Qindra qytetarë kanë protestuar në sheshin kryesor të Prishtinës të shtunën, duke kërkuar drejtësi për popullin palestinez në kohën kur Izraeli ka miratuar planet për okupim të plotë të qytetit të Gazës në Rripin e Gazës.
“Sot është dita ndërkombëtare e popujve autoktonë. Dhe ne e dimë se jemi popull autokton që kemi jetuar në këtë vend me shekuj. Padyshim që na takon që ne të jemi zëri sot për një popull autokton siç është populli palestinez. S’jemi as si parti, as si lëvizje, as si ideologji, por si qenie njerëzore që nuk zgjedhin pushtetin, por jetën. Jemi për të dënuar çdo dhunë e për të qenë zë i çdo fëmije, pa dallim feje, etnike a ideje. S’mund të heshtim kur fëmijët janë viktima”, ka thënë njëri prej folësve në këtë tubim.
Protesta u përcoll me thirrjet “Liri për Palestinën” dhe “Liri për Gazën”.
Në posterët që kanë qarkulluar tash e disa ditë, është thënë se organizatorët janë shoqëria civile.
Protesta të tilla ka pasur në shumë vende të botës. Në disa shtete kanë qenë protesta masive. Sidoqoftë, Izraeli pavarësisht kundërshtimeve nga shumë fuqi perëndimore, nuk është tërhequr nga planet e tij. Një ditë më parë, madje kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu miratoi një plan pesëpikësh për ofensivë të re ushtarake në enklavën palestineze, me cak kontrollin e plotë mbi qytetin e Gazës.