Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë qëndruar më gjatë në sallën e Kuvendit, edhe pas dështimit të 40-të.
Veprimi ishte paralajmëruar nga deputeti, Mërgim Lushtaku, që u shpreh para mbledhjes së sotme që “është mirë ta përcillni aktivitetin tonë”.
PDK-ja dhe partitë tjera opozitare kanë refuzuar të votojnë për komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.






Vlora Çitaku, deputete e PDK-së, ka thënë se kanë qëndruar më gjatë duke e parë se “seancat është e turpshme të rrimë vetëm dy minuta”.
“Zotëri Dehari dhe VV-ja po e shkelin Kushtetutën. Ju ftojmë që të reflektoni dhe të kthehemi në sallë pasnesër dhe t’i kthehemi rendit të ditës”, ka thënë ajo.
Të martën e 1 korrikut, pro komisionit për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin votuan 51 deputetë. S’pati kundër e abstenime.
Pikërisht votimi i komisionit ka qenë përplasja e ditëve të fundit e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partive që deri tash ishin në opozitë.
LVV-ja ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses lejon kalimin në votim të fshehtë dhe i obligon deputetët të votojnë. Sipas VV-së, mosvotimi nga deputetët e opozitës paraqet shkelje të Kushtetutës.
E deputetët e partive të tjera thonë se Kushtetuesja ka vendosur që kalimi në votim të fshehtë është shkelje. Ata po akuzojnë për shkelje deputetët që marrin pjesë në votimin për komision.
Pas publikimit të aktgjykimit, të shtunën që shkoi u mblodhën liderët e partive, por takimi u mbyll pa gjetjen e një konsensusi për dalje nga kriza.
