Arbëri

Rasti i ambasadorit Berishaj i thellon përplasjet pushtet-opozitë

Thirrjet për shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, opozita i ka përsëritur edhe të shtunën. Partia Demokratike e Kosovës e ka dënuar në një konferencë për media aferën “Karteli i Rrymës”. Ajo ka thënë se ky skandal lidhet me majat e institucioneve dhe partisë në pushtet. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se ky skandal do ta dëmtojë diplomacinë e Kosovës.

“Qeveria dhe Presidenca s’janë as gjykatës e as prokurorë. Ata duhet të marrin hapa institucionalë dhe politikë, shkarkimin e menjëhershëm të z.Berishajt nga funksioni si ambasador. Unë ju them me bindje të plotë se që nga dje z.Berishaj s’do të jetë në gjendje të ushtrojë detyrën e tij. Fatkeqësisht ua ka bërë punën e vështirë edhe ambasadorëve tanë në vendet fqinje”, ka thënë Çitaku.

Kërkesë për shkarkimin e tij ka bërë edhe LDK-ja. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi, ka thënë se asnjë arsyetim për refuzimin e komisionit nuk ka pasur kuptim.

“Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i komisionit hetimor, e shkarkimi i bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim. Sot hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100 për qind duhet të gjejnë dritë”, ka shkruar Abdixhiku.

Në aferë opozita e ka implikuar edhe kryeministrin Kurti dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, e ka quajtur shqetësues lakimin e emrit të ambasadorit kosovar në mediumet sllovene, duke thënë se mbi këtë skandal qëndron kupola e qeverisë dhe e partisë në pushtet.

“Gjetjet tregojnë se në janar të këtij viti, atë kohë kur Qeveria me paaftësinë e saj e zhyti vendin në krizë energjetike, raportohet se KEK-u i ka shitur energji elektrike kompanisë GEN me çmim prej vetëm 105 eurosh për megavat. Në të njëjtën periudhë, KEK-u ka blerë energji elektrike nga kompania me seli në Beograd me një çmim prej 255 eurosh për një megavat. Pra, Kosova ka blerë shtrenjtë, e Beogradit i ka shitur lirë”, ka thënë Ismaili.

Këtyre akuzave nëpërmjet një reagimi u është kundërpërgjigjur KEK-u, duke sqaruar se eksporton energji elektrike natën kur përmbushen nevojat e konsumit vendor.

“Ju bëjmë me dije se çmimi i importit të energjisë elektrike zakonisht është më i lartë në raport me çmimin e eksportit të energjisë elektrike, kjo për faktin se nevoja për import të energjisë elektrike shfaqet në kohën e pikut apo në kohën e konsumit maksimal (ditën), pra kohën kur ka mungesë të energjisë elektrike vendore, por edhe në vendet e rajonit e më gjerë”, shkruan në sqarimin e KEK-ut.

Koment për reagimet e fundit pati edhe partia në pushtet. LVV-ja i ka quajtur fabrikim dhe përpjekje për mashtrim.

“E pamë sot konferencën e radhës të turpit. Nga personazhet e dikur fushatës për shkëmbim territorial me Vuçiqin nuk pritet gjë tjetër përpos goditje vendit për arsye krejt private të tyre. Është e paprecedentë që kur Kosova me të gjitha institucionet po punon e vepron kudo në botë për t’i denoncuar planet e Rusisë në koordinim me Serbinë për rajonin tonë, një parti e Kosovës si PDK-ja me personazhe dikur ministra e ambasadorë të diskredituar përpiqet ta mashtrojë publikun. Gjithë sa u tha aty sot, çfarë është thënë dje është e fabrikuar nga personazhe që vinë nga bota e përzier e parapolitikës me krimin e organizuar. Madje, jo rastësisht edhe ‘Freedom House’ theksoi që janë të zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion”, ka thënë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, pasi mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh në vlerë prej rreth 600 mijë eurosh nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, Robert Golob.

Të premten, këto akuza i ka mohuar ambasadori Berishaj, i cili ka thënë se të njëjtave do t’u përgjigjet me padi për shpifje. Sipas tij, përmes kësaj padie do ta mbrojnë drejtësinë dhe të vërtetën.

Presidenca ka kërkuar raport me shkrim nga Berishaj dhe e ka ftuar atë në Kosovë për të dhënë sqarime dhe se më pas, bashkë me MPJ-në do të bëjnë vlerësimin e pozitës së tij. Derisa presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka thënë se beson në pafajësisë së tij dhe se konstatime mund të japin vetëm organet e drejtësisë e jo mediat.

E, në Zyrën e kryeministrit kanë thënë të jenë të interesuar për prova e jo pretendime. Mbështetur në një përgjigje që është ofruar nga kjo zyrë, është shkruar se duhet të kihet kujdes ndaj pretendimeve që janë mohuar nga ambasadori, sidomos në kohën kur në Slloveni po zhvillohet një garë elektorale.

Martin Berishaj është emëruar ambasador në Kroaci, vetëm 4 muaj pasi presidentja ia kishte dhënë shtetësinë e Kosovës, krahas asaj të Malit të Zi që e mbante.

© KOHA Ditore

Folegjenda: Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, të shtunën në konferencë për media