Xhezide Alija i ka mbijetuar tri luftëra. Ka varrosur tre fëmijë të saj. Por kurrë nuk është dorëzuar. Ka shpëtuar edhe prej dy aksidenteve të trafikut. “Iu thashë këtyne si në hajgare se kur po jam unë në kerr, po shpëtoni gjallë edhe ju”, thekson me qeshje plaka 105-vjeçare. Kokën e kthen kah i biri, Remziu, me djalin e të cilit, Valonin, ishte në makinë të shtunën e javës së kaluar kur pësoi aksidentin e dytë.
“Me pa kerrin qysh është shkatërru, nuk beson se të katrit kanë shpëtuar vetëm me pak shtypje të trupit”, shton Remziu në tarracën anash shtëpisë në fshatin Dardani të Ferizajt, shkruan Koha Ditore.
Aksidenti ka ndodhur në fshatin Bibaj përgjatë rrugës Ferizajt-Gjilan. Familja e gjerë Aliu po kthehej nga një darkë e organizuar nga nipat mërgimtarë. “Edhe në Francë lokja ka qenë në kombi kur ëhstë rrëzuar me shtatë persona derisa po shkonin nga Zvicra te vëllai Nuhiu në Francë se pat organizu një ndejë se ka firmë të madhe”, thekson Remziu.
“Kam hjek boll në jetë, por qysh m’i kanë ba djemtë renet, as në xhenet nuk është ma mirë”, thekson plaka me ton serioz. Kur dëshiron ta fuqizojë edhe më fort rrëfiin, përbehet me “pasha dekën”.
Fort rëndë e ka përjetuar vdekjen e djalit të dytë, Hysniut (66), para dy vitesh. “Veç s’kam pas çka baj se kur diq Hysnia, me pas mujtë, me të kisha hy në vorr. Thashë: ‘O Zot ruma menën’. Tjetër nuk kam lyp”, thekson lokja Xhezide. Nipi, Liridoni, ia fshin lotët.
Nusja 14 vjeçe, dhëndri 57
“Ka pasur jetë të vështirë nana”, thotë Remziu, para se lokja të fillojë të rrëfejë kronologjikisht jetën e saj prej më shumë se një shekulli. Në rastet kur lokja s’i mban dot lotët, Liridoni ngrihet në këmbët dhe me dy duart ia fshin sytë e përlotur. Xhezide Alija i është mirënjohëse, sikur se përsërit disa herë gjatë bisedës, “të lumit Allah” për shëndetin fizik e mendor, por edhe më shumë për të mirat që po i gëzojnë pasardhësit e saj.
Por shumicën e jetës së saj, vuajti shpirtërisht prej fatkeqësive e skamjes. Nuk i kujtohet asgjë nga vitet e fëmijërisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Kushte të mjerueshme kishin shqiptarët edhe pas përfundimit të saj, kur Kosova do të sundohej nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene.
Alija ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeçe kur babai nga Stançiqi e fejoi me Sadikun nga Nasala e Gjilanit. Burri i ardhshëm ishte 42 vjet më i moshuar se nusja fëmijë. Gjashtë muaj kishte qëndruar “nër unazë” sa për t’u përgatitur për jetën e vështirë që e priste me burrin çoban.
Cingarja e varur në degën e drunit prapa shpinës nuk ia prish rrjedhën e rrëfimit.
“Kush ka guxu me ia kthy babës fjalën. Tha: Të kam dhanë se Sadikit i ka dekë gruja se nuk po du me prish miqasinë”, tregon ajo, kur pyetet se a ia kishte kërkuar babai pëlqimin. “Ka qenë vendim i prerë”, shton i biri i vogël, Remziu.
Vetëm dy ditë para se të martohej, babai e kishte ftuar që të uleshin dhe t’i tregonte prerazi për detyrat mrtesore. “Shtirë, mirë, dekë, hjekë, mirë, qejf - fjala u kanë e babës. Ka thanë po, edhe u kry. Nuk kam guxu me i thanë s’shkoj”, kujton ajo.
Pak para se ta martonte Xheziden, Sadikut i kishte vdekur njëri prej katër fëmijëve jetimë. Edhe tre kunetëve të Xhezides u kishin vdekur gratë. “I kam gjetë dhjetë jetima të kunetëve. Prej pesëmbëdhjetë vjet e teposhtë”, thekson lokja. “Më i madh djali i madh i kunatit se unë nuse. Një muaj mas martese, i kam ba pesëmbëdhjetë vjet te burri”.
Stupci, “dhuratë” për t’ia rrahur të bijën
Babai e kishte kërcënuar se do t’ia dërgonte dhëndrit një “stupc të ndreqtë me duart e tij” për t’ia rrahur të bijën nëse do të ankohej. “Kam me i thanë me të rreh me sabah me qat stupc deri të thehen dhamtë”, tregon Alija fjalët kërcënuese të babait nëse nusja rioshe nuk do t’u bindej urdhrave të burrit mbi katër dekada më të moshuar.
“Burri ka dekë, unë kurrë s’i kam thanë: Ti plak e unë e re”, thekson ajo. Ende pa ia mbushur katër vjet, do t’i vdiste djali i madh, Shabiu. Sadiku ia kishte lënë emrin e vëllait të tij të ndjerë. Pastaj do t’i vdiste edhe e bija e madhe gjashtëmuajshe. “Ia pat lanë emrin Fazile – emrin e grusë së parë”, kujton ajo.
Familja mezi po siguronte bukën e gojës prej punës fushave e arave që punoheshin me mjete primitive, kur rajoni i Anamoravës do të pushtohej nga ushtria bullgare që ishte aleate e Gjermanisë naziste që kishte pushtuar edhe Kosovën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Komanda e rajonit ishte maje kodrës së fshatit të vogël Nasalë.
Ushtria bullgare, “100 herë ma e fëlliqtë se ....”
“100 herë më të fëlliqtë se ‘shkijet’ janë kanë bugart”, thekson Alija, duke e fuqizuar pretendimin me “kuku çka janë kanë ata!”
“Një pulë me pre për veti, dy tjera u dashke me ua çu atyne. Janë kanë të fëlliqtë, biroo. Katër vjet e majtën bugart atë ven”, shton ajo.
Me fitoren e partizanëve jugosllavë, shqiptarët mendonin se do të vinin vite të qeta e paqësore meqë vazhdimisht propagandonin barazi për të gjithë qytetarët pavarësisht dallimeve etnike. Por menjëherë pas shtrirjes së kontrollit të hekurt të partizanëve të Josip Broz Titos, serbët e udhëhequr nga lideri famëkeq Aleksandar Rankoviq do të nisnin ushtrimin e terrorit mbi shqiptarët e pafajshëm pas Luftës së Dytë Botërore.
“Këta të burrit tem i kanë pas katërdhjetë frymë gja se janë kanë marak n’gja. Ua morën kejt, veç një mështjerrë ia lanë”, thekson ajo.
Cingaren e varur në degë e lëviz era e lehtë.
Kunati i saj kishte vetëm një lopë për t’i ushqyer fëmijët, por serbëve nuk ua kishin zbutur zemrat as përgjërimet e kunatës së Alijës. “Lopa u kanë gati me pjellë. Kunata del u thotë mos me marr lopën se çka me ju dhanë thmive, por për inat, ata e nxjerrin lopën prej ahuri dhe e presin. Shpurthke bre viqi prej barku”, kujton plaka. S’mbahet dot. Liridoni ia shtrëngon edhe më fort dorën.
Me ndhmën e Remziut, lokja tregon se si shqiptarët mundoheshin ta shpëtonin ndonjë thes me grurë nëpër bunare para se të dilnin në terren zyrtarët plaçkitës të regjimit të Rankoviqit. “Po e morën vesh dikah, edhe nisën me i kontrollu kejt bunarat”.
“Ngjallja” e Nuhiut
Skamja e madhe dhe breshëri i madh që kishte shkatërruar në fund të viteve gjashtëdhjetë të gjitha kulturat bujqësore – jetike për banorët – brigjeve të lumit Morava, kishte shtrënguar gruan kryefamiljaren vejushë ta dërgonte të birin 15 vjeç. Nuhiun, të punonte në Francë. Kishte menduar se do të punonte bashkë me kushërinjtë, “por i kishin pas shpërnda pikë e pesë nëpër Francë”.
Dy vjet nuk kishte marrë asnjë lajm për fatin e të birit të mitur në shtetin francez që po rimëkëmbej pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë asaj kohe, nuk i kishte djegur drutë që ia kishte shkurtuar Nuhiu para se të nisej drejt tokës së panjohur.
“Me një sabah, jam çu edhe ia kam nis me kajtë. Thashë: ‘More Allah, qysh më ranove me tana punët’, por masnej thashë ‘nuk ban me u përzi në punë të Allahut’”.
Dhe kur djali i një fqinji e kishte njoftuar një ditë se Nuhiu kishte mbërritur në Gjilan, lokja nuk po mund të besonte pasi i ishte mbushur mendja se “djali ka dekë, bile edhe eshtrat iu kanë kalbë”.
Megjithatë kishte një fije shprese që e ndjente përbrenda. Dy orë kishte qëndruar në pullazin e shtëpisë dykatëshe në Nasalë me shikimin kah Parteshi në pritje të një burri që po ecte larg trup livadheve matanë lumit. Kur pa se djali po i afrohej fshatit, u lëshua shkallëve mobile dhe u ul në bregun e Moravës. “Kur e kam pa anej bregit me kofer, më ra të fikët. Djali e kish pas gju koferin e ka ardh e më ka mëshu faqeve”.
Tri dekada më vonë, tre djemtë, Nuhiu, Hysniu e Remziu, nuk kishin kurrfarë informacione për fatin e familjeve të tyre në krye me loken Xhezide, e cila ishte shtrënguar të largohej nga shtëpitë përgjatë rrugës kryesore kur forcat serbe po fshiheshin nëpër shtëpitë shqiptare pas fillimit të fushatës bombarduese të NATO-s në pranverën e hershme të vitit 1999. Remziu kujton se si dy herë kishin dërguar para nga Franca e Zvicra për t’ua nxjerrë familjet jashtë Kosovës, por paratë avulloheshin nga mashtruesit. Lokja kishte marrë nuset dhe kishte shkuar në fshatin fqinj, Sllatinë, në shtëpinë e babait të njërës prej nuseve. Kishin filluar të mbesnin edhe pa kryp. Një ditë prej ditësh, plaka, atëherë 84 vjeçe, do të vishej me rroba të leckosura që të dukej si plakë rome për të hipur në autobusin e linjës Ferizaj-Gjilan sa për të blerë pes ëkilogram kryp në rrugicat e Gjilanit ku romët bashkëpunëtorë të regjimit serb merreshin me shitjen e mallrave të vjedhura nëpër shtëpitë e dyqanet e shqiptarëve.
“Nana ka hjek shumë”, përsërit Remziu, i cili ka rindërtuar shtëpinë e djegur nga ushtarët serbë, sepse “e kam ndërtuar vetë me gruan dhe është shenjë e luftës”.
Cingarja prapa shpinës së lokës është shenjë mirënjohëse e pasardhësve për sakrificat e nënës dhe gjyshes.
Shtatë herë, djemtë e nipat e kanë marrë për vizita në Zvicër e Francë.
“Nuk kam dashtë me festu ditëlindjen edhe kur djemtë e nipat kanë dashtë me ma festu se kurrë nuk kam mujtë me ua festu thmive të mi. Unë po të kallxoj drejt se ngushtohesha. Më ardhke keq prej fëmijëve”.
I biri Remziu e nipi Liridoni reagojnë me emocione të përziera. Remziu fillimisht përbihet, pastaj qeshet.