Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja. Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën. Kjo parti ka bërë të ditur se dekretin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDramë e re me aktorë të vjetër
Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit në seancën e jashtëzakonshme të enjten vonë, presidentja Vjosa Osmani e nxori mëngjesin e së premtes dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Nëpërmjet një konference shtypi, Osmani tha se moszgjedhja e presidentit të ri deri në mesnatën e 5 marsit e ka shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ky dështim, ajo tha se ka qenë i kalkuluar dhe i ideuar mirë nga njerëz, të cilët i quajti të papërgjegjshëm.
“Natyrisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për të kryer detyrën e tyre kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, ka arsyetuar Osmani.
Me nxjerrjen e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, Osmani tha se e ka kryer detyrimin e saj kushtetues dhe se për këtë është mbështetur në nenet 82 dhe 86 të Kushtetutës. Neni 82 cek se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh, nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti. E ai 86 specifikon se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Osmani theksoi po ashtu se rasti i dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet pengesë për shpërndarjen e Kuvendit.
“Edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese, unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, në mbrojtje të këtij dekreti i cili është detyrim”, është shprehur ajo.
E tek foli për zgjedhjet e reja, Osmani ngriti dilema për tentim të zvarritjes së tyre.
“Pyetja që duhet bërë nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato. Pra, pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve. Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë që të dëgjohet qartë zëri i tyre. Ata kanë nevojë po ashtu për qartësi. Kanë nevojë për institucione që funksionojnë e jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia”.
LVV-ja e quan kundërkushtetues dekretin e Osmanit

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Ky subjekt politik e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani. Në një konferencë për media, në Vetëvendosje kanë thënë se vendimi i presidentes për ta shpallur të përfunduar mandatin e Kuvendit është arbitrar dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Në kërkesën e saj drejtuar Kushtetueses, ashtu si në atë parapraken të dërguar mbrëmë në mesnatë, Vetëvendosje ka kërkuar caktimin e masës së përkohshme për t’i kufizuar efektet dhe pasojat nga vendimi i presidentes.
“Jemi dëshmitar që shpërndarja e Kuvendit sot paraqet një akt të paprecedent, i cili bie ndesh me rendin tonë kushtetues dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akti i tillë sot në mëngjes”, ka deklaruar Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.
Në Vetëvendosje insistojnë se kanë afat edhe 59 ditë që ta zgjedhin presidentin, duke iu referuar nenit 82 të Kushtetutës, i cili flet për shpërndarjen e Kuvendit.
Ky nen thotë se Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës.
“Sot jemi në ditën e parë të afatit 60-ditor. Ende pa u bërë 24 orë, edhe 59 ditë procedurë që Kuvendi të përpiqet që ta zgjedhë presidentin e Republikës, ne kemi dekretin për shpërndarje të Kuvendit”, ka theksuar deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.
Jokushtetues vendimin e Osmanit e ka vlerësuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai e ka cituar nenin 86 të Kushtetutës që thotë se Kuvendi shpërndahet nëse asnjëri kandidat nuk i mbërrin 61 vota në rundin e tretë.
“Ne nuk kemi mbërritur ende atje, dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as rundi i parë lëre më i treti”, ka thënë Kurti.
Sipas tij shpërndarja e Kuvendit do të bëhej vetëm nëse ishte dështuar rundi i tretë. Ai përmend edhe nenin 82 i cili përcakton afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit nga dita kur ka nisur procedura e që sipas tij i njëjti mbyllet me 5 maj, e jo më 5 mars.
“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.
Ish-kryetari i Kushtetueses: Veprimet e Osmanit përligjin rrënimin e rendit kushtetues
Në linjë me LVV-në dhe liderin e saj sa i përket kushtetueshmërisë së dekretit janë deklaruar edhe njohës të çështjeve juridike e politike.
Enver Hasani, profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese vlerëson se presidentja është përzierë në kompetencat e Kuvendit.
“Nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, sigurisht që anulohet, sepse është jokushtetues fund e krye. Në këtë rast, presidentja Osmani i ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Askush nga jashtë, asnjë organ nga jashtë nuk mund ta shpërndajë në mënyrë autonome Kuvendin e Kosovës, përveç vetë Kuvendit, në rast të dështimit të tij për të realizuar vullnetin e sovranit”, ka theksuar Hasani.
E, publicisti Veton Surroi e ka quajtur të nxituar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pa i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese ta trajtojë kërkesën e LVV-së për masën e përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit që e dërgoi të enjten në mesnatë.
“Gjykata Kushtetuese nuk kishte as obligim dhe as mundësi reale të mblidhej gjatë natës për të dhënë një qëndrim paraprak mbi kërkesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë për pranueshmërinë e saj apo për mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme. Megjithatë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mund të kishte pritur së paku përfundimin e orarit të punës së Gjykatës. Në këtë mënyrë, vendimi mori pamjen e një akti të nxituar”, ka deklaruar Surroi.
Opozita diskuton me Osmanin për datat e zgjedhjeve, LVV-ja nuk shkon në takimin konsultativ

Pas nënshkrimit të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani nuk ka vonuar shumë dhe i ka mbledhur në takim partitë politike për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Në takim nuk i shkoi kryetari i Lëvizje Vetëvendosje, pasi ky subjekt e ka konstestuar vendimin për shpërndarje të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë mbledhjes, 5, 12 dhe 19 prilli u përmendën si data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve.
E pas saj, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se presidentja veproi në përputhje me Kushtetutën, ndërsa shtoi se përgjegjësia për situatën e krijuar i takon Vetëvendosjes, si partia më e madhe.
Ai e shprehu gatishmërinë e PDK-së për zgjedhje, ndonëse ato i quajti të panevojshme.
“Zgjedhjet janë totalisht të panevojshme, janë të lodhshme edhe për qytetarët e Kosovës, janë të kushtueshme edhe për reformat dhe të gjitha zhvillimet e tjera, përtej që e kanë edhe një kosto financiare. Por, asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president, në përjashtim partia fituese. Gjithë bashkë ne nuk kemi mundur të zgjedhim presidentin. Lëvizja Vetëvendosje me cilëndo prej subjekteve politike ka mundur t’i japë vendit president”, ka deklaruar Hamza.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh i gatshëm për zgjedhje në cilëndo datë që presidentja e cakton organizimin e tyre.
“Kurdo që presidentja vlerëson për afatin kushtetues të rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, ka thënë Abdixhiku.
E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e kritikoi mospjesëmarrjen e Kurtit në takim, tek tha se ftesave të tij deri tash opozita u është përgjigjur pozitivisht. E për subjektin e tij tha se po tallet me procese kushtetuese.
“Askush nuk i ka faj Vetëvendosjes për sjelljen e tyre dhe për ato që ja kanë sjellë vendit. Kjo situatë që ka ardhur është rezultat i tyre edhe ata është dashur që të vijnë në këtë takim dhe t’i thonë pikëpamjet e tyre qofshin të kundërta. Sa i përket datat, janë opsion datat prej 5, 12 dhe 19 prill, mund të ketë edhe data tjera varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar sepse e kuptojmë se tash jemi në autopilot nuk ka më askush kompetenca përpos Kushtetutës”, ka theksuar Haradinaj.
Në takim, pos Vetëvendosjes, nuk mori pjesë as Lista Serbe dhe disa përfaqësues të subjekteve politike nga grupi multietnik.
Për konsultimet e partive politike me presidenten për çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve ka reaguar ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani. Sipas tij ato janë “fiktive dhe jokushtetuese”, dhe kanë për qëllim të përligjin rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani.
Qartësi nga Kushtetuesja për zhvillimet e fundit institucionale ka kërkuar Instituti Demokratik i Kosovës. Në një reagim të premten, KDI-ja ka shprehur keqardhje për mungesën e përgjegjësisë politike dhe institucionale për arritjen e një marrëveshjeje për çështje të rëndësishme.
KDI-ja thekson se situata aktuale mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme dhe për këtë arsye i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që, në përputhje me rolin e saj si gardiane e rendit kushtetues, të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar dhe të ofrojë interpretim të qartë kushtetues para zhvillimit të procesit zgjedhor.
Ndërkombëtarët shprehin keqardhje për zhvillimet e fundit
Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate kanë bërë thirrje në Ambasadën e Italisë dhe të Gjermanisë.
Ambasada gjermane ka thënë se e mbështet Kosovën në rrugën drejt integrimit euroatlantik, porse për këtë duhen institucione plotësisht të konstituuara dhe të qëndrueshme.
E ajo e Italisë ka thënë se shpreson që të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe konstruktive që e tejkalon ngërçin aktual.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se po i përcjell me keqardhje zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
“Po i vëzhgojmë me keqardhje zhvillimet e fundit. Tani po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.
Krerët e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë në ditët e fundit në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, mirëpo nuk është arritur asgjë.
Presidentja Osmani e pati bërë të ditur se synon edhe një mandat si presidente, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush në Kuvend, madje as Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte vota të mjaftueshme për t’i kandiduar dy figura për këtë pozitë.
LVV i ka 57 ulëse në Kuvend ndërsa për të kandiduar një figurë nevojiteshin 30 nënshkrime.
Partia ka thënë në orët e vona të 4 marsit se i ka ofruar Osmanit 30 nënshkrime, mirëpo që ajo nuk ka pranuar. Më vonë Presidenca ka thënë se këto pretendime janë gënjeshtra.
Në rritje e sipër të paqartësive, Osmani i ka nisur në pasditen e 5 marsit disa amendamente për shqyrtim në Kuvend që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë nga populli dhe jo nga Kuvendi.
Në konferencën për media të 6 shkurtit, ajo ka thënë se ato amendamente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë.
“Arsyeja është e thjeshtë, vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojnë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.
Ato amendamente janë hartuar mbi një dekadë më parë dhe e kanë marrë dritën e gjelbër të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo nuk janë jetësuar kurrë.
Vota të mjaftueshme për miratimin e tyre nuk ka pasur as më 5 mars.
Rexhepi: Seanca për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, ndër më absurdet
Kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, e ka quajtur ndër më absurdet ndonjëherë, seancën e Kuvendit të Kosovës të enjten për propozimet e presidentes Vjosa Osmani për ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjidhet me votë direkt nga populli.
Ky inicim u bë në ditën e fundit kur duhej të zgjidhej presidenti, teksa Osmani futet në muajin e fundit të mandatit. Në procedurë të përshpejtuar Komisioni për Legjislacion i miratoi amendamentet e propozuara që prisnin prej vitit 2011. Seanca u mbajt, por nuk pati kuorum pasi ndryshimet kushtetuese kërkojnë 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, përfshirë 2/3 e votave të minoriteteve.
E të premten, Osmani e shpërndau Kuvendin që dështoi të zgjidhte një president të ri një ditë më parë.
“Ajo që ndodhi dje për mua ishte jo aq befasuese sa dëshpëruese. Për shkak të formës se si u paraqit, por edhe si përfundoi. Sot në mëngjes pamë presidenten që në fjalim tha se si duhet të respektohet Kushtetuta, sa është me rëndësi të mos nënçmohet, por e shohim se si një ndryshim kushtetues filloi me një status Facebooku, që logjikisht nuk pati diçka serioze në të, përveç si përgjigje ndaj dëshpërimit që erdhi si pasojë e dëshpërimit të saj pse VV-ja nuk e nominoi për presidente. Një iniciativë e tillë përmes një statusi në Facebook është nënçmuese për Kushtetutën, shtetin. Amendamentimi i Kushtetutës do të duhej të ishte procesi më i rëndësishëm që ndodh në një shtet. Si qytetare u ndjeva paksa e nënçmuar”, ka thënë ajo në Specialen në KTV të premten.
Sipas Rexhepit, dëshpërimi u thellua kur kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ktheu po ashtu përgjigje nëpërmjet Facebookut duke e paraqitur këtë nismë si “përplasje rrjetesh sociale”.
Për seancën në Kuvend, ajo ka thënë se “ishte një prej seancave më absurde ndonjëherë”.
Çështjen, sipas Rexhepi, me seriozitet e trajtonin vetëm deputetët e PDK-së, Bedri Hamza e Përparim Gruda. Ajo ka thënë se edhe paraqitja e Lumir Abdixhikut të LDK-së ishte “as andej, as këndej”. Ndërkaq deputetin e Vetëvendosjes, Vigan Qorrolli e ka cilësuar si me paraqitje “jobindëse”. Rexhepi e ka kritikuar për arrogancë e qasje joparlamentare edhe udhëheqjen e seancës nga kryeparlamentarja Haxhiu.
“Shumë dëshpëruese”, ka thënë tutje ajo.
Ndërkaq arsyetimin e Osmanit të premten kur e shpërndau Kuvendin, se iniciativa e djeshme ka qenë me qëllim për të hyrë në fuqi pas 5 vjetësh, Rexhepi e ka cilësuar të pasinqertë.
“Mjaft e pasinqertë duke marrë parasysh se ka mundur ta niste para 4-5 vjetësh. Ndër ditët më dëshpëruese të përfaqësuesve të institucioneve tona”, ka thënë ajo.
Rexhepi ka shtuar se çështja e presidentit gjithmonë ka qenë problematike në Kosovë. Madje sipas saj, në thelb te zgjedhja e presidentit ekziston diçka jologjike.
“Është kontradiktë kushtetuese ose e idesë së presidentit që përfaqëson njëfarë lloj uniteti apolitik por në anën tjetër është produkt i marrëveshjeve mes partive politike. Gjithmonë jemi bërë kinse po bëjmë një president apolitik që unifikon, por kurrë s’ka qenë ky rasti. Gjithmonë e kemi mahsturar veten. Ka pasur pazare të ndryshme. Çdo mënyrë e zgjedhjes së tij është vënë në funksion për të arritur te një rezultat me të cilin jemi vetëmashtruar”, ka thënë ajo.
Alijaj: Negociatat për president duhej të nisnin shumë më herët
Analisti politik Artan Alijaj ka deklaruar se negociatat politike për zgjedhjen e presidentit është dashur të fillonin shumë më herët, duke kritikuar vonesat dhe mungesën e vullnetit për arritjen e një konsensusi.
Sipas tij, fakti që çështja tashmë ndodhet në shqyrtim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës tregon se procesi politik ka dështuar të gjejë zgjidhje në kohë.
Për pretendimet se afati 60-ditësh duhet të ishte llogaritur para se të arrihej dita e fundit për zgjedhjen e presidentit, Alijaj theksoi se Kuvendi nuk ka qenë i konstituuar për ta respektuar këtë afat kushtetues. Sipas tij, një logjik e shëndoshë do të thotë se afati do të duhej të fillonte të numërohej nga 12 shkurti.
Sipas analistit, liderët politikë – veçanërisht kryeministri Albin Kurti – është dashur të angazhoheshin më herët në negociata për të arritur marrëveshje për presidentin.
“Liderët politikë, kryesisht Kurti, është dashur të negocionte shumë më herët. Nuk është dashur të pritej kaq gjatë”, ka thënë ai në KTV.
Alijaj kritikoi edhe mënyrën se si është menaxhuar procesi institucional, duke thënë se është ndjekur një renditje ku fillimisht është trajtuar konstituimi i Kuvendit, më pas qeveria dhe buxheti, e vetëm në fund çështja e presidentit.
Sipas tij, këto procese kanë mundur të zhvilloheshin paralelisht dhe me një proces më transparent e substancial të negociatave politike.
Ai theksoi se situata aktuale është rezultat i mungesës së vullnetit për konsensus dhe i konfliktit politik mes partive.
“Kjo është një lloj kaosi i shkaktuar nga klasa politike, kryesisht rezultat i konfliktit politik dhe i mungesës së disponimit për të ofruar zgjidhje”, u shpreh Alijaj.
Fetahu: Procedura për zgjedhjen e presidentit ka nisur, por jo në përputhje me Kushtetutën
Avokati Faton Fetahu ka deklaruar se procedura për zgjedhjen e presidentit të vendit ka filluar, por sipas tij, nuk është zhvilluar në përputhje me dispozitat kushtetuese.
Fetahu ka theksuar se, sipas interpretimit kushtetues, fillimi i procedurës për zgjedhjen e presidentit nuk lidhet me votimin në raundin e parë apo të dytë në Kuvend.
“Në pikëpamje të Kushtetutës, nga leximi i paragrafit 3, fillimi i procedurës nuk nis me votimin e raundit të parë apo të dytë. Fillimi i procedurës, në bazë të kësaj norme kushtetuese, nënkupton sigurimin e dy kandidaturave me nga 30 nënshkrime”, ka thënë ai.
Sipas Fetahut, megjithëse procedura ka nisur, ajo nuk është zhvilluar në përputhje me Kushtetutën, prandaj situata mund të interpretohet sikur procedura nuk është zhvilluar fare, ose sikur ajo është zhvilluar, por ka përfunduar me dështimin e zgjedhjes së presidentit.
Kryeministri Albin Kurti gjatë konferencës së sotme këmbënguli se neni 82, paragrafi 3 i Kushtetutës i jep 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin. Ky nen thotë se brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nëse nuk zgjidhet presidenti atëherë shpërndahet Kuvendi. Kurti ka konsideruar se me seancën e mbrëmshme, kjo procedurë ka nisur. Rasti do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Përplasje” Kurti-Osmani nëpërmjet këshilltarëve
Përderisa presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti nuk kanë përdorur emrin e njëri-tjetrit në kritikat gjatë ditës së premte, gjuhë më të ashpër ka pasur nga këshilltarët e tyre.
Të premten, presidentja shpërndau Kuvendin me arsyetimin se ka kaluar afati për zgjedhjen e presidentit të ri. Qeveria dhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kritikuan dekretin. Partia e Kurtit paralajmëroi se do ta çojë dekretin në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo çështje solli reagime të shumta nga akterë të ndryshëm në rrjete sociale.
Jeton Zulfaj, këshilltar i Kurtit, nëpërmjet një reagimi në Facebook akuzoi Osmanin për verbërim për pushtet. Zulfaj nuk e pranoi si të vërtetë deklaratën e Osmanit se “nuk e ka bërë për vete” dërgimin në Kuvend të amendamenteve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit me votë direkt nga populli.
“Mbrëmë, disa orë para fillimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, Presidentja Vjosa Osmani i dërgoi Kryetares së Kuvendit amendamente për ndryshimin e Kushtetutës. Presidentja Vjosa Osmani i ka plot pesë vjet që është zgjedhur presidente dhe, nëse do të shtyhej nga vullneti i mirë për republikën, këtë veprim mund ta bënte shumë më herët, në mënyrë që sot të ishim në kohë për zgjedhjen e presidentit nga populli. Pse nuk e bëri këtë me kohë? Sot në konferencë paska thënë që “nuk e kam bërë për vete”. Po pse atëherë në ditët e fundit? Nëse veprimi i saj nuk ka qenë për të gjetur një zgjidhje për veten e saj në këtë kohë, por për një president të ardhshëm për vitin 2031, atëherë ky duket veprim i kotë, sepse këto procese mund t’i niste presidenti i ardhshëm qysh në fillim të mandatit të tij apo të saj. Por e vërteta është tjetër. E vërteta është se zelli për pushtet si duket është aq i madh sa edhe vërbues dhe nuk lejon të shohësh pjesën ku amendamentet hyjnë në fuqi vetëm pas gjashtë muajsh”, ka shkruar ai.
“I njëjti zell dhe vërbim e shtyri sot të bëjë gabimin e radhës, duke i veshur vetes një pushtet që nuk i takon. Pas pesë vitesh që Vetëvendosje i dha rastin të shërbejë në pozitën më të lartë të shtetit, në vend që ta përfundojë mandatin me dinjitet, ajo si akt të fundit zgjodhi shkeljen e Kushtetutës dhe sulmin ndaj subjektit që e bëri presidente. Trashëgimi e pandershme”, ka shkruar më tej Zulfaj.
Ndërkaq shefja e stafit të Osmanit, Learta Hollaj, pa përmendur ndonjë emër, akuzat për “verbërim pushteti” i cilësoi si mungesë tolerance për njerëzit që mund të interpretojnë ndryshe Kushtetutën.
“Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë. Ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji. Presidentja vetë ka thënë se e mirëpret dërgimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese dhe se çfarëdo vendimi do ta respektojë. Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie”, ka shkruar ajo po ashtu në Facebook.
Në konferencën e mëngjesit, kur njoftoi për shpërndarjen e Kuvendit Osmani tha se fajtorë janë “njerëz të papërgjegjshëm me qëllim të rrezikshme”. Kjo u interpretua si deklaratë për Kurtin, ndërsa Kurti në konferencën e pasdites pyeti gazetarët se “përse po mendoni se është fjala për mua”.
Luzha: Legjislaturë e paaftë për të garantuar funksionalitetin e institucioneve
Analistja politike Besa Luzha ka shprehur zhgënjim për, siç e cilësoi ajo, paaftësinë e legjislaturës aktuale dhe të klasës politike për të gjetur zgjidhje dhe për të garantuar funksionalitetin e institucioneve, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Sipas Luzhës, si mazhoranca ashtu edhe opozita kanë mbetur në qëndrimet e tyre, pa bërë hapa drejt kompromisit politik.
“Jam shumë e zhgënjyer me paaftësinë e kësaj legjislature dhe kësaj klase politike për të mos gjetur zgjidhje, e cila ka qenë e mundshme, dhe për të garantuar funksionalitetin e institucioneve tona. Edhe mazhoranca, edhe opozita, kanë qëndruar në pozicionet e tyre pa shkuar drejt kompromisit”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.
Ajo theksoi se përgjegjësia më e madhe bie mbi subjektin që ka më shumë fuqi politike në vend, duke iu referuar Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas saj, kjo parti ka gabuar duke insistuar që kandidati për president të vijë nga radhët e saj.
“Përgjegjësinë më të madhe e ka ai që ka më së shumti forcë politike, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje. LVV-ja ka gabuar që ka insistuar dhe ka pranuar të vendosë një propozim që është nga subjekti i tyre”, u shpreh Luzha.
Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje është dashur të marrë iniciativën për të thirrur një tryezë politike, ku sipas saj do të mund të gjendej një emër konsensual për zgjidhjen e situatës.
BE: Keqardhje për zhvillimet e fundit
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se po i përcjell me keqardhje zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Të premten, presidentja Vjosa Osmani e shpërndau Kuvendin me arsyetimin se deri më 5 mars nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri. Vendimi u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje që paralajmëroi dërgimin e dekretit në Gjykatën Kushtetuese.
“Po i vëzhgojmë me keqardhje zhvillimet e fundit. Tani po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.
AAK-ja pezullon zgjedhjet e brendshme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pezulluar zgjedhjet e brendshme. Sipas një njoftimi për media, Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ka marrë vendimin për “t’u përqendruar plotësisht në procesin zgjedhor nacional”.
Në një komunikatë për media, është thënë se vendimi është marrë me votë unanime.
Pezullimi i zgjedhjeve të brendshme të subjektit të katërt më të madh shqiptar në Kosovë, do të jetë në fuqi deri dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, bëhet e ditur në njoftim.
Po ashtu, Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së ka diskutuar planin e partisë për zgjedhjet, pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin të premten. Shtabi Qendror Zgjedhor i AAK-së do të udhëhiqet nga nënkryetari Ardian Gjini.
Muaj më parë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pati bërë të ditur se nuk do të kandidojë për një tjetër mandat në krye të partisë dhe se postin pritej ta merrte Ardian Gjini.
KDI-ja kërkon qartësim urgjent nga Gjykata Kushtetuese për situatën institucionale
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit institucionale në vend, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të ofrojë qartësi urgjente lidhur me situatën aktuale kushtetuese.
Në një reagim të premten, KDI-ja ka shprehur keqardhje që përfaqësuesit politikë në Kuvend nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht krizave të njëpasnjëshme gjatë vitit të fundit. Sipas tyre, mungesa e përgjegjësisë politike dhe institucionale për arritjen e një marrëveshjeje për këtë çështje të rëndësishme rrezikon ta fusë vendin në një situatë të paqartësisë kushtetuese.
KDI-ja thekson se situata aktuale mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme dhe për këtë arsye i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që, në përputhje me rolin e saj si gardiane e rendit kushtetues, të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar dhe të ofrojë interpretim të qartë kushtetues para zhvillimit të procesit zgjedhor.
Sipas KDI-së, në një demokraci kushtetuese është thelbësore që veprimet e institucioneve, të cilat mund të prodhojnë pasoja të mëdha politike dhe institucionale, të mbështeten në interpretim të qartë të Kushtetutës. Ata vlerësojnë se proceset që prekin funksionimin e institucioneve dhe zgjedhjet eventuale nuk duhet të zhvillohen në kushtet e paqartësisë kushtetuese.
Tutje, KDI paralajmëron se çdo vonesë në interpretimin e Kushtetutës krijon pasiguri juridike, institucionale dhe politike.
Kurti: Zgjedhjet e përsëritura nuk janë zgjidhje
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje. Në një konferencë për media, pasi e quajti jokushtetues dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, Kurti tha se nuk pret ndryshime të mëdha në rast se mbahen zgjedhjet e reja.
“Po shoh edhe zell për zgjedhje të reja, që do të na marrin kohë më shumë. Nuk shoh prej tash se si mund të jenë zgjidhje. Duhen 80 vota për zgjedhjen e presidentit. Nuk mund të presim që të fillojmë zgjedhjet e reja në fushata të përsëritura ku tash duhet të themi se unë i marrë 80 deputetë së paku. Nuk është çështja te 61-shi, por te 80-shi. Nuk besoj që zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje, do të jenë vazhdimësi e agonisë legjislative institucionale në përgjithësi, që është e panevojshme përveç se e padrejtë. Zgjedhjet do të kushtonin 10 mln euro për ta përsëritur rezultatin. Mund të ketë lëvizje të vogël, por s’shoh diferenca të mëdha. Po e presim aktgjykimin që për brenda këtyre 60 ditëve ta përmbyllim procesin e zgjedhjes së presidentit”, ka thënë Kurti.
Ai ka refuzuar të komentojë mundësinë që presidentja Vjosa Osmani të hyjë në zgjedhje.
VIDEO: Konferenca e plotë
Kurti: Dekreti për shpërndarje të Kuvendit – jokushtetues
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja apo jo. Ai ka thënë se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin është jokushtetues.
“Dekreti për shpërndarjen nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, ka thënë ai.
Vetëvendosje ka njoftuar se do ta dërgojë dekretin në Kushtetuese.
Osmani e shpërndau Kuvendin me arsyetimin se dështoi zgjedhja së presidentit deri më 5 mars. Kurti ka thënë se procesi nuk ka mbërritur në rundin e tretë, që do të çonte në zgjedhje automatikisht.
“Mirëpo ky proces nuk arriti ta konsumojë as rundin e parë pasi munguan të gjitha deputetët e partive opozitare dhe partia e cila vazhdon të dirigjohet nga Beogradi. Të gjithë e keni parë mbrëmë pamjen e seancës, kush ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër nuk ishte sepse nuk erdhi. Asnjë deputet që mungoi nuk ka njoftuar kryetaren për arsyen e mungesës, prandaj është lënda në Kushtetuese. Është detyrë e deputetëve ta kryejnë detyrën e tyre për siç i ka zgjedhur populli, të vijnë në vendin e tyre të punës dhe aty të marrin pjesë dhe të votojnë. Ndodhemi në një situatë kur unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje pa e thënë fjalën e fundit Kushtetuesja. Ata kanë një materie që duhet ta analizojnë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.
Kurti ka thënë se vetëm pas dështimit të rundit të tretë të votimit do të mund të shkohej në zgjedhje.
Ai ka thënë se janë 60 ditë kohë për të shmangur zgjedhjet.
Kurti e ka komentuar edhe deklaratën e presidentes Vjosa Osmani se zgjedhjet u shkaktuan nga “njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme”. I pyetur për këtë çështje, ai ka thënë se nuk e di pse iu ka shkuar mendja tek ai.
“Nëse zonja presidente s’ka folur me emra, nuk e di pse iu ka shkuar mendja tek unë. Nuk e di që jemi të përmendur, por nëse kishte të drejtë, përgjigjen duhet ta kërkoni te ajo që e ka thënë. Të papërgjegjshëm kanë qenë ata që nuk ishin mbrëmë në seancë”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun, për qasjen konstruktive gjatë bisedimeve për çështjen e presidentit.
“Qasja e kryetarëve të opozitës është ndryshe prej vitit 2025. Atmosfera është konstruktive, diskutimet janë korrekte, i falënderoj për këtë qasje të re Hamzën dhe Abdixhikun. Tash edhe takohemi edhe bisedojmë. Edhe kur s’jemi takuar në tri ditët e fundit, kemi komunikuar me telefon – nuk ekziston ndërmjetësuesi, flasim vetë. Atmosfera e mirë nuk garanton marrëveshje. Ata nuk ma thanë asnjë emër. Presidenti është emër i përveçëm”, ka thënë Kurti.
VIDEO:
Abdixhiku shprehet i gatshëm për zgjedhje: Kurdo që presidentja e vlerëson
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se nuk është caktuar datë zyrtare për zgjedhjet, megjithatë deklaroi se LDK-ja është e gatshme.
“Patëm diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidentja e vlerëson, në afatin kushtetues të rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku, raportoi EO.
Kryetari i AAK-së paraprakisht dha tri data të mundshme për zgjedhjet që janë diskutuar në takim. Si opsion ka dhënë datat prej 5-12-19 prill, por që mund të ketë edhe datë tjetër.
Hamza: Osmani veproi me përgjegjësi, por edhe vendimi i Kushtetueses i pranueshëm për PDK-në
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit që e ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet e veta, por se ka shtuar se megjithatë për PDK-ja do të pranojë çdo vendim që Gjykata Kushtetuese do të nxjerrë për këtë çështje.
Pas takimit të thirrur Osmani, për caktimin e datës së zgjedhjeve Hamza, ka deklaruar se nuk ka pasur vullnet nga VV-ja që vendit t’i japë president.
“Ne e shprehem qëndrimit tonë, ne e dimë që janë dërguar disa shkresa, se a do t’i trajtojë Gjykata Kushtetuese si të pranueshme apo të papranueshme, çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese ka qenë gjithmonë i respektuar dhe i zbatuar nga PDK-ja. Besoj që presidentja i ka analizuar mirë veprimet e veta, ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e veta, megjithatë vendimi i Kushtetueses është i pranueshëm për PDK-në”, ka theksuar Hamza.
Ai ka thënë se zgjedhja e presidentit historikisht në Kosovë ka ndodhur me marrëveshje politike
“Shpreh keqardhjen qe kemi ardhur deri këtu, nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë se një alternativë, përgjegjësia i bie normalisht partisë fituese, partisë më të madhe sepse ka mundur t’i japë vendit president ... Ne si PDK kemi qenë mjaftueshëm konstruktiv dhe të hapur dhe kemi bërë të gjitha përpjekjet që vendit t’i japim president, nuk kam vendosur vija të kuqe ndaj asnjë subjekti”, ka deklaruar Hamza.
VIDEO: Deklarata e plotë e Hamzës dhe Haradinajt pas takimit
Haradinaj: 5, 12 ose 19 prilli datat e mundshme për zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten ka dhënë tri data të mundshme për zgjedhjet.
“Janë opsion datat prej 5-12-19 prill, mund të ketë edhe datë tjetër”, ka thënë ai para mediave.
Ai ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mospjesëmarrje në takim, ashtu si edhe adresimin e kësaj partie në Gjykatën Kushtetuese për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit të premten.
“Ndjesi e keqe ishte mospjesëmarrja e VV-së. Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e tyre. Mosardhje e tyre sot është një lloj fyerje për vendin, institucionet. Kurtit iu kanë përgjigjur në takime kryetarët e partive opozitare një nga një dhe shumë herë ka pasur konsulta. Mosardhja e tyre sot nuk është në rregull. Adresimi në Gjykatë Kushtetuese është një fyerje në vete, tallje, hajgare me proceset”, ka theksuar Haradinaj.
VIDEO: Deklarata e plotë e Haradinajt dhe Hamzës pas takimit me Osmanin
Gjermania: Për përparim në integrime evropiane, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme
Gjermania e ka theksuar rëndësinë e konstituimit të të gjitha institucioneve për rrugën integruese të Kosovës.
Në një përgjigje Ambasada gjermane në Kosovë ka deklaruar se për të arritur përparim Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme.
“Gjermania vazhdon të jetë mike dhe partnere e fuqishme për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Për të arritur përparim në këtë rrugë, na duhen institucione plotësisht të konstituuara dhe të qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në përgjigje.
Ambasada e Italisë: Shpresojmë në zgjidhje të shpejtë dhe konstruktive për çështjen e presidentit
Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në vend sa i përket presidentit.
Nga kjo ambasadë është thënë se shpresojnë që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për ta tejkaluar bllokadën aktuale politike.
“Po i ndjekim me vëmendje të madhe zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe me disa shqetësime, veçanërisht dështimin për të zgjedhur presidentin e Republikës. Shpresojmë sinqerisht që të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe konstruktive, duke i lejuar vendit të ecë përtej ngërçit aktual dhe të rifokusohet në avancimin e reformave shumë të nevojshme dhe prioriteteve të përbashkëta”, thuhet në reagimin e ambasadës për KOHËN.
Nis takimi i presidentes me krerët e partive politike, s'merr pjesë VV-ja
Ka nisur takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësuesit e partive politike, të cilin ajo e ka thirrur për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Në takim kanë shkuar krerët e partive politike PDK, LDK e AAK. Vetëvendosja ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë pasi e ka vlerësuar kundërkushtetues dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvednit, rrjedhimisht edhe takimin për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Presidentja Osmani të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.


VV: Shpërndarja e Kuvendit, kundërkushtetuese
Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar kundërkushtetues dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, derisa ka insistuar se që nga mbrëmja e 5 marsit ka hyrë në fuqi afati 60-ditor që përcaktohet në Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit.
Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se shpërndarja e Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën, derisa njoftoi se sot, 6 mars, LVV do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes. Me kërkesën e Qeverisë sot në 14:00 ka qenë e ftuar një seancë për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë rreth 100 milionë euro projekte me interes të qytetarëve”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Nagavci ka shtuar se Vetëvendosja ka bërë çfarë ka pasur në dorë për të shmangur edhe një palë zgjedhje.
“PDK-ja insistonte se posti i presidentit u takon atyre ndonëse kishin 22 vota në Kuvend. Kur u pyetën për emrin, nuk e bënë publik. Edhe PDK edhe LDK kanë refuzuar të propozojnë kandidat të tyre. Edhe presidentja Osmani nuk pranoi nënshkrimet e LVV duke kërkuar që kandidatura e saj të bëhej vetëm me garantim të rezultatit dhe votave të gjithë deputetëve tanë”, potencoi ajo.
Ndërsa nuk ka përmendur emër konkret, Nagavci ka thënë se “ne kemi qenë të vetëdijshëm që ka shumë palë dhe grupe të interesit që u ka penguar mbështetja e madhe e qytetarëve për LVV-në dhe Kurtin”.
Ndërsa Adnan Rrustemi ka thënë se Osmani mandatin e saj 5-vjeçar po e mbyll më shkelje të rëndë kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës ka pasur plotësisht bazën kushtetuese për t’u përpjekje për ta zgjedhur presidentin në përputhje me procedurën që ka filluar mbrëmë, edhe 59 ditë, për më shumë kemi edhe 59 ditë, data më e hershme eventuale për shpërndarje të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshëm do të ishte 4 maji”, është shprehur Rrustemi.
Sipas tij kjo parashihet në nenin 82, paragrafin 3 të Kushtetutës.
“Madje paradoksalisht siç e thotë edhe dekreti i presidentes për të shpërndarë Kuvendin në bazën kushtetuese në krye të aktit, i referohet paragrafit 3 të nenit 82, që thotë se Kuvendi shpërndahet nëse dështon të zgjedh presidentin e Republikës brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, ka theksuar Rrustemi.
Ai ka thënë se presin që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshëm, par siç ka theksuar, ndaluar dhe kufizuar pasojat e këtij dekreti.
Fetahu: Dekreti i Osmanit kushtetues, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre
Avokati Faton Fetahu, ka vlerësuar se është “fakt i pakontestueshëm se ka dështuar zgjedhja e presidentit brenda afatit prej më së voni 30 ditëve para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale”.
Po ashtu, sipas Fetahut, që ka qenë përfaqësues i PDK-së në të gjitha rastet që kjo parti i ka dërguar në Kushtetuese, është fakt i pakontestueshëm se afati 60-ditor për zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit, sipas nenit 82 (3), “ka filluar të rrjedhë nga data 5 janar dhe ka përfunduar dje, më 5 mars 2026”.
“Presidenti nuk është zgjedhur dhe, për pasojë, në mënyrë automatike vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Prandaj, dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i dështimit për ta zgjedhur Presidentin sipas afateve të mësipërme, është plotësisht kushtetues”, ka shkrua Fetahu në Facebook.
Sipas tij zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre.
Surroi: Vetëm Kushtetuesja vendos për zgjedhje të parakohshme, dekreti i Osmanit i nxituar
Publicisti Veton Surroi ka reaguar pasi që presidentja Vjosa Osmani të premten ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendi dhe ka ftuar partitë politike në takim për të caktuar datën e zgjedhjeve.
Sipas Surroit Kosova mund të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ai ka thënë se nëse kjo mundësi është e madhe, e vogël apo fare e papërfillshme, kjo është çështje që mund ta përcaktojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës. “Asaj i takon të vendosë nëse Kuvendi i Kosovës është ende në proces kushtetues të zgjedhjes së Presidentit apo nëse afati për këtë proces tashmë ka përfunduar”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se përderisa ekziston kjo paqartësi juridike dhe përderisa gjykimin përfundimtar e ka vetëm Gjykata Kushtetuese vendi nuk ka nevojë për vendime impulsive.
“Më 5 mars në mbrëmje Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë urgjente për të diskutuar ndryshime kushtetuese, pas procedimit të papritur dhe urgjent që Presidentja e vendit ia bëri Kryetares së Kuvendit. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë më shumë kohezion shoqëror dhe konsensus politik se çdo vendim tjetër që merr Kuvendi, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit. Trajtimi me urgjencë i amendamenteve kushtetuese, të dakorduara para njëmbëdhjetë vjetësh, tregoi mungesë serioziteti për një çështje të një rëndësie të veçantë”, ka shkruar ai.
Ai e ka vlerësuar të nxituar dekretin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në mëngjesin e 6 marsit mbetet një veprim i nxituar përderisa ekziston një çështje pranë Gjykatës Kushtetuese që mund të përcaktojë nëse procesi për zgjedhjen e Presidentit është ende brenda afatit kushtetues. Në situata të tilla, prudenca institucionale do të kërkonte që të pritej sqarimi juridik”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk kishte as obligim dhe as mundësi reale të mblidhej gjatë natës për të dhënë një qëndrim paraprak mbi kërkesën e parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, qoftë për pranueshmërinë e saj apo për mundësinë e vendosjes së një mase të përkohshme. “Megjithatë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mund të kishte pritur së paku përfundimin e orarit të punës së Gjykatës. Në këtë mënyrë, vendimi mori pamjen e një akti të nxituar”, ka shkruar Surroi.
Ai ka vlerësuar se kurdo që të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë lëndë apo për ndonjë çështje tjetër që mund të shtrohet rreth kësaj materieje, vendi do të ketë qartësinë juridike të nevojshme.
“Nëse Gjykata konstaton se ende ekziston hapësirë kushtetuese për të mos shkuar në zgjedhje, atëherë përgjegjësia bie mbi partitë politike që të krijojnë kohezionin dhe konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit që do të përcaktojë Gjykata. Në të kundërtën, duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme”, ka shkruar ai, duke shtuar se cilido që të jetë përfundimi juridik i kësaj çështjeje, Presidentja e vendit dhe partitë politike do të ndihmonin situatën duke shmangur një fjalor që thellon më tej polarizimet politike dhe shoqërore.
Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve nga ora 13:00
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, sot në orën 13:00, konfirmuan nga Presidenca.
Presidentja Osmani të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në konsultime.
Kurse, LVV-ja nuk do të marrë pjesë në takim, pasi anëtari i saj Adnan Rrustemi ka thënë në një konferencë për media se takimi i sotëm më partitë politike për datën e zgjedhjeve dhe vendimi eventual për datën e zgjedhjeve janë në kundërshtim me Kushtetutën. LVV-ja kundërkushtetues e ka quajtur edhe dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Kurti nuk deklarohet për media
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media lidhur me vendimin e presidentes Vjosa Osmanit që të shpërndajë Kuvendin.
Pas homazheve në Prekaz te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në nder të Epopesë së UÇK-së, Kurti ka thënë se për këtë do të flasë më vonë në Prishtinë.
Osmani të premten ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit pasi në seancën e mbajtur të Enjten deputetët nuk kanë arritur që të zgjedhin presidentin e ri.
Çitaku: Ambicia e shfrenuar e LVV-së për kontroll total të institucioneve po e çon vendin në zgjedhje
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se përgjegjësinë për dështimin e zgjedhjes së presidentit e ka Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo e ka akuzuar këtë parti për siç ka thënë, ambicie të shfrenuar për kontroll total të institucioneve.
“Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh. Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
“Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, ka shkruar tutje Çitaku.
Ambasadorët e QUNIT-it në Qeveri
Ambasadorët e vendeve të QUNIT-it kanë qëndruar të premten në ndërtesën e Qeverisë.
Aty janë parë duke u larguar nga ndërtesa, ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë njoftim për ndonjë takim, raporton EO.
Vendet e QUINT-it janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.
Ata kanë qëndruar në Qeveri në kohën ku presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur konferencë dhe ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi të enjten deputetët kanë dështuar ta zgjedhin presidentin e ri.
Abdixhiku: Apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e mbështet dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Ai ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrjen në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për tentim-kapje të pozitave shtetërore.
“Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual”.