Nebih Balajt i është mundësuar nga profesori tashmë i ndjerë, Rifat Blaku, që në një bodrum në qytetin e Podujevës të sjellë traditën e dikurshme të Llapit...
Çaji shërbehet për të gjithë vizitorët dhe askujt nuk i kërkohet pagesë për këtë. Secili trajtohet tamam sikur mysafiri në odë. Nebih Balaj (1953) është ai që e ka kthyer këtë traditë. Megjithëse jo në shtëpi të vet, atij i është mundësuar nga profesori (tashmë i ndjerë), Rifat Blaku, që në një bodrum në qytetin e Podujevës, të sjellë traditën e dikurshme të Llapit. Në këtë lokal, që i ngjan një muzeu, Balaj që është udhëheqës i shoqërisë kulturore “Flaka e Llapit”, preferon ta quajë “Oda e Llapit”. Dhe për këtë e ka një shpjegim.
“E kemi quajtur kështu, se kur s’kemi pasur as institucione, as shkollë, oda ka qenë edhe një institucion kulturor në atë kohë. Në odë janë kryer të gjitha punët, janë mbajtur kuvendet e mëdha në Llap nëpër oda e nëpër kulla”, nisë rrëfimin Nebih Balaj. “Unë kam lexuar që më 26 dhjetor (1910) në odën apo në kullën e Hys Popovës ngrihet flamuri pas Skënderbeut. E bash katërgjyshi i këtij ku jemi ne sot, haxhi Sadri Blaku e mban kuvendin në odën e Hys Popovës. Për atë e kemi quajtur odë, se janë kryer punë të mëdha në odat e atëhershme. Nëpër oda, në vitet ’80, është mbajtur edhe mësimi”.
Por, kur e kishte ideuar punën e tij, askush thotë të mos i ketë besuar. U është dukur diçka e pamundshme. Ndërsa, sot, gjashtëdhjetë e shtatëvjeçari thotë se ia ka arritur qëllimit të tij. Fillimisht ai preferon të flasë për kohën kur e kishte formuar shoqatën kulturore “Flaka e Llapit” në vitin 2003. Atë vit, në Ditën e Flamurit, më 28 nëntor, thotë se bashkë me tri organizatat e dala nga lufta e kanë mbajtur edhe koncertin e parë në kinosallën e qytetit të Podujevës.
“Pas atij manifestimi të madh e kemi mbajtur koncertin për qytetarë. Po në 2003 kemi marrë pjesë edhe në Festivalin e shoqërive kulturore, që është mbajtur në Kalanë e Prizrenit. Në vitin 2004 prapë kemi marrë pjesë në mesin e 17 shoqërive kulturore në nivel të trojeve shqiptare, ku e kemi fituar vendin e dytë. Kemi qenë një numër i madh i anëtarëve, kanë qenë diku 85 veta, ku janë edhe mirënjohjet që na i kanë dhënë. Kemi punuar duke falënderuar një Ukë Mustafa i ndjerë, baba i doktor Gëzimit, po kështu në një bodrum”, tregon Nebih Balaj fillimin e punës së tij në shoqërinë kulturore. “Më vonë kemi punuar te Samet Arifi në ‘Pranvera ‘99’ edhe kemi bërë një pauzë. Pastaj kemi ardhur në këtë lokal ku jemi sot t’u e falënderuar doktor Rifat Blakun e ndjerë. Me të kemi mbajtur shumë manifestime. Kemi mbajtur manifestimin për Adem Demaçin, për Shaban Shalën, kemi mbajtur tryeza. Kemi ardhur me të e kemi shikuar lokalin dhe më ka konvenuar. Mbas tre ditësh veç kemi filluar punën me grumbullimin e gjërave”.
Në një bodrum në qytetin e Podujevës, Nebih Balaj e ka sjellë traditën e dikurshme të Llapit. Në këtë lokal, që i ngjan një muzeu, Balaj, që është udhëheqës i shoqërisë kulturore “Flaka e Llapit”, preferon ta quajë “Oda e Llapit”. Dhe për këtë e ka një shpjegim
Në këndin përballë hyrjes së lokalit, përreth stufës, Nebih Balaj i ka vendosur ulëset e drunjta që dikur i quanin “shkëmi”, ndërsa në këndin tjetër është oda ku edhe bëhet muzikë e shërbehet çaji. Në mes të lokalit është sofra po ashtu me “shkëmi”. Kurse në anën e djathtë të hyrjes së lokalit janë vendosur gjëra të vjetra, të cilat ia sjellin qytetarët e Podujevës. Diku e ka vendosur briskun e rruazës për rroje e shpatën e mulla Nazifit, pastaj zgjedhën dhe sharrën e drunjtë të poetit Adem Gajtani, tiganin e vitit 1943 të cilin brigadat e Shqipërisë ia kishin dhënë haxhi Latif Llugaliut, hekuri për bukë i nënës së tij, kosherja e bletëve e thurur me thupra prej Sulevicës, etj. Nebih Balaj ia ka shkruar secilit mjet emrin se kush ia ka dhënë dhe i kujt ka qenë.
“Këto gjëra që i kemi janë prej katundeve të Llapit kryesisht. Pothuajse asnjë element që është këtu, nuk është jashtë Llapit. Niset prej Braine deri në Murgullë, Sylevicë, Zhiti e këto fshatrat që i kemi të Llapit, Herticë, Segashë. Kemi elemente të parmenës që unë s’e kam takuar, elemente të vjetra që kryesisht njerëzit në këtë kohë nuk i kanë ruajtur, i kanë gjuajtur nëpër bërllok ose i kanë çuar në hekurishte për t’i shitur me pak centë. Kam shkuar dhe i kam grumbulluar dhe për çdo ditë jemi duke grumbulluar”, tregon Nebih Balaj. “Të gjitha këto çka i patë në këtë lokal, në daçi e quajmë odë që është tradicionale me elemente të Llapit, se tash odat me dalë në rrafshin e Dukagjinit ke oda shumë të shtrenjta me miliona euro. Po këto janë krejt falë prej popullit. Këta qilimat që duken të punuar prej nënave tona e motrave tona i kam marrë nëpër xhamitë e Llapit. Disa i kam marrë në Herticë, disa në Sibofc”.
Aty ngjan edhe me një muze e që vetë Komuna e Podujevës nuk e ka një të tillë. Balaj thotë se në mungesë të muzeut në Llap, ky lokal mund të shërbejë edhe si i tillë.
“Këto partitë politike sa ka qenë fushata të gjitha e kanë përmendur do të jetë një muze në Llap. Nuk ka muze. Ne presim që qeveria e tanishme në mungesë të një muzeu etno-kulturor do të na ndihmojnë. Unë e shoh që vijnë njerëzit me fëmijë që nuk i dinë këto gjëra çka kanë qenë më herët edhe i mësojnë. Mjerisht në Llap nuk kemi as biblioteka. As nuk kemi shoqëri kulturore në Llap. A e di sa shoqëria kulturore ka qenë në Llap edhe në kohë të okupimit, edhe në kohën e monizmit? Tash nuk kemi asnjë shoqëri që funksionon në Llap. Të vetmit jemi ne ‘Flaka e Llapit’ për momentin”, thotë Balaj. “Unë ia kam arritur qëllimit që të funksionojë ky lokal, ky muze, kjo odë me grumbullimin e mjeteve kryesisht të vjetra, elemente që tash nuk i gjen nëpër fshatra. Edhe luftëra i ka djegur”.
Jeta në oda
Nebih Balaj tregon se dikur odat u bënin konak edhe mysafirëve të largët, të cilët mund të mos kishin asnjë lidhje farefisnore me mikpritësin. Por, tash nuk është si dikur. Ai thotë se odat pothuajse janë mbyllur në Podujevë dhe se tash nuk kanë mysafirë si më parë.
“Unë kam shikuar se fjala odë a është turke, po oda kryesisht është një pritje që e ka bërë populli shqiptar. Edhe oda më tepër na ka ardhur në Kosovë prej muhaxherëve. Se muhaxherët i kanë kushtuar rëndësi shumë odës. Tash në kohën e fundit na në Llap kemi pak oda. Edhe ato oda që kanë qenë janë mbyllur, nuk kanë mysafirë, nuk kanë njerëz”.
Balaj e tregon edhe rastin e Nurë Shatrit e Hasan Elbasanit që kishin jetuar nëpër odat e Llapit.
“E kam parë një rrugë në këtë pjesën kah shkon prej Mërçezit që quhet ‘Nurë Shatri’. Nurë Shatri ka qenë pjesëmarrës i ngritjes së Mërçezit edhe të Kulinës, edhe kurrë nuk martohet, nuk krijon familje dhe rri nëpër oda të Llapit. E kanë mbajtur. Unë e mbaj mend edhe Hasan Elbasanin që ka ndenjur nëpër oda në Llap. Si fëmijë unë ia kam hapur varrin Hasanit te varrezat te Tjegullorja. Ka vdekur te Duriqët edhe e kanë mbajtur në oda. Tash oda e ka atë rëndësinë e vet edhe humanitare, edhe kulturore”, thotë pensionisti Balaj. “Përpiqem edhe me këta të rinj e të reja edhe me Skenderin që edhe të rinjve t’iu flasim rreth sjelljes kulturore, se kulturë nuk është veç me këndua, po kulturë është edhe me qëndrua mirë, edhe me folë mirë, edhe me ndejt mirë. E besoj se do t’ia arrijmë qëllimit se e kemi një numër shumë të madh të anëtarëve”.
Gjashtëdhjetë e shtatëvjeçari thotë se tash kjo odë u bën konak të gjithë rapsodëve të kësaj treve që deri tash kanë qëndruar nëpër kafene.
“Në kafene ka më tepër zhurmë, thashetheme. Këtu na jemi pak më ndryshe. Këndojmë të gjithë së bashku, hulumtojmë për këngë të reja, se kemi edhe borxh t’i ruajmë këngët e vjetra, por edhe t’i kultivojmë këngët e vjetra. Këto vajza që këndojnë sot, unë besoj që asnjëra nuk ka dëgjuar këngë nga folklori në shtëpi të vet. Tash këndojnë këngë të folklorit. T’u i ruajtur doket tona, traditën tonë i ruajmë çështjen kombëtare. Nëse s’i ruajmë ato na nuk jemi shqiptarë. Me këngë të të tjerëve nuk mund të marrim pjesë në asnjë festival”.
Sipas Nebih Balajt, të gjithë popujt që i kanë humbur doket e veta, këngët e veta, janë asimiluar.
“I kemi maqedonasit e vjetër, janë asimiluar se nuk i kanë ruajtur. Edhe në këtë kohë na kërcënohet edhe neve nëse heqim dorë prej gjuhës, këngëve e dokeve, në këtë kohë shumë të rëndë, edhe gjuha shqipe mund ta ketë këtë rrezik, nëse nuk u rri besnik këngëve, dokeve e traditës kombëtare”.
Nebih Balaj tregon se dikur odat u bënin konak edhe mysafirëve të largët, të cilët mund të mos kishin asnjë lidhje farefisnore me mikpritësin. Por, tash nuk është si dikur. Ai thotë se odat pothuajse janë mbyllur në Podujevë dhe se tash nuk kanë mysafirë si më parë
Në këtë odë-muze, pos vizitorëve, çdo ditë shkojnë rapsodë nga Komuna e Podujevës. Muzika nuk mungon asnjë çast. E çaji e ndonjë mandarinë tash në kohë dimri duhet patjetër t’u shërbehet. Ai që shërben këtu është pikërisht Nebih Balaj. Thotë se nuk dëshiron që t’u thotë vajzave të reja të shërbejnë çajin e të thonë nënat e tyre se “po shkojnë me këndu e po i detyrojnë me shërby çaj”.
“Çikat e sotit po pritojnë me qit çaj”, thotë si me humor Balaj derisa po iu shërbente grupit të këngëtarëve që këtë ditë dhjetori kishin ardhur të performonin këngë të ndryshme popullore.
“Kushtet i kemi të mira, dru na sjellin populli, na sjellin çaj. Ne u japim këtu çaj pa pagesë, iu shërbejmë të gjithë atyre që vijnë. E tash kanë filluar të vijnë të gjithë rapsodët e Llapit, për çdo ditë i kemi të gjitha grupet e rapsodëve. Po zakonisht punojmë veç me një grup të rapsodëve, ku janë edhe sot prezentë këtu, është Skender Emini me grupin e tij. Ai është edhe udhëheqës i orkestrës dhe më zëvendëson edhe mua, dhe e ka përgjegjësinë me punua me grupmoshat në këtë pjesën e folklorit. Ne punojmë vetëm folklor, edhe valle popullore. Kryesisht i kemi vallet epike. U kemi ikur valleve të tjera që gërshetohen me elemente orientale”, thotë Nebih Balaj.
Më herët kishte punuar me “Flakën e Llapit” Haki Mulliqi, dhe Balaj thotë se edhe sot vallet e tij i performojnë në skenë.
“Për fat të mirë unë tash kam veshje kombëtare që nuk i ka Komuna. Unë i kam mbi 40 palë, edhe të meshkujve, të gjitha grupmoshave. Këtu nuk ka vajzë tek unë që nuk i ka 2-3 palë veshje kombëtare. Edhe kam investuar, edhe më kanë ndihmuar që të dalim në festivale e koncerte që do të marrim pjesë, se kemi marrë pjesë në shumë festivale prej Bajram Currit, Gjirokastrës, Klinës, Kaçanikut e Skenderajt. Besoj që tash jemi më të përgatitur, kemi kushte më të mira”, tregon përfaqësuesi i shoqërisë kulturore “Flaka e Llapit”. “Tash jemi duke përgatitur me Skenderin këtu, me këta djem e vajza të reja një koncert. Atë ditë që të hiqet pandemia do të dalim në sheshin e qytetit, ku është lapidari i Zahirit, Edmondit, Ilirit e Hakifit, do ta bartim odën komplet në shesh edhe më kanë premtuar edhe këngëtarët e tjerë, si Nysreti, Afrim Muçiqi, Ismet Bogujovci, Sabri Fejzullahu, ku do të mbajmë një koncert 2-3 orë. Do të marr edhe 2-3 shoqëri të tjera”.
Në odën-muze të tij sivjet është organizuar edhe Festivali mbarëkombëtar i poezisë. Nebih Balaj thotë se të gjithë pjesëmarrësit janë ndarë të kënaqur me atë çfarë kanë parë këtu.
“Më ka ardhur mirë që të gjithë ata poetë që kanë qenë këtu, më tepër i kanë çmuar vlerat e odës këtu, e grumbullimit të elementeve po them tonat që na kanë munguar që t’i kemi. Bile një poete më duket e Vushtrrisë ishte më thotë ‘mua nuk më intereson a marrë ndonjë çmim, po sot u kënaqa se pashë elemente të nënave e baballarëve tanë”.
Ai pret nga qeverisja e re komunale që t’u dalë në ndihmë edhe pse thotë se deri tash institucionet nuk i kanë ndihmuar.
“Po, na ndihmuan, s’na ndihmuan ne jemi të pavarur dhe do të vazhdojmë se jemi me popullin. E populli ish më i fortë se partitë politike”, thotë Balaj.
Në këtë odë-muze, pos vizitorëve, çdo ditë shkojnë rapsodë nga Komuna e Podujevës. Muzika nuk mungon asnjë çast. E çaji e ndonjë mandarinë tash në kohë dimri duhet patjetër t’u shërbehet. Ai që shërben këtu është pikërisht Nebih Balaj. Thotë se nuk dëshiron që t’u thotë vajzave të reja ta shërbejnë çajin e të thonë nënat e tyre se “po shkojnë me këndu e po i detyrojnë me shërby çaj