14 vjet pas miratimit të aktit më të lartë juridik e politik të shtetit, udhëheqës të institucioneve kanë rikujtuar rëndësinë e garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të vendit. Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, në shënimin e kësaj dite, mes tjerash, ka përmendur shkeljet që i janë bërë këtij dokumenti ndër vite dhe ka kërkuar zbatim dhe respektim të plotë të Kushtetutës dhe vendimeve të gardianit të saj
14 vjet më parë, Kosova u bë me dokumentin bazë të shtetësisë dhe aktin më të lartë juridik, i cili garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi. Në përvjetorin e saj, udhëheqësit politikë të vendit potencuan vlerën dhe rëndësinë e Kushtetutës për zhvillimin dhe ligjshmërinë e shtetit. Adresuan edhe thirrje për respektimin e saj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi ka kujtuar sakrificën e dhimbshme të popullit për liri.
“Në përvjetorin e Kushtetutës, sikurse edhe çdo ditë tjetër, duhet të veprojmë, të sillemi e të ecim, siç thuhet në aktin më të lartë juridik: ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin, i cili buron nga populli dhe i takon popullit”, ka shkruar Osmani.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të angazhohen për jetësimin e të drejtave dhe lirive që burojnë nga kjo Kushtetutë.
“Me rëndësinë e tillë që ka, përherë e dëshirojmë që ajo të jetë e plotë, në frymën e saj demokratike; e paimponuar, në frymën e vetëvendosjes së popullit; e zbatueshme, në frymën e qytetarisë së lirë e të barabartë. Mbetet ta mbrojmë e ta avancojmë, ta forcojmë e ta respektojmë Kushtetutën, sepse nga aty mbrohet dhe garantohet Republika”, ka shkruar Haxhiu.
Por Mazllum Baraliu, profesor dhe njëherësh ekspert i çështjeve juridike e kushtetuese, ka theksuar se dokumenti jo rrallëherë është shkelur duke ndikuar kësisoj në rënie të qeverive, të presidentëve dhe në zgjidhjen apo moszgjidhjen e çështjeve të caktuara.
“Marrë në tërësi, Kushtetuta deri më tani edhe ka pasur rëndësi të jashtëzakonshme, por edhe është shkelur dhe nuk janë respektuar vendimet e saj. E kjo thjesht ka paraqitur edhe pengesa, barriera në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror politik dhe ekonomik të Kosovës”, ka thënë Baraliu.
Vërejtje ka pasur edhe për gardianin e dokumentit. Ka numëruar gabimet që pandeh se janë bërë në zbatimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës, ndërsa ka porositur që të kihet kujdes në zbatueshmërinë dhe pranueshmërinë e vendimeve të marra.
“Kur e dimë se çfarë vendimi, çfarë mënyre është bërë për shembull toka e dy ndërmarrjeve shoqërore të paraluftës, gjatë luftës, në kohën e Millosheviqit, nga regjimi i Millosheviqit, pjesë e një strukture kishtare dhe tani përkrahas gjykatave të rregullta edhe Gjykata Kushtetuese merr pjesë në një vendim i cili jo vetëm që nuk zbatohet, por po të zbatohej do të shkaktonte precedent të pashembullt, të dëmshëm për Kosovën, dhe është i pazbatueshëm”, ka rikujtuar ngjarjet profesori universitar. “Ose rasti i punëtorëve të fabrikës së gypave në Ferizaj, që është po ashtu i pazbatueshëm, ose rasti i ‘Drenica 1’, ku ka të bëjë me një çështje e cila në fakt nuk është zbatuar as deri më tani, pra vendimet e tilla, edhe të ndonjë tjetër, edhe të logos të Komunës së Prizrenit, apo të ndonjë tjetër do të duhej që ta bëjnë shumë më të përgjegjshme Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqtarët që janë aty”.
Nëpërmjet një konference për media, Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë se gjatë këtij viti ka shkelur disa herë Kushtetutën.
“E atë duhet ta mbrojmë sidomos kur shkelet nga pushteti. Qeveria Kurti në këtë një vit ka arritur që ta shkelë disa herë Kushtetutën e Kosovës. Rasti i parë ishte me këshillin pavarur të shërbyesve civilë, e rasti më i freskët është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ku është vlerësuar se është shkelur kushtetuta nga MASHT-i”, ka deklaruar Tahiri.
Ndër hartuesit e Kushtetutës e cila u miratua më 9 prill 2008, ishin personalitetet Arsim Bajrami, Eqrem Kryeziu, Gjylieta Mushkolaj, Hajredin Kuçi, Ylber Hysa, Iljaz Ramajli, Kadri Kryeziu, Mahir Yagcilar, Nekibe Kelmendi, Ramë Manaj.
Pjesa më e madhe e Kushtetutës së Kosovës rrjedh nga Plani i ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaarit. Ajo e përcakton Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale karshi fesë teksa përbëhet nga 14 kapituj dhe 162 nene.