Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që të themelohet një gjykate speciale ndërkombëtare për hetimin dhe për gjykimin e krimeve të njohura si “turizmi i snajperëve” në Sarajevë, duke përmendur se në këtë fenomen ka pasur rol edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në fjalimin e mbajtur me rastin e konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare, të organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë në 18-vjetorin e Pavarësisë, Kurti ka theksuar se bazuar në informatat në qarkullim, gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90 persona të ndryshëm kanë paguar shuma parash për të qëlluar me snajperë civilë boshnjakë nga kodrat përreth qytetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë me snajper në qytetin e rrethuar. Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, ka thënë Kurti konferencës me temë: “Nga Lufta drejt rimëkëmbjes”.
Ai ka shtuar se e ashtuquajtura “shtëpia e verdhë” për trafikim organesh në Shqipëri, nuk ka ekzistuar kurrë dhe e ka cilësuar atë si pjesë të një narrative hibride kundër UÇK-së dhe Shqipërisë.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Kurti ka theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, si përgjigje ndaj “një regjimi shtypës dhe represioni sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës”.
“Seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë. Në kuadër të dhomave të specializuara, në një proces gjyqësor i cili ende është në zhvillim e sipër dhe do ta ndjek rrugën e vet ligjore deri në përfundim. Ai nuk mund dhe nuk do të ndryshojë një të vërtetë themelore historike, se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe për mbijetesë. Ky proces nuk mund ta vë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës sonë. Lufta çlirimtare e popullit shqiptar në Kosovë, nuk ishte një projekt pushteti apo ambicie territoriale”, ka thënë ai.
E, drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, ka thënë gjatë konferencës shkencore se ky organizim synon që ta thellojë dialogun shkencor dhe ta zgjerojë perspektivën mbi hulumtimet e krimeve të luftës, duke ofruar analiza të thelluara dhe qasje ndërdisiplinare për pasojat afatgjata të luftës.
“Punimet që do të prezantohen gjatë ditëve në vijim janë përzgjedhur nga një proces rigoroz akademik. Do të pasqyrojnë qasje historike, politike, juridike, sociologjike e psikologjike ndaj traumës së luftës dhe procesit të rimëkëmbjes. Konferenca jonë synon që të dokumentojë të kaluarën dhe të kontribuojë në prodhimin e njohurive të reja”, ka theksuar Hetemi.
Arben Hajrullahu, i cili është rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), ka bërë të ditur se institucioni që ai e udhëheq do të kontribuojë në sensibilizimin e brezave të rinj për historinë.
“Dy profesorë e 18 profesorë të UP-së morën pjesë në projekte të MKRS-së dhe mblodhën informata në terren për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, me qëllim që këto krime të dokumentohen dhe të mos harrohen”, është shprehur ai.
Konferenca e hapur në përvjetorin e shpalljes së shtetit të Kosovës do të përmbyllet më 20 shkurt.