Në shkollën fillore “Asdreni” në Pejë, prindi i një nxënësi me autizëm ankohet se ai që nga fillimi i vitit shkollor mban mësimin ndaras nga nxënësit e tjerë. Madje, siç thotë ai, kërkesa e tij për integrim të fëmijës në klasë të rregullt ka çuar në mosmarrëveshje me drejtorinë. Për këtë arsye, ai thotë që fëmijës së tij tani s’i lejohet hyrja në shkollë. Nga drejtoria mohojnë t’ia kenë ndaluar nxënësit ndjekjen e mësimit, tek arsyetojnë se inkuadrimin më të shpeshtë në klasë ia pamundëson, siç thonë, gjendja shëndetësore. Drejtoria e Arsimit në Pejë e quan punë të kryer: fëmija do të kthehet në mësim
I ulur në bankë, në mesin e pesë shokëve dhe shoqeve tjera, L.Q. me përkushtim e mban lapsin në duar dhe shkruan detyrat në fletoren e tij. Pas kësaj, me rrjedhshmëri thotë edhe disa fjalë në gjuhën angleze e bën pyetje e komente edhe në shqip. Të gjitha këto, nxënësi i klasës së parë gjatë mesditës të së premtes nuk i realizoi në shkollë, por në mjedisin e mësimit plotësues.
Gjashtëvjeçari nga Peja ka tri ditë që nuk ka shkuar në shkollë, e as nuk ka mbajtur orën mësimore në klasën e quajtur “Dhoma e miqësisë”. Aty është ndaras nga shokët e shoqet e tij.
Nxënësi i klasës së parë pak kohë pas regjistrimit në shkollën fillore “Asdreni”, u diagnostikua me autizëm. E për këtë arsye personeli i shkollës ka vendosur që orët mësimore ai t’i mbajë larg klasës së rregullt, me arsyetimin se i pengon mësuesen dhe fëmijët e tjerë.
Por, babai i fëmijës, Florian Qoqaj, ka treguar se tash ka ditë që kërkuar nga shkolla që ta inkuadrojnë djalin në klasë të rregullt për t’u socializuar.
Sipas tij, kjo kërkesë nuk është marrë në konsideratë nga drejtoria e shkollës dhe si e tillë, ai thotë të ketë çuar në mospajtime dhe ofendime, për çka thotë se edhe të birit i është ndaluar hyrja në shkollë.
“Kërkesën nuk e ka marrë si diçka dhe ka vazhduar me të veten edhe personalisht ka ofenduar. Edhe unë si prind, normalisht që kam reaguar duke i thënë: ‘Ti si pedagoge, si drejtoreshë e shkollës, nuk duhet të flasësh kështu. ‘Ti s’qenke normal’, ishte fjala e saj dhe unë prej atij momenti nuk e kam vazhduar më me të. Pastaj të nesërmen, djalin kur e ka dërguar në shkollë gruaja, nuk e kanë pranuar dhe i kanë thënë që t’i kërkojë falje, për ta lejuar djalin në shkollë”, ka thënë prindi i gjashtëvjeçarit me autizëm.
Drejtoresha e shkollës, Agime Lajqi, ka thënë se fëmija që nga fillimi është trajtuar konform gjendjes së tij shëndetësore nga asistentja mbështetëse dhe psikologia e shkollës dhe se kanë krijuar kushtet e posaçme për këtë kategori të nxënësve. Lajqi ka thënë se ishte shkolla ajo që vërejti sjellje të ndryshme të fëmijës, dhe kërkoi një vizitë mjekësore, me ç’rast fëmijës edhe i është caktuar diagnoza.
Drejtoresha e shkollës ka treguar se për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollë, kanë kërkuar asistentë mbështetës dhe nëpërmjet donacioneve kanë mundësuar krijimin e dhomave të posaçme për këta fëmijë.
Ka mohuar pretendimet e babait, duke thënë se kanë inkuadruar disa herë fëmijën në klasë të rregullt, por se një gjë e tillë, sipas saj, ka penguar orën mësimore të mësueses dhe nxënësve të tjerë.
“Nuk ka pasur kushtëzim. Prindi ka ardhur i revoltuar, e kuptoj plotësisht. Por, nuk e kuptoj për sjelljet që ka krijuar, nuk e kuptoj për atë që e thotë ai, sepse unë atë ditë e kam kërkuar në zyrë, ka qenë bashkë me djalin. I kam thënë: ‘Eja unë dhe ti, ta ulim së bashku dy minuta të qëndrojë me mua dhe me ty’. Por, ka qenë e pamundur. Ai sinqerisht duhet të kërkojë falje për sjelljen e pahijshme që e ka bërë në raport me shkollën dhe drejtorinë e shkollës, sepse edhe ne jemi njerëz dhe nuk pranojmë që të ofendohemi pa fijen e fajit. E vetmja pengesë është që ai nuk mund të qëndrojë 4 orë apo 5 në shkollë, i bëhet monotone dhe kërkon të shkojë në shtëpi”, ka deklaruar drejtoresha e shkollës “Asdreni”.
Ani se nga drejtoria e shkollës ka thënë se fëmija nuk mund të qëndrojë në një klasë të rregullt dhe në grup, 6-vjeçari, pas orarit të shkollës, ndjek edhe mësimin shtesë tri herë në javë.
Mësuesja Drenusha Radoniqi tregon për aftësitë e këtij nxënësi.
“Fillimisht kemi mbajtur seanca individuale, pastaj kemi vazhduar edhe në grupe. L.Q. në çdo grup ka qenë i dashur me fëmijët dhe nuk ka shfaqur asnjëherë sjellje agresive. Edhe pse ai është në klasë të parë, është mjaft inteligjent, i njeh të gjitha shkronjat, lexon tregime dhe i komenton ato. Është njohës i mirë i gjuhës angleze. Dhe është shumë fëmijë i ndjeshëm”, ka thënë Radoniqi, teksa ka përshkruar nxënësin e klasës së parë.
Për gjithë këtë, babai është ankuar edhe në Drejtorinë e Arsimit në Pejë. Drejtori i këtij dikasteri, Naser Goga, ka pranuar se për këtë çështje ka mosmarrëveshje mes personelit shkollor dhe prindit, porse një gjë e tillë sipas tij, assesi nuk duhet të ndikojë në vijueshmërinë e nxënësit në shkollë.
“Çështja e sjelljes dhe komunikimit në mes prindërit dhe drejtoreshës është një kaptinë në veti. Çështja e fëmijës në shkollë është një kaptinë tjetër, këto të dyja u kam thënë të mos m’i ngatërroni. Sa i përket sjelljes, është dikush tjetër që ka për t’u marrë prej drejtoratit, në mesin e tyre edhe unë se ku janë ato gabimet në komunikim që kanë ndodhur ndërmjet prindit dhe drejtoreshës. Ajo që është kryesore, fëmija do të shkojë në shkollë gjithqysh dhe nuk diskutohet me askënd”, është shprehur drejtori i Arsimit.
Sipas Drejtorisë së Arsimit, kanë ngritur një komision për këtë çështje dhe ekipi vlerësues do të vendosë se si do ta vijojë mësimin fëmija, varësisht prej gjendjes së tij shëndetësore.
Neni 3, paragrafi 1 dhe 3 i ligjit për arsimin parauniversitar, përcakton që asnjë personi nuk guxon t’i mohohet e drejta për arsimim. Mbështetur në të, është obligim i institucioneve arsimore që t’u ofrohet të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor e social.
Edhe sipas nenit 40 të këtij Ligji, parimi i arsimit gjithëpërfshirës nënkupton edhe promovimin e integrimit dhe kontaktin mes fëmijëve.
Ndërkohë, para dy muajsh, edhe në shkollën “Elena Gjika”, në Prishtinë, është raportuar se një nxënëse me autizëm ishte larguar nga shkolla, por pas një rivlerësimi të situatës, është rikthyer pas një jave.
Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht përpara moshës 3-vjeç.