Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Gjilan ka kritikuar qeverisjen komunale për mospunë dhe papërgjegjësi komunale. Shefi i grupit të asamblistëve LDK-së në Gjilan ka thënë se kuvendi komunal dhe disa sektore janë në prag të kolapsit.
Një sërë kritikash janë hedhur të shtunën ndaj qeverisjes komunale në Gjilan nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Drejtuesit lokalë të kësaj partie kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje e cila qeverisë me komunën po tregohet e papërgjegjshme karshi projekteve duke bërë që disa sektorë të vihen në prag të kolapsit.
Gresa Avdiu, këshilltare e LDK-së në Gjilan, kritikoi pushtetin lokal për paaftësi për të udhëhequr seancat e rregullta të kuvendit komunal.
“Kuvendi është bllokuar, projektet janë bllokuar. Edhe dy ditë jemi në muajin e 11-të, ndërsa ende në Kuvend nuk është raportuar mbi punën e gjashtëmujorit të parë të kryetarit të Komunës. Në sirtarë po presin temat dhe kërkesat e qytetarëve tanë, të cilat më nuk janë as relevante të ngrihen për shkak se ka kaluar edhe koha e tyre kur është dashur të merren parasysh”, ka thënë ajo.
E Drenushë Maloku, këshilltare për arsim nga kjo parti, tha se nuk është realizuar asnjë projekt infrastrukturor.
“Po ta analizojmë infrastrukturën ligjore në arsim, ne mund të krahasohemi me shumë vende që sot radhiten në teste ndërkombëtare të diturisë dhe kjo është si rezultat i punës së palodhshme dhe profesionale të qeverive të kaluara e jo të kësaj që sot po qeveris me 51 për qind e që për këtë infrastrukturë ligjore ka filluar të zhbëjë duke kthyer vlerësimin e nxënësve nga tri perioda në dy gjysmëvjetore, e cila të kujton vitet ‘90 për të cilën ka pasur analiza dhe vlerësime se është e tejkaluar”, ka thënë Maloku.
Edhe Avdyl Aliu, shef i grupit të LDK-së në Gjilan, e ka quajtur shqetësuese faktin e mosjetësimin të shumë projekteve nga qeverisja lokale.