Mbi 100 ankesa janë deponuar në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, lidhur me ndryshimet e bëra në përmbajtjen e kanaleve televizive, nga operatorët e shpërndarjes. Qytetarët u shprehën të indinjuar që nuk po u ofrohen shërbimet për të cilat kanë paguar. E operatorët vendorë dhe ata të Shqipërisë kanë hedhur fajin te njëri-tjetri për dështim të marrëveshjes
Armanda Haxhikadrija është njëra nga qindra qytetarët që kanë shprehur ankesa në drejtim të disa operatorëve kabllorë, shkaku i ndryshimit të listës së kanaleve televizive pa ndonjë paralajmërim.
Ajo shprehet e indinjuar që, megjithëse nga 1 janari më nuk mund t’i shfrytëzojë kanalet për të cilat ka paguar e që ishin pjesë e ofertës, i ka edhe duart e lidhura për sa i përket shkëputjes së kontratës.
“Me 24 dhjetor ka qenë oferta e ‘Artmotion’ nga 29 euro e 90 cent në 25 euro. Atëherë asnjë konsumator s’ka qenë i njoftuar që me datën 1 nuk do të jenë ‘Top Channel’, ‘Klani’ dhe kanalet sportive. Shumica prej nesh, unë për vete flas, që unë paketën e ‘Artmotion’ e kam marrë për shkak të sporteve, meqë janë në familje tre meshkuj që e shohin shumë sportin”, ka thënë Haxhikadrija.
Ajo citon nenin 11 të kontratës që i lejon operatorit ndryshim të përmbajtjes, porse kërkon që kjo e drejtë të jetë e ndërsjellë.
“Është një tradhti sidomos që u bëhet qytetarëve. E para është – së paku t’i lajmërojnë qytetarët kur ka ndërprerje të kanaleve. Ne e dimë që edhe në kontratë, neni 11, shkruan që ka mundësi të ketë edhe ndryshim të kanaleve, por kur ata bëjnë kontratë me nenin 11, që ka mundësi ndryshime të kanaleve, atëherë pse ne nuk kemi të drejtë të largohemi edhe kur shohim që na bëhet e padrejtë. Atëherë kjo është një tradhti, sidomos në ‘Artmotion’ dhe te ‘Kujtesa’’, ka thënë Haxhikadrija.
Në shoqatën e konsumatorëve e kualifikuan ndryshimin e listës së kanaleve si një problem kronik, teksa i bënë përgjegjës institucionet përkatëse për dështimin në menaxhimin e situatës.
“Ankesa ka të shumta dhe këto ankesa nuk po ngjajnë vetëm sot e këto ditë, por historikisht po ngjajnë dhe po përsëriten dhe natyrisht që shkelen të drejtat themelore të qytetarëve konsumatorë dhe kur kemi raste të përsëritjes atëherë përgjegjësia u bie drejtpërdrejtë ARKEP-it, MTI-së dhe Qeverisë”, ka thënë Selatin Kaçaniku, kryetar i Shoqatës së Konsumatorëve.
E në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) i thanë KOHË-s se deri të premten kanë pranuar rreth 10 ankesa nga konsumatorët dhe se kanë zhvilluar takim me Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
“ARKEP ka përgatitur Rregulloren e re për Kontratat, Transparencën, publikimin e informatave dhe masave të tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë të shërbimeve të komunikimeve elektronike, e cila ka kaluar procedurën e konsultimit publik dhe pritet të miratohet së shpejti. ARKEP përmes kësaj rregulloreje ka dhënë një propozim konkret edhe për kontratat e kombinuara dhe lidhur me këtë jemi në proces të koordinimit me KPM-në”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.
E në KPM konfirmuan se po i trajtojnë ankesat për mosofrimin e shërbimeve të parapara me kontratë, teksa paralajmëruan edhe hapa ligjorë.
Një ditë më parë, operatori kabllor “Artmotion” njoftoi se shkaku i mosarritjes së marrëveshjes me “Digjitalb” ka ndërprerë transmetimin e kanaleve që janë pjesë e platformës.
“Kanalet që ishin siguruar përmes marrëveshjes me ‘Digitalb’ janë larguar, meqë ka skaduar marrëveshja mes ‘Artmotion’ dhe ‘Digitalb’. Për shkak të kompleksitetit të sigurimit të të drejtave programore, ‘Artmotion’, me gjithë përpjekjet dhe bisedimet për të siguruar përmbajtjen nga ‘Digitalb’ nuk ka mundur të arrijë një marrëveshje të re për shkak të ndryshimeve në kushtet e negociuara në mes të palëve në momentet e fundit, veprim ky i cili na ka pamundësuar që të sigurojmë këtë marrëveshje”, thuhet në sqarimin e operatorit kabllor “Artmotion”.
Por në “DigitAlb” e quajtën spekulim komunikatën e operatorit kosovar.
“Nisur nga spekulimet e ditëve të fundit, ‘DigitAlb’ deklaron se është i hapur për bashkëpunim dhe distribucion të kanaleve televizive kundrejt të gjitha platformave televizive dhe të telekomunikacionit në Republikën e Kosovës, në mënyrë që i gjithë publiku në Kosovë të ketë qasje. Kompania po punon në këtë drejtim dhe të gjithë operatorët e interesuar nga Kosova janë të ftuar të lidhin marrëveshje me ‘DigitAlb’ për këtë qëllim”, thuhet në sqarimin e “Digjitalb”.
E në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë paralajmëruan veprime, sipas ligjeve në fuqi, ndaj operatorëve kabllorë, pas ankesave të më se 100 qytetarëve.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e njofton opinionin publik se është duke i përcjellë me shqetësim ankesat e shumta të qytetarëve ndaj disa operatorëve kabllorë në Republikën e Kosovës, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve. Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT, vetëm gjatë ditëve të fundit, ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse”, kanë thënë në MINT.
Lidhur me ankesat e qytetarëve, KOHA ka dërguar pyetje edhe në adresat zyrtare të “Artmotion” dhe “Kujtesa”, porse gjatë ditës nuk ka pranuar përgjigje.