Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja jep afat 34 ditë për presidentin, dekreti i Osmanit s'prodhon asnjë efekt juridik

Presidenti i Kosoves

Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i konstituar më 11 shkurt nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion, brenda së cilës duhej përfunduara procedura për zgjedhjen e peridentit, afat ky i përcaktuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës (Foto-Ilustrim)

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kushtetuesja i ka shpallur të pranueshme kërkesën e kryeministrit Albin Kurti në emër të Qeverisë dhe atë të Arbërie Nagavcit në emër të 30 deputetëve dhe ka konstatuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. 

Gjithashtu ka konstatuar se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës 34 ditëshe, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 

Aktgjykimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit (sot).

Në përfundimin e nxjerrë në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se afati i përcaktuar në pikën 2 të nenit 86 të Kushtetutës, që përcakton se zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, “është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, i njëjti nuk mund të relativizohet”. 

Megjithëkëtë Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i konstituar më 11 shkurt nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion, brenda së cilës duhej përfunduara procedura për zgjedhjen e peridentit, afat ky i përcaktuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës. 

“Megjithatë, duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur ‘nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës’, Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

Si rrjedhojë, Gjykata ka ritheksuar se interpretimi i saj lidhur me afatet kushtetuese të përcaktuara me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit, ashtu siç është specifikuar në paragrafët 153-162 të këtij Aktgjykimi, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjedhjes së Presidentit në të ardhmen, përkatësisht procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Gjithashtu Gjykata ka konstatuar se vendimi i saj për vendosjen e masës së përkohshme ndaj punës së Kuvendit dhe dekretit të Osmanit, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi. 

 

Kusari-Lila: E rëndësishme që të ketë kompromis për zgjedhjen e presidentit

57 min. më parë / 25 mar 2026 18:11
Mimoza Kusari-Lila

Photo: Driton Paçarada

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pas vendimit të gjykatës Kushtetuese, e cila i ka dhënë afat shtesë prej 34 ditësh Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, është e rëndësishme që të ketë kompromis mes partive politike për zgjedhjen e presidentit.

“Është shumë e rëndësishme që e para Kuvendi të vazhdojë punën, e dyta që të ketë një kompromis dhe dakordim mes forcave politike për zgjedhjen e presidentit ... Derisa vazhdojnë negociatat për një person konsensual, besoj që mund të vazhdojmë me agjendën legjislative”, është shprehur ajo Kusari-lila në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.

E pyetur nëse Glauk Konjufca do të jetë kandidati i Vetëvendosjes për president ajo ka thënë se është herët të flitet dhe se do të shihet mundësi e mbështetjes nga opozita.

“Kjo është shumë e hershme, do shihet si është disponimi dhe mundësia e mbështetjes nga opozita, besoj se duhet t’i kthehemi tavolinës dialogimit mes subjekteve. Kurti udhëheq diskutimin edhe me kryetarin e PDK, LDK. Mesa kemi parë nuk ka pasur diskutim me AAK-në, qëndrimi i tyre ka qenë paksa i çuditshëm sepse as nuk kanë qëndruar në sallë dhe kanë thënë se nuk do enë aty për të votuar. Duhet pasur një diskutim të gjerë dhe seriozitet se çka po rrezikohet me stabilitetin e vendit nëse shkohet në zgjedhje”, ka theksuar Kusari-Lila.

E shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se Kushtetuesja ka konfirmuar se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin ishte kundërkushtetues. Ajo ka thënë se ditët në vijim do të ketë angazhim nga të gjithë për zgjedhje të presidentit të ri.

“Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale. Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh. Gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohemi të gjithë për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, të cilat janë të panevojshme dhe të padrejta”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

E këshilltari ligjor i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Blerim Sallahu, ka thënë se “ndihet krenar dhe shumë i lumtur” që u rrëzua dekreti dhe tha se ai ishte pjesë shumë e rëndësishme në rrëzimin e dekretit të cilin e ka cilësuar kundërkushtetues e “me tendenca të përmbysjes së rendit kushtetues”.