Arbëri

Osmani thotë se dinari nuk duhet ta përplasë Kosovën me Perëndimin

Një ditë pasi Brukseli shfaqi pritjen që Qeveria e Kosovës t’i vlerësojë përpjekjet për t’i ulur palët në tryezë, në Zyrën e Kryeministrit thanë se nuk ka ndryshim qëndrimi sa i përket pjesëmarrjes së Besnik Bislimit në takimin për Rregulloren e BQK-së. E presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se çështja e dinarit nuk do të duhej të shkaktonte përplasje mes Kosovës dhe aleatëve

Qeveritarët nuk do të zmbrapsen nga refuzimi për t’iu përgjigjur takimit të thirrur nga Bashkimi Evropian për të diskutuar Rregulloren e Bankës Qendrore, më datë 27 shkurt. Në kabinetin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi thanë se mbesin tek deklarimi i para dy ditëve i Bislimit, i cili me gjithë ftesën e BE-së përjashtoi mundësinë që të shkojë në Bruksel ku temë diskutimi është ndalimi i dinarit serb.

“Nuk ka diçka të re nga deklarimi i zëvendëskryeministrit, i para dy ditëve. Për të tjerat do të informoheni me kohë”, ka thënë shkurt Bislimi.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, deklaroi të enjten se letra e emisarit Miroslav Lajçak nuk përcakton se kush duhet të vijë në takim, sepse kjo u është lënë vetë palëve që të vendosin. Stano u është përgjigjur edhe kritikave të Besnik Bislimit për anshmëri të ndërmjetësit në dialog duke thënë se nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës presin që t’i vlerësojë përpjekjet në vend që, në mënyrë të pabazë, t'i akuzojnë zyrtarët e BE-së.

Akuzat mes zyrtarëve të Qeverisë dhe BE-së të premten i ka komentuar edhe presidentja Vjosa Osmani. Sipas saj, çështja e dinarit nuk është dashur të shkaktonte përplasje me ndërkombëtarët.

“Unë i inkurajoj të gjitha institucionet e secilin që merret me politikë të bëjë çmos që këto relacione dhe në veçanti me ShBA-në, Mbretërinë Bashkuar dhe vendet e BE-së t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme, por ekzistenciale. Në këto sfida na duhen aleatët tanë, na duhen partnerët tanë. Jo vetëm si shenjë falënderimi që e kanë bërë në të kaluarën, por edhe si vizion për atë çka na duhet në të ardhmen. Kosova nuk mundet të ecë përpara vetë”, ka thënë Osmani pas konferencës rajonale, “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.

Ajo ka shtuar se e tëra që po kërkohet është të ndërtohet një plan tranzicioni, i cili merr parasysh nevojat e qytetarëve të rëndomtë, të rinj dhe të moshuar serbë, të cilët marrin ndihmë financiare edhe nga Serbia.

“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Unë jam e bindur se nëse ka vullnet me një takim, i cili mund të zgjasë disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet relevante dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligje dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj. Siç e dini, nëse kjo çështje nuk zgjidhet me kohë mund të krijohen probleme të mëtejme”, është shprehur Osmani.

Analisti Visar Xani vlerëson se procesi i dialogut ka hyrë në një fazë të komplikuar ku ka paqartësi për zbatimin e shumë marrëveshjeve si pasojë e mungesës së vullnetit të palëve.

“Aq më shumë nëse e llogarisim se nuk po na pret një proces përfundimtar, por po vendosim tema të reja, gjë që Kosova do të duhej të ketë një analizë të saktë me qëllim që mos të ketë tema të reja të cilat mund të na konfrontojnë me faktorin ndërkombëtar - Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe në njëfarë mënyre të japin material për të diskutuar çështjet teknike duke humbur vëmendjen nga çështjet madhore politike që do të duhej të kishin një verdikt final”, ka potencuar Xani.

Sipas tij, konfrontimi me BE-në nuk shkon në favor të Kosovës.

“Kosova në vend të akuzave duhet të ketë kanale diplomatike, lobim, që çështjet e tyre me interes të vendosen në tryezën e bisedimeve dhe të mos mbizotërojë Serbia. Përndryshe, nëse mbizotëron Serbia, triumfon politika e tyre, lobimi i tyre dhe Kosova vazhdon të dështojë duke u konfrontuar me faktorin ndërkombëtar dhe në këtë mënyrë duke humbur në këtë proces”, ka theksuar ai.

Vendimi për dinarin la në hije marrëveshjet e dakorduara në Bruksel, tek të cilat ka paralajmëruar të kthehet ndërmjetësi në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Deklarimin e ka dhënë të enjten mbrëma pas një takimi me Fabrizio Saggion, këshilltarin e kryeministres Giorgia Meloni dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme së Italisë, Carlo Lo Cascio.

“Shumë i lumtur që isha në Romë sot. Pata diskutime të rëndësishme me këshilltarin e kryeministres Meloni, Fabrizio Saggio, dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të MPJ-së së Italisë, Carlo Lo Cascio, për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun për normalizim të raporteve në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Para Lajçakut presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në urimin për 16-vjetorin e shtetësisë së Kosovës shprehu pritjen që javët e ardhshme të jenë përcaktuese për zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, në BE nuk janë përgjigjur për angazhimet që i kanë në përmbushjen e këtij synimi, të cilit i kanë dhënë shtytje Franca dhe Gjermania.

Takim të nivelit të lartë të dialogut nuk ka pasur që nga 10 shtatori i vitit të kaluar, pak ditë para sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, i shkaktuar nga një grup paramilitar nga Serbia që la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sa i përket dialogut, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se atë e ka dëmtuar mungesa e balancimit nga ndërmjetësuesi.

“Punën e dialogut më së shumti e ka dëmtuar mungesa e balancimit. Njëra palë, në këtë rast Kosova, është nën masa ndërsa Serbia, përkundër që ka kryer agresion, nuk ka pësuar asnjë masë të vetme. Kjo jo vetëm që e dëmton dialogun, por në të njëjtën kohë edhe inkurajon Serbinë që të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se pas zgjedhjeve në BE mund të ketë një ndërmjetës të ri në dialog.

“Në maj janë zgjedhjet në BE. Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisioner të ri, do të kemi zyrtarë të rinj të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut, sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga vetë z. Lajçak, i cili e ka mandatin deri në gusht, mos qofsha e gabuar”, ka deklaruar Osmani.

Ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me përfaqësues të QUINT-it më 21 tetor 2023 ia dorëzuan palëve propozimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo u pasua me takimet e ndara në Bruksel mes liderëve të Kosovës e Serbisë me përfaqësues të QUINT-it. Por, mungoi dakordimi rreth dokumentit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e pati kushtëzuar implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas propozimit të BE-së, me nënshkrimin e dokumenteve të dialogut. Edhe pse Kurti në disa raste shprehu gatishmëri ta nënshkruajë Marrëveshjen bazë, Aneksin dhe propozimin e ri për themelimin e Asociacionit, BE-ja e shpërndau përgjegjësinë tek të dyja palët, me arsyen se u vendosën parakushte.

Nga ana tjetër, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq i shkroi letër Brukselit përmes së cilës e njoftoi atë se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit konsiderohen të pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin “de facto” apo “de jure” njohjen e Kosovës.

BE-ja ua ka bërë të qartë palëve se perspektiva evropiane e tyre është e lidhur me implementimin e marrëveshjeve. Por, gati një vit që prej nënshkrimit të marrëveshjes bazë nuk është përmbushur asnjëra prej pikave të dakorduara.