Arbëri

Komuna liron hapësirat publike të zëna nga kafenetë, lejon vetëm çadrat lëvizëse

Të dyja anët e sheshit janë të mbushura me karrige dhe tarraca të kafeneve dhe restoranteve.

Duke zënë hapësirat publike, ka disa vjet që pronarët e lokaleve nuk paguajnë tatim për to, për shkak të gjendjes me pandemi.

Në këtë mënyrë ata janë zgjeruar dhe kanë vendosur tarracat pa pasur ndonjë kriter.

Komuna tani ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike pikërisht në sheshet e Prishtinës dhe mbi platenë e “Kurrizit”.

Sipas kryetarit Përparim Rama, në kuadër të kësaj do të largohen mbulesat dhe një pjesë e karrigeve tek lokalet, të cilat janë zgjeruar shumë.

“Është një program që e kemi shpallur edhe gjatë kampanjës që hapësirat publike duhet liruar. Ne nuk jemi kundër bizneseve faktikisht, jemi në bashkëpunim me shoqatën e gastronomëve, jemi duke bashkëpunuar. Por aty jemi në fazën kur mbulesat po largohen, normalisht që një pjesë e karrigeve aty do të lihen, por pikat kyç të hapësirave publike për qytetarët do të lirohen dhe kjo do të mundësojë një eksperiencë më të mirë të sheshit për të gjithë qytetarët”, tha Rama.

Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, thotë se kjo është vetëm faza e parë, pasi ata do të vazhdojnë edhe me lirimin e hapësirave të tjera në Prishtinë, kudo që pengojnë lëvizjen e qytetarëve.

Përderisa ai bën të ditur se çadrat lëvizëse do të lejohen të përdoren.

“Ato do të lejohen, çdo gjë që është lëvizëse e jo statike gjithsesi do të lejohen, por kjo do të jetë e kufizuar, hapësira që mund të shfrytëzohet para lokaleve e po ashtu edhe numri i karrigeve do të jetë më i vogël”, tha Dushi.

Sipas Dushit, disa lokale kanë refuzuar që t’i lirojnë vetë hapësirat, në këtë mënyrë ata janë detyruar të ndërhyjnë.

Por, pronari i një lokali në “Dardani” thotë se në këtë mënyrë ata do të detyrohen të largojnë nga puna disa punëtorë.

Në anën tjetër, qytetarët mendojnë se po bëhet një punë e mirë për lirimin e hapësirave të zëna nga lokalet.

Komuna e Prishtinës tashmë ka liruar edhe hapësirat e uzurpuara pa leje nga kioskat.