Afrim Hoti, brenda kësaj jave ka ardhur në Prishtinë nga Mitrovica, për një vizitë mjekësore të bashkëshortes së tij.
Ai teksa mban në duar udhëzimin e mjekut për kryerjen e një CT-je, tregon për shqetësimin që hasi në Klinikën e Radiologjisë në QKUK.
“Kemi një hall, kam shoqen prej kanceri, e onkologu e ka udhëzuar të bëjë CT. Tash erdha këtu për të bërë terminin, më caktuan për ta kryer më 10 gusht të këtij viti”, ka thënë Hoti.
Disa pacientë prapa kamerës kanë treguar se termini për kryerjen e një rezonance magnetike iu është caktuar për në shkurt të vitit 2023.
Brenda kësaj klinike, është vendosur një sportel i veçantë për caktimin e terminëve, në të cilin hynë e dalin me dhjetëra pacientë gjatë ditës, të dhënat e të cilëve janë vendosur në disa fletore.
Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se kanë krijuar një grup profesional përmes të cilit synojnë që brenda vitit të zvogëlojnë deri në 50% kohëzgjatjen e pritjes. Ai tregon se është sfidë e madhe operimi me vetëm dy rezonanca magnetike.
“Deri në fund të vitit ne mendojmë të kemi rezonancën në spitalin pediatrik të ri dhe në Spitalin e Pejës dhe një rezonancë tjetër jemi duke parë mundësitë që të blejmë përmes MSH-së me Onopsin për Spitalin e Prizrenit dhe synimi ynë është që të bëjmë 5 rezonanca dhe me këtë mendojmë që përfundimisht të zgjidhen nevojat e pacientëve dhe nuk do të këtë më lista të pritjes as për këtë shërbim”, u shpreh Krasniqi.
KOHA gjatë muajit shkurt ka raportuar se pacientët presin deri në një vit edhe për kryerjen e koronarografisë dhe vendosjen e stentave.
Sipas Krasniqit, vetëm brenda tre muajve janë realizuar 800 koronarografi me vetëm dy aparatura në dispozicion.
“Janë duke punuar me kapacitete të plota dhe me aktivitete të përshpejtuara në këtë drejtim dhe unë jam shumë i sigurt që viti 2022 do ta bëjë kthesën më të madhe për sa u përket listave të pritjes në vendin tonë. Aktualisht është duke u bërë mbindërtimi në Spitalin e Prizrenit për laboratorin e kateterizimit, ku edhe aty planifikojmë të kemi aparate të koronarografisë në mënyrë që të bëjmë pak decentralizim të këtyre shërbimeve dhe të kemi të paktën edhe një aparat më shumë të koronarografisë për këto qëllime”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka njoftuar se edhe në Klinikën e Ortopedisë janë duke u ndërtuar 4 salla të reja të cilat do të mundësojnë më shumë shërbime edhe në këtë klinikë.
E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në seancën e Kuvendit ka deklaruar se janë 10 mijë pacientë në pritje për shërbime të ndryshme.