Pavol Szalai, drejtor i Byrosë së Pragës në “Reporterët pa Kufij”, ka vlerësuar se përmirësimi i Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit 2026 nuk duhet të shihet si arsye për festim, duke theksuar se progresi mbetet i kufizuar dhe i brishtë.
Kosova renditet në vendin e 84-t në indeksin e vitit 2026, me një rritje prej 15 pozicionesh nga viti i kaluar dhe një rezultat prej 55.9 pikësh. Megjithatë, Szalai thekson se ky përmirësim nuk përfaqëson një avancim real, por një rikthim në nivelet e mëparshme të ulëta, para vitit 2025.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Megjithëse ky përmirësim në renditje duket domethënës, nuk ka arsye për festim, pasi vendi thjesht është rikthyer në nivelin e tij të mëparshëm të ulët”, citohet të ketë thënë ai në një përgjigje për mediat.
Sipas tij, ndryshimet në renditje në këtë pjesë të indeksit janë të ndjeshme, ku edhe lëvizje të vogla në pikë mund të sjellin ndryshime të mëdha në pozicion. Ai shton se rritja e Kosovës lidhet pjesërisht edhe me rënien e disa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Bosnjës dhe Serbisë.
Kosova, sipas raportit, mbetet ndër vendet me performancën më të dobët në Evropë, duke u renditur e katërta nga fundi mes 40 vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit, menjëherë pas Shqipërisë dhe përpara Bosnjës e Serbisë.
Szalai thekson se vendi nuk është kthyer ende në nivelin e vitit 2023 (vendi i 56-të), kur situata nisi të përkeqësohej ndjeshëm, dhe mbetet gjithashtu nën rezultatet e vitit 2024 (vendi i 75-të).
Përmirësimi i pikëve, siç ka thënë Szalai, lidhet kryesisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) cenonte pavarësinë e këtij institucioni. Szalai ka thënë se kjo ka ndikuar në përmirësimin e indikatorit ligjor dhe në perceptimin për rolin e sistemit gjyqësor në mbrojtjen e lirisë së medias.
Megjithatë, Szalai thekson se sulmet politike ndaj gazetarëve mbeten të shpeshta. Emërimet në KPM dhe në bordin e transmetuesit publik RTK kanë ngritur shqetësime për pavarësinë e këtyre institucioneve.
“Në aspektin ekonomik, liria e medias vazhdon të kufizohet nga financimi i paqëndrueshëm i transmetuesit publik, mungesa e transparencës në pronësinë e mediave dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët. Ndërkohë, ngacmimet online mbeten një rrezik serioz për gazetarët dhe punën e tyre”, ka thënë ai.
“Reporterët pa Kufij” i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që, në kuadër të synimeve për integrim në BE, të angazhohet në konsultime për zbatimin e Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), i cili synon adresimin e sfidave strukturore të lirisë së shtypit.