Shoqata “Autizmi” në Prishtinë këtë vit punon edhe me 14 fëmijë me asistencë sociale, shpenzimet e të cilëve detyrohet t’i mbulojë përmes shitjes së kartolinave. Kjo pasi në dhjetor të vitit të kaluar përfundoi projekti nga Komuna e Prishtinës që lironte nga pagesa 8 fëmijë në asistencë. Në Komunë thonë se thirrja e radhës për mbështetje pritet të hapet në maj
Nga buxheti i mbledhur përmes shitjes së kartolinave të punuara nga fëmijët me autizëm, shoqata “Autizmi” në Prishtinë synon të sigurojë pagesat mujore për fëmijët që janë me asistencë sociale e me të cilët punon. Kostoja mujore për ta shkon deri në 100 euro.
Në dhjetor të vitit të shkuar ka përfunduar projekti i Komunës së Prishtinës, përmes të cilit ishin liruar nga pagesat 8 nga gjithsej 18 rastet sociale të regjistruara në këtë organizatë. Sivjet janë 14 raste me asistencë sociale dhe asnjë nuk mbështetet nga komuna.
Hatixhe Hoxha, drejtoreshë e shoqatës, thotë se për t’i përballuar shpenzimet janë reduktuar orët dhe ditët, nga pesë në tri ditë në javë.
“Projektet dhe subvencionet prej nivelit lokal po është problemi se disa muaj po mbesim pa mbështetje, edhe kjo është – shteti ose qeverisjet lokale duhet me e pa gjithmonë që lidhshmëria me qenë në vazhdim dhe mos me qenë disa muaj. Për shembull, si të thuash në janar, shkurt e mars derisa të bëhet thirrja e re diku në maj a kur është? Pesë muaj apo gjashtë, fëmija pa marrë trajtim. Domethënë është e dhimbshme. Kemi reduktuar numrin e orëve edhe ditëve. Në vend se ata me qenë pesë herë gjatë javës, ne e kemi bë tri herë”, ka thënë Hoxha.
Në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale të Komunës së Prishtinës thonë se thirrja për aplikim ka qenë e hapur në korrik të vitit të shkuar, porse shoqata nuk ka mundur të aplikonte për shkak të një projekti paraprak të papërfunduar.
Drejtoresha Adelinë Sahiti thotë se zgjidhje për këtë nuk mund të bëhet edhe dy muaj, kur do të jetë thirrja e radhës për subvencionim të organizatave të kësaj natyre.
“Rregull për të marrë pjesë në subvencion, në thirrje, për të aplikuar është që projektin paraprak që e ke pasur me Drejtorinë e Mirëqenies ta kesh të mbyllur. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur me shoqatën ‘Autizmi’, për çka edhe ne jemi ndier keq, por aktivitetet e tyre kanë qenë përtej thirrjes sonë dhe kanë vazhduar deri në dhjetor”, ka thënë Sahiti.
Ajo thotë se Drejtoria për Mirëqenie Sociale ka ndarë rreth 300 mijë euro subvencione apo ndihmesa direkte për ofruesit e shërbimeve sociale në territorin e kryeqytetit.
“Vitin e kaluar organizata apo shoqata ‘Autizmi’ nuk ka aplikuar në thirrjen tonë sepse kanë pasur një projekt i cili ende ka vazhduar dhe për të qenë aplikues sërish i një thirrjeje duhet që projekti paraprak të jetë i mbyllur me dokumentacione dhe me gjithçka tjetër, dhe kështu që kjo nuk ka qenë e mbyllur, por në 2021-tën ne kemi mbështetur shoqatën ‘Autizmi’ me rreth 13 mijë euro, më saktësisht rreth 14 euro i kemi ndarë për këtë organizatë e cila ofron shërbime për fëmijë me autizëm e të cilët janë persona që u përkasin familjeve që janë me asistencë sociale”, ka thënë Sahiti. “Për neve ka qenë pak e dhimbshme pse nuk kanë mundur ta përmbyllnin projektin në tërësi për të aplikuar, por ne kemi mbështetur organizatat e tjera të cilat ofrojnë të njëjtën terapi dhe të njëjtin trajtim për fëmijët me autizëm”.
E drejtoresha e shoqatës “Autizmi” kërkon mbështetje të vazhdueshme dhe përshpejtim të këtyre procedurave.
“Mos të presin tash derisa të përfundojë një projekt që mundet me qenë në dhjetor e ndoshta fillimi i janarit, mbasandaj me kalu edhe disa muaj, sepse ne po duhet ta vazhdojmë punën. Ne nuk mund të shkojmë tash me e mbyllë, as stafin me largu e as me mbyllë qendrën, e as fëmijëve me ju thanë me u kthy në shtëpi. Por neve po na duhet me vazhdu. Plus kur e ke parasysh faktin që këta fëmijë nëse nuk vazhdon me e bë trajtimin atëherë edhe mund të ketë regres ose kthim në pikën zero”, ka thënë Hoxha.
Në Komunën e Prishtinës theksuan se për këtë vit kanë ndarë 350 mijë euro për mbështetje të shoqatave të kësaj natyre. Brenda vitit pritet nënshkrimi i një memorandum-bashkëpunimi mes shoqatës “Autizmi” dhe asaj “Down Syndrom”, për ta saktësuar edhe numrin e fëmijëve me asistencë sociale që do të marrin shërbim.