Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri Albin Kurti ka takuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilin ka diskutuar për dialogun me Serbinë dhe për përgatitjet e takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Kurti ka dhënë garanci se Kosova do të tregojë konstruktivitet në dialog. E normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së, ka thënë kryediplomati evropian, Josep Borrell
Kryeministri Albin Kurti është zotuar në takimin që ka pasur të shtunën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, e edhe me autoritete të larta të Bashkimit Evropian, se Kosova do të jetë palë konstruktive në dialogun me Serbinë.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, në takimin me Scholz të zhvilluar në kuadër të punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih, e në të cilin të pranishme ishin edhe kryediplomatja Donika Gërvalla dhe ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, Catherinë Colonna, është folur edhe për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve.
“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend proevropian dhe proamerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog, teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe në NATO”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
E normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së, ka thënë Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së të shtunën, pas një takimi me kryeministrin Kurti në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
“U takova me Kurtin në #MSC2023 për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell në Twitter pas takimit me Kurtin.
Ndërkaq, në një njoftim të Qeverisë është thënë në takimin e Kurtit me Borrellin, por edhe me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është diskutuar për “procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia” dhe për “takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”.
Për dialogun dhe marrëdhëniet me Serbinë, kryeministri Kurti ka zhvilluar diskutime edhe në takimin me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen.
“Në takim u diskutua për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe për zhvillimet e fundit në rajon. Sa i përket dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe për propozimin evropian, kryeministri Kurti e theksoi angazhimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm të Kosovës në këtë proces”, thuhet në komunikatë.
Ndërkombëtarët kanë shtuar trysninë ndaj Kosovës dhe Serbisë për intensifikim të dialogut, me synimin që brenda vitit palët të mbërrijnë një marrëveshje konform planit evropian, e i cili nuk e parasheh njohjen reciproke. Kryeministri Kurti ka thënë se me këtë dokument sigurohet njohja de fakto.
Në konferencën e Munihut, krahas Kurtit është duke marrë pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila po kështu ka zhvilluar një numër takimesh.
Ajo ka takuar edhe senatoren amerikane, Jeanne Shaheen dhe ka theksuar vendosmërinë për të thelluar partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin me SHBA-në.
Po kështu, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë takuar edhe senatorin amerikan Robert Menendez, të cilin e kanë falënderuar për mbështetjen për Kosovën.
Menendez, i cili është kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme i Senatit Amerikan, së fundmi u shpreh kundër presionit amerikan ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në një deklaratë në një ngjarje të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane më 12 shkurt, ai u shpreh se nuk pajtohet me qëndrimet e fundit të shprehur nga Derek Chollet, këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit, për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit. Sipas tij, Kosovës i duhet njohja reciproke nga Serbia për të arritur paqe afatgjate dhe jo ndarje nëpërmjet Asociacionit. Ai ka thënë se SHBA-ja duhet të ketë qasjen që fillimisht të kërkojë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Menendez është shprehur në disa raste si përkrahës i Kosovës e së fundmi premtoi edhe mbështetje për të siguruar njohje nga vendet mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian.
Presidentja Osmani ka njoftuar në rrjete sociale se Menendezin e ka takuar të shtunën në Munih.
“E lumtur që u takova me senatorin Menendez. E falënderova për mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës dhe përkushtimin për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe”, ka shkruar Osmani.
Qeveria, ndërkaq, ka bërë të ditur edhe për një takim mes Kurtit e Menendezi. Bazuar në të, të dy kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe fuqizimin e mëtejmë të tij.
“Në takimin e mbajtur sot në kuadër të Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin për rezultatet e deritanishme të qeverisë, me theks te sundimi i ligjit. Po ashtu, e falënderoi senatorin Menendez për mbështetjen aktive të tij ndaj Kosovës në Senatin amerikan. Folën edhe për procesin e dialogut, raportin me Serbinë dhe propozimin evropian, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Menendez për qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe konstruktivitetin e treguar përgjatë tërë procesit”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani, ndërkaq, ka takuar edhe homologen e saj sllovene, Natasha Pirc Musar.
Sipas njoftimit të lëshuar pas takimit, të dyja kanë diskutuar për partneritetin, rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen e Sllovenisë për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike.
“Bashkëpunimin e ngushtë me Slloveninë do ta vazhdojmë edhe gjatë mandatit të Presidentes së re Natasha Pirc Musar. Në Mynih, diskutuam forcimin e partneritetit tonë, bashkëpunimin për të kontribuar në paqe të qëndrueshme në rajon e më gjerë, si dhe mbështetjen për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike”, ka shkruar Osmani.