Arbëri

Komunat me progres në transparencë, përfaqësimi gjinor mbetet i ulët

Përfaqësimi i barabartë gjinor, transporti publik, rrjetet e kanalizimit e zhvillimi ekonomik lokal, janë disa nga fushat me performancën më të ulët, sipas raportit të performancës komunale për vitin 2020. Ky raport, i cili u prezantua të shtunën nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përmban të arriturat dhe mangësitë e punës të 38 komunave.

Drejtori i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale, Diellor Gashi, ka thënë se disa komuna duhet të punojnë më shumë në fushat ku kanë performancë të dobët, të cilat sipas nivelit janë kategorizuar nën 40 për qind.

Sipas Gashit, performanca më e ulët qëndron te përfaqësimi gjinor me 34.88 për qind.

“Përfaqësimi gjinor i barabartë shprehet me 3.36 për qind në total më pak se në vitin paraprak. Megjithëse në kuadër të të punësuarve në institucione komunale, pozita profesionale, kriteri 50 për qind për gra dhe 50 për qind për burra sipas të dhënave të komunave është plotësuar. Komunat duhet të rrisin intensitetin e punës së tyre në hartimin e planeve vjetore për barazi gjinore si dhe të punojnë më shumë në krijimin e mundësive që gratë të jenë të përfaqësuara më shumë në pozita politike dhe vendimmarrëse”, ka thënë Gashi.

Përfaqësimi gjinor në nivel lokal, ndonëse ka shënuar lëvizje pozitive, sipas Bekim Salihut nga Instituti GAP, edhe pas dy vjetëve, mbetet njëra prej sfidave të pushtetit lokal.

“Gratë përfaqësohen në numër të vogël në pozita politike dhe në pozita të larta drejtuese. Nga 310 drejtori komunale sa kanë gjithsej komunat e Kosovës, vetëm 79 drejtori udhëhiqen nga gratë, ndërsa nga 38 kryesues të kuvendeve, vetëm në shtatë raste janë gra”, ka thënë Salihu.

Duke prezantuar rezultatet e raportit, Gashi ka deklaruar se ka arritje pozitive në disa fusha e shërbime si në arsim, shëndetësi, furnizim me ujë dhe transparencë komunale. Te transparenca kanë arritur performancën më të lartë prej gjithsej 77.62 për qind. Por jo edhe ato me shumicë serbe.

“Më specifikisht arritjet më të mëdha në këtë fushë shprehen te qasja në dokumente zyrtare 93 për qind pastaj në publikimin e dokumenteve të prokurimit, në publikimin e raporteve buxhetore të dokumenteve të ndryshme financiare. Komunat me shumicë serbe reflektojnë me përqindje të ulët të performancës për shkak të keqraportimit, por edhe për shkak se një numër i të dhënave të tyre janë shpallur të pavlefshme për shkak të mungesës së argumentimit dhe ndërlidhjes me dokumentet burimore të komunës”, ka thënë drejtor i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale.

Sipas Gashit, mungojnë të dhënat e Komunës së Mitrovicës Veriore, pasi nuk janë autorizuar nga kryetari i komunës dhe si pasojë nuk i kanë marrë për bazë as gjatë vlerësimit për grantin e performancës komunale.

E sipas Salihut nga Institutit GAP, ky mosbashkëpunim i komunave me shumicë serbe, krijon një imazh jo-unik të qeverisjes lokale, si dhe dëmton qytetarët në atë pjesë të vendit.

Drejtori i Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale, Diellor Gashi, ka deklaruar se bazuar në të dhënat e raportit, arsimi parauniversitar e shëndetësia kanë tregues e përqindje pozitive.

“Shëndetësia primare shprehet në nivelin 55.96 për qind. Po ashtu, edhe në këtë fushë komunat kanë treguar performancë më të lartë në raport me vitin paraprak, dhe po ta analizojmë numrin e vizitave të qytetarëve në institucione publike shëndetësore atëherë kemi pasur 6.1 milionë vizita në këto institucione që është një tregues pozitiv”, ka thënë Gashi.

Bazuar në raport, edhe uji i pijshëm ka shënuar rritje në krahasim me vitin 2019, ku 75 për qind e ekonomive familjare dhe të bizneseve janë të lidhura në ujësjellës.

Sipas Gashit, komunat duhet të punojnë më shumë edhe në transportin alternativ dhe në ndërtimin e shtigjeve për të.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka treguar se i kanë kushtuar vëmendje të madhe verifikimit dhe dokumentimit të të dhënave, duke theksuar se për herë të parë ky raportim verifikohet në terren.

“Kemi bërë edhe ngritjen e kontrollit. Për herë të parë këtë vit ne kemi pasur një komision, i cili ka verifikuar të dhënat të cilat janë raportuar nga komunat për shkak se ka ndodhur të ketë raportime që në atë sigurinë që nuk do t’i verifikojnë kanë mundur të jenë edhe jo të sakta. Raste të tilla kemi pasur edhe në këtë verifikimin e fundit që kemi bërë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se pse është vonuar për një vit raporti i performancës dhe është zotuar se ky raport do të jetë i përvitshëm. Sipas tij, kur kanë marrë pushtetin e kanë gjetur këtë proces të bllokuar nga ish-ministri, i cili sipas tij për shkak të pakënaqësisë në performancë ka marrë vendim ta ndalojë atë.

Për vitin 2020, raporti përmbledh 17 tregues më pak se për vitin 2019, për shkak të rrethanave të pandemisë.