësore dhe interesit.