Arbëri

Nis puna për rregullimin ligjor të konsumimit të pijeve energjike

Ka nisur puna për projektligjin që rregullon konsumimin e pijeve energjike dhe të pagazuara me sheqer të shtuar. Të mërkurën është mbajtur tryeza e parë e diskutimit për këtë ligj, me pushtetin që ka thënë se duhet të ketë ligj që sanksionon ata që i ekspozojnë fëmijët para pijeve energjike, ndërsa opozitën që ka kërkuar kontroll më rigoroz nga shteti para se të vihet te ligji.

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit, të martën organizuan tryezë diskutimin me temën “Rregullimi ligjor i konsumimit të pijeve energjike dhe të pagazuara me sheqer të shtuar”. Aty u diskutuan praktikat e vendeve evropiane për rregullimin e konsumimit të pijeve energjike nën moshën 18-vjeçare si dhe kequshqyerjen si ndër shkaktarët e obezitetit dhe diabetit.

Kryetarja e komisionit, deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka thënë se përqindja e obezitetit te fëmijët është e madhe dhe potencoi se si komision kanë nisur një iniciativë për rregullimin e kësaj problematike. U tha se duhet ndjekur praktikat më të mira në rajon dhe më gjerë për të hartuar rregullore dhe ligjet vendore. Ndër praktikat më të mira për të ndjekur gjatë diskutimit u përmenden Britania e Madhe, Polonia, Shqipëria.

“Këtë projektligj nuk do ta rregullojmë vet. Kjo është tryeza e parë dhe ky diskutim është bë për ta përshpejtuar këtë. Kemi ftuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Komisionin e Shëndetësisë. Duhet të ketë ligj që sanksionon ata që ekspozojnë fëmijët para pijeve energjike. Duhet vetëdijesuar prindërit se pijet energjike dhe me sheqer të shtuar janë te dëmshme dhe duhet bërë vetëdijesimi i prindërve dhe shkollave”, ka thënë Pacolli.

Image

Ndërkaq deputetja e Partisë Demokratike së Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se nuk duhet të lihet gjithçka te gjobat.

“Produktet duhet të kenë etiketën e përdorimit. Ne kalojmë sot para shkollave dhe i shohim fëmijët duke blerë cigare. Është e ndaluar po as këtu nuk ka pasur efekt ligji. Nuk ka kontroll. Mos të flasim veç për cigare. Nuk jam ithtare e letrave të cilat nuk gjejnë zbatim. Duhet të kemi kontroll dhe mbikëqyrje. Mendoj që duhet të zhvillojmë debate më të gjera. Të kemi këtu edhe prodhuesit e pijeve, edhe ata të na dëgjojnë e të flasin. Prapë po e përsëris jam ithtare e prodhimit të dokumenteve që gjejnë zbatim. Do ta përkrah çdo iniciativë, por është mirë që të shteren të gjitha mundësitë paraprake para se të vijmë te ligji”, ka thënë Musliu.

Ishte Pacolli dhe deputeti tjetër i VV-së, Milazim Salijaj, që në korrik të vitit 2021 patën paralajmëruar se do të iniciohet ligji që ua ndalon fëmijëve blerjen e pijeve energjike.

Pacolli pati marrë për shembull Shqipërinë te e cila ndalohet shitja e pijeve energjike tek personat nën moshën 18-vjeçare, publiciteti në mediat vizive, ofrimi i pijeve energjike nga të rriturit te të miturit, shitja pa verifikim me dokument identifikues dhe përdorimi i tyre dhe reklamimi në institucione arsimore.