Për një intervenim të thjeshtë kirurgjik, Klinika e Kirurgjisë Maksillofaciale të mërkurën e javës së kaluar ka kthyer mbrapa pacientët. Dhe, në raportin e lëshuar, si arsye përmendet mungesa e gërshërëve sterile. Drejtoresha e Klinikës mohon të ketë mungesë të tyre, ani se thotë se numri i gërshërëve është i kufizuar dhe se kanë bërë kërkesë për furnizim që nga dhjetori
Një intervenim i thjeshtë kirurgjik nuk është kryer të mërkurën e javës së kaluar në Ambulancën dhe Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale. Bazuar në një raport të lëshuar për një foshnjë që kishte shkuar për të trajtuar perin e gjuhës apo frenolutuminë, thuhet se në mungesë të mjeteve të punës nuk mund të kryhet intervenimi.
Frenolutumina apo peri i gjuhës është intervenim kirurgjik te foshnjat, kur gjuha është e ngjitur dhe i mungon lëvizshmëria. E kjo procedurë, sipas profesionistëve, kryhet për pesë minuta e për të cilën nevojiten vetëm një palë gërshërë sterile.
Një prind i një pacienti ka theksuar se javën e shkuar në Klinikë nuk i është bërë ndërhyrja fëmijës së tij, në mungesë të gërshërëve sterile.
Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Maksillofaciale, Mergime Prekazi- Loxha, teksa thotë se nuk ka qenë në dijeni për këtë raport, mohon të ketë mungesë të gërshërëve.
“Nuk ka mungesë të gërshërëve. Ndoshta ka humbur kualiteti i tyre se janë përdorur me vite e me vite. Vazhdimisht edhe furnizohemi. Por është numri i caktuar i pacientëve në Ambulancën Specialistike edhe numër i caktuar i mjeteve të punës. Kur tejkalohet për shembull numri i pacientëve është e mundur që me mbetë pa gërshërë sterile, ose pa mjete sterile të punës dhe zakonisht pacienti caktohet për ditën e nesërme ose të pasnesërme. Kështu që nuk është se ka mungesë të gërshërëve. Ndoshta duhet të rifurnizohemi me pajisje të reja, por jo që ka mungesë të gërshërëve”, ka thënë Prekazi-Loxha.
Ajo ka treguar se që nga dhjetori kanë bërë kërkesë për furnizim me gërshërë të reja dhe se janë duke operuar me ato mjete që i kanë në dispozicion.
“Pajisjet që përdoren në Kirurgji amortizohen. Vazhdimisht duhet me u furnizu me pajisje të reja dhe në kohën e fundit në Klinikë jemi furnizuar me set protosintezë, që janë pllaka që përdoren te pacientët që kanë thyerje të nofullave. Jemi furnizuar mjaft shumë tash, javën e kaluar, por gjithmonë nevojiten furnizime të tjera”, ka thënë drejtoresha e Kirurgjisë Maksillofaciale.
Në mungesë të mjeteve bazike në këtë klinikë, një qytetar ka theksuar të jetë detyruar që të gjejë alternativa të tjera siç janë klinikat private.
E sipas nenit 4 të udhëzimit administrativ për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike, çdo qytetar ka të drejtë të aplikojë për mbulimin e shpenzimeve për këtë trajtim kur shërbimi i caktuar shëndetësor nuk ofrohet në institucionet publike shëndetësore.
Në Kirurgjinë Maksillofaciale kanë thënë se të gjitha shërbimet i kryejnë në Klinikë dhe se nuk iu nevojitet të lëshojnë dokumente të tilla për referim në klinika jashtë sistemit publik shëndetësor.
Gjatë muajit mars, klinikat e QKUK-së u përballen edhe me mungesën e jodit dhe penjve kirurgjikë, me të cilat u furnizuan pas tri javësh mungesë.
KOHA ka pyetur SHSKUK-në për mungesën e gërshërëve dhe mjeteve të tjera elementare dhe ka kërkuar informacione për kohën kur do të bëhet furnizimi me to. Gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.