“Marrëveshja e parë konsiston në një bashkëpunim mes spitaleve të zonave ndërkufitare, pra të Spitalit të Gjakovës, Kukësit dhe Prizrenit, ku fokusi kryesor do të jetë shkëmbimi i profesionistëve të shëndetësisë në këto zona, duke siguruar që kujdesi shëndetësor të jetë cilësor, por edhe duke bërë të mundur eksperiencën dhe shkëmbimin e stafeve mjekësore dhe dedikimin e stafeve, mjekëve specialistë në spitalet respektive”, ka thënë ministrja Ogerta Manastirliu, pasi është pritur në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës nga zëvendësministrja Dafina Gexha-Bunjaku
Dy marrëveshje në fushën e shëndetësisë pritet të nënshkruhen brenda muajit nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, ka bërë të ditur të premten ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës së saj në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur pas pritjes që ia ka bërë zëvendësministrja e Shëndetësisë së Kosovës, Dafina Gexha-Bunjaku. Ishte planifikuar të takohej me homologun e saj, por kjo është bërë e pamundur, meqë ministri Rifat Latifi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale mbrëmjen e së enjtes.
Manastirliu ka dhënë disa detaje për marrëveshjet që pritet të firmosen.
“Marrëveshja e parë konsiston në një bashkëpunim mes spitaleve të zonave ndërkufitare, pra të Spitalit të Gjakovës, Kukësit dhe Prizrenit, ku fokusi kryesor do të jetë shkëmbimi i profesionistëve të shëndetësisë në këto zona, duke siguruar që kujdesi shëndetësor të jetë cilësor, por edhe duke bërë të mundur eksperiencën dhe shkëmbimin e stafeve mjekësore dhe dedikimin e stafeve, mjekëve specialistë në spitalet respektive”, ka thënë Manastirliu.
Ajo ka folur edhe për marrëveshjen tjetër.
“Një element i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje do të jenë edhe korridoret e shpejta që do t’i krijojmë nëpërmjet protokolleve të bashkëpunimit për shkëmbimin e barnave, vaksinave, pajisjeve biomjekësore dhe në këtë kuadër marrëveshja mes agjencive të barnave dhe pajisjeve mjekësore të dy vendeve do të mundësojë zhvillimin e protokolleve të shpejta për sa i përket qarkullimit të barnave dhe rritjes së kontrollit dhe cilësisë së barnave në të dyja vendet”, ka thënë ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë.
Manastirliu është pyetur edhe për këtë.
“Ne jemi duke parë dhe vlerësuar pikërisht atë që ju përmendët, pra për të kuptuar se cila është kërkesa dhe se si mund të adresohet kjo kërkesë. Jemi në pritje edhe nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe besoj në këto diskutime dhe në të gjithë marrëdhënien që ne e kemi për të bërë një plan të qartë, të saktë, një analizë konkrete dhe patjetër edhe për të pasur një adresim të këtij shqetësimi që ju përcollët e që për ne pa dyshim është një objektivë për punën tonë në të ardhmen”, ka thënë ministrja Manastirliu.
E, zëvendësministrja Gexha-Bunjaku ka thënë se autoritetet kosovare e mbështesin fort bashkëpunimin e dyanshëm me qëllim të përafrimit të dy shteteve dhe përfitimit të qytetarëve.
“Pavarësisht situatave e sezonit në vazhdimësi kemi bashkëpunime që edhe më tej duhet t’i thellojmë. Kemi trajtimin e pacientëve me hemodializë, qasjen në Qendrën Klinike Spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë për qytetarët e Kosovës, kemi qasjet në spitalin e Prizrenit dhe Gjakovës për qarqet Kukës dhe Malësi e Gjakovës. Sistemet tona shëndetësore duhet të rrisin edhe më tej bashkëpunimin në frymën e marrëveshjeve në mes dy qeverive tona për të mbështetur këtë integrim”, ka thënë zëvendësministrja Gexha-Bunjaku.
Ajo ka shprehur nevojën që Shqipëria t’iu ofrojë shërbimet e duhura qytetarëve të Kosovës gjatë sezonit veror turistik.
“Meqë jemi para sezonit të plazhit si Ministri jemi shumë të interesuar që edhe qytetarët tanë gjatë verës të kenë qasje të duhur në sistemin shëndetësor të Shqipërisë nëse ata kanë nevojë dhe kurdo që kanë nevojë. Marrëveshjet për çështje të tilla na bëjnë të jemi sa më afër njëri-tjetrit dhe se qytetarët të ndihen rehat dhe komodë me shërbimet e marra si në Kosovë dhe në Shqipëri”, ka shtuar ajo.
Ministrja Manastirliu ka thënë të jenë ndërmarrë masa tashmë në funksion të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për turistët.
“Si Ministri e Shëndetësisë kemi marrë masat që prej datës 15 qershor qendrat shëndetësore verore që tashmë janë prej vitesh në dispozicion të pushuesve edhe në këtë vit të jenë në dispozicion të pushuesve, turistëve dhe qytetarëve shqiptarë e kosovarë, duke mos pasur asnjë mungesë dhe duke dedikuar në gjitha shërbimet e urgjencës. Gjithashtu edhe në shërbimet spitalore që mund të dalë nevoja për të pasur”, ka thënë Manastirliu.