Arbëri

Kosovarëve u vidhen targat në Slloveni, Ambasada del me njoftim

ambasada e kosoves ne sloveni

Ambasada e Kosovës në Slloveni ka lëshuar lajmërim për kosovarët, targat e veturave të të cilëve u vodhën të shtunën gjatë ndeshjes Kosovë-Slloveni.

Në njoftim thuhet se të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët kanë mbetur pa targa të veturave, të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin e tyre në vend.

Fillimisht u është kërkuar që rastet të paraqiten në Policinë e Sllovenisë.

Të shtunën kur u mbajt loja mes Kosovës dhe Sllovenisë është raportuar se disa prej atyre që udhëtuan me vetura, u janë marrë targat. Siç kanë raportuar disa qytetarë në adresën e Kohës, kjo ka ndodhur kryesisht për personat, veturat e të cilëve kanë qenë të parkuara rreth stadiumit.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë njofton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë mbetur mbrëmë pa targa të automjeteve që të lajmërohen për këshilla dhe asistencë lidhur me kthimin në Kosovë. Nënkuptohet, rastet duhet të paraqiten fillimisht në Policinë e Republikës së Sllovenisë. Për informata shtesë ju lutemi kontaktoni linjën emergjente të Ambasadës në numrin: +386 31 465 221”, thuhet në njoftim.

KOHA ka dërguar pyetje në adresën e Policisë së Sllovenisë për të kuptuar më shumë rreth rastit dhe sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

Kosova i shkaktoi humbje të rëndë Sllovenisë të shtunën mbrëma. Pos në fushë, disfata ishte e rëndë për sllovenët edhe në tribunat e stadiumit në Lubjanë.

Mediumet sllovene kanë publikuar tekste të shumta për numrin e madh të shikuesve të Kosovës në tribunat e stadiumit “Stozhice”.

Për këtë në konferencë për shtyp foli edhe selektori i Sllovenisë, Matjazh Kek.

“Urime Koovës për fitoren plotësisht të merituar. Lojtarët e Kosovës na kanë mposhtur dhe në duele dominuan ndaj nesh si askush deri më tani. Edhe në tribuna kjo ishte njëra prej ndeshjeve më të vështira në shtëpi”, ka thënë Kek.

Ai e kishte të pamundur të injoronte dominimin e tifozëve të Kosovës, ka shkruar “siol.net”.

“Ata e mbushën ‘Stozhicen’ dhe me krenari e dekoruan me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë”, shkruan ky medium.

Kosova e mposhti Slloveninë në tentimin e katërt. Dy ndeshjet e para i humbi, ndërsa në të tretën barazoi.