Arbëri

Muhaxhiri: Kurtit do t’i imponohet një zgjidhje, është në pozitë të palakmueshme

Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se presioni më i madh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është mbi Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, asaj do t’i imponohet një zgjidhje nëse zgjidhjen nuk e bën vetë për zhbllokimin e situatës. 

Muhaxhiri ka shtuar se për bllokadën në Kuvend kanë përgjegjësi edhe partitë e tjera. 

“Kurti është në një pozitë të palakmueshme sepse presioni është shumë më i madh ndaj tij. U detyrua të heqë dorë nga Haxhiu pas 55 tentimeve, por tash është një situatë tjetër. Nëse Kurti nuk shkon të zgjidhja, zgjidhja do shkojë te Kurti. Do t’i imponohet një zgjidhje sepse sa më shumë që kalon koha aq më shumë do të humbë”, ka thënë ai në Interaktiv.

Muhaxhiri ka potencuar se kandidatja e VV-së për kryekuvendare, Donika Gërvalla, nuk ka qenë i duhuri marrë parasysh se ajo nuk i ka as të gjitha votat brenda Vetëvendosjes.  

“Kurti nuk i ka votat, prandaj i duhet votat tjera. Opozita nuk ia falë 4 votat që i mungojnë  dhe kjo natyrisht se imponon një lloj kompromisi. Gërvalla e dimë që nuk përfaqëson asgjë në VV. U pa që nga një kundërshtare e madhe, nuk mund ta propozosh si kryetare sepse nuk e ka përkrahjen as të VV-së”, u shpreh ai.

Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla kanë dështuar të zgjidhen kryeparlamentare në seancën e parë konstituive pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në të dy votimet të mërkurën, kandidatet morën nga 57 vota pro, 56 kundër e nga tri abstenime. Pas dështimit të tyre, seanca është shtyrë për 22 gusht.