Arbëri

Mungesë ndriçimi në “Rrugën B”, qytetarët ndihen të pasigurt

Kalimi i “Rrugës B” në Prishtinë gjatë natës po vlerësohet i rrezikshëm. Kjo pasi aty mungon ndriçimi. Ani se në shtylla janë të vendosura dritat, ato janë jofunksionale dhe qëndrojnë të fikura. Qytetarët dhe banorët e kësaj pjese të kryeqytetit shprehen të shqetësuar për sigurinë e tyre, pasi jo rrallë herë janë shkaktuar edhe aksidente ku kanë pësuar lëndime e kanë humbur jetën disa qytetarë.

Nëpër errësirë, kalimtarët janë të detyruar ta kalojnë rrugën. E, frekuentimi i qytetarëve në këtë pjesë të “Rrugës B” në Prishtinë nuk është i paktë.

Ani se në shtyllat elektrike janë të vendosura një sërë dritash, ato nuk funksionojnë.

Gjendjen e tillë kryeqytetasit po e vlerësojnë të rrezikshme.

“Ndriçimi harrohet, është mungesë, po kalimi dhe shpejtësia që zhvillohet është e jashtëzakonshme. Nuk mundesh me pa, veç në Shqipëri e sheh, edhe këtu në Ballkan. Është shumë e rrezikshme. Ka pasur edhe më herët, po këto pengesa që i kanë bërë, policët e shtrirë apo si i quajnë këta, kanë ndikuar pozitivisht. Mirëpo prapë pas orës 11 – 12 shpejtësia zhvillohet normale”, ka thënë Nazim Ramushi.

“E rrezikshme është. Po, i kanë shkelë në vija të bardha para 4 vjetësh dy vajza. Duhet me pasë ndriçim, nëpër terr qysh me ecë natën. Ditën prapë dritë, sheh njeri larg, por nata është rrezik me dalë… Shumë shpejt vozitin në këtë rrugë. Shumë ka këtu ndeshje, në këtë rrugën këtu”, ka thënë Zehra Hajdarhoxha.

“Po rrezikshëm është qysh jo, edhe ju vetë po e shihni. Ku nuk është rrezik, tregomë së pari. Shumë, shumë, gjithkah, sidomos kjo rruga këtu, e këto rrugicat, s’ka koment”, ka thënë një tjetër qytetare.

Në raportet 24-orëshe të Policisë, jo të rralla janë edhe rastet e aksidenteve në këtë rrugë, me lëndime e humbje të jetës si pasojë.

Në Klinikën Emergjente në QKUK, gjatë këtyre pesë muajve janë trajtuar gjithsej 2 mijë e 180 pacientë.

“Prej 1 janarit deri në fund të muajit maj, në Qendrën Emergjente janë trajtuar gjithsej 2.180 pacientë të aksidentuar. Nga ky numër, 582 kanë pasur nevojë për intervenim kirurgjik nga N.K, K.Torakale, K. Abdominale, K. Spinale dhe shumica nga Ortopedia. 25 prej tyre janë transferuar për tretman të mëtutjeshëm në M.I.Q., 64 janë dërguar në Klinikën e Ortopedisë. 19 në Klinikën e Neurokirurgjisë. 7 prej tyre për fat të keq kanë ndërruar jetë në Qendrën Emergjente (Exitus letalis). Këto 115 raste kanë qenë raste të rënda si politrauma me probabilitet të lartë të invaliditetit. Kurse 467 rastet tjera të hospitalizuara kanë qenë në gjendje stabile”, ka thënë drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.

Njohësi i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se rrugët e frekuentuara prej automjeteve dhe këmbësorëve duhet të kenë nivel të duhur të ndriçimit.

“Pra është një problem i veçantë sa i përket sigurisë rrugore në vendkalimet e këmbësorëve edhe ndriçimit të rrugës. Te ‘Rruga B’ e kemi pa se aty ka raste deri në fatalitete dhe pikërisht është edhe elementet e ndriçimit që duhet me u bë një analizë e tillë edhe duhet me dalë edhe në përfundim se ato vende të cilat janë të ndriçueshme, a janë standarde edhe në qoftë se nuk janë të ndriçueshme, atëherë sigurisht se duhet të merren masat preventive për ndriçimin e tyre”, ka thënë ai.

Për mungesën e ndriçimit në këtë rrugë të kryeqytetit, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara që nga dita e mërkurë.