Pacientë të shumtë çdo ditë shihen duke pritur si jashtë ashtu edhe brenda ambulancave specialistike. Ata që rastisën të jenë aty janë ankuar se kanë pritur me orë të tëra, pasi nuk po respektohet orari i terminit ashtu siç u është caktuar
Në ulëset e oborrit e në shkallë të ambulancave specialistike, jo pak qytetarë presin për shërbime të ndryshme mjekësore. Të mbushura me pacientë janë edhe korridoret brenda ambulancave. Fëmijë, të rinj e të moshuar pritnin në sportel për caktimin e një termini, e para derës së ambulancave për kryerjen e ndonjë kontrolle.
Disa prej tyre i treguan KOHË-s, se janë duke pritur për më shumë se dy-tri orë, e që kanë ardhur prej orës gjashtë e mëngjesit. U ankuan për mosmbajtjen e duhur të rendit.
Ani se në dokumentin që u lëshohet atyre, kërkohet të respektohet orari i terminit dhe se për mosardhjen në kohë, ai do të anulohet, një kërkesë e tillë sipas pacientëve, nuk respektohet nga vetë stafi mjekësor.
Fahrije Prebreza, derisa po priste të mërkurën, ka thënë se para një jave iu lëshua një dokument i tillë, në të cilën i ishte caktuar termin për në orën 9:30. Ajo ka thënë të ketë ardhur në kohë, por se i është dashur të presë dy orë më shumë.
“Erdha në orën nëntë të bëj rezervimin të hyj në rend, më thanë njëherë ‘jo’. 9 e 30 hajde. Erdha në orën 9 e 30, terminin ma kanë bërë, por me 14 veta para meje”, ka thënë Prebreza.
Në mesin e dhjetëra pacientëve për kontroll në Ambulancat Specialistike, ishte edhe Zymryte Krasniqi. Ajo ka treguar për kohëzgjatjen e pritjes.
“Kam ardhur të kontrollohem për unaza. I thashë që jam shumë e sëmurë, nuk mund të pres më shumë, në orën 7 kam ardhur. Tha: ‘Prit, prit, se veç sa s’ja kanë nisur’. Tash u bë ora, doli prej 9-ve po më duket. U çova i thashë: ‘A po më lejoni të kontrollohem? Ku me hy, në cilën derë? Më tha: ‘jo, jo të kontrollohesh sot jo, duhet të ndash terminin’. I thashë pse nuk po më ndani terminin pra, të mos pres më shumë’”, është ankuar ajo. Ka treguar se termini iu caktua për muajin që vjen. “Duke e lutur, ra më 26 maj të vij”, ka thënë Krasniqi.
Pritje të gjata për caktimin e terminit dhe për kontrolle gjatë mëngjesit ka në të gjitha ambulancat. Pacientët të bezdisur me situatën kanë thënë se kjo gjendje është e përditshme. Gazeta nuk ka pranuar sqarim nga ShSKUK lidhur me këtë situatë.
KOHA në muajin shkurt dhe mars ka raportuar për lista të pritjes deri në një vit për intervenime e shërbime edhe më urgjente, siç janë stentimet, koronarografia, rezonanca magnetike e intervenimet ortopedike.