Katër vjet është lista e pritjes së pacientëve në Klinikën e Ortopedisë për vendosjen e protezave në gjunjë dhe kordhokë.
Për pritjet kaq të gjata për këtë patologji, në Ortopedi thonë se ka ndikuar edhe numri i vogël i sallave.
Drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica, thotë se me vetëm tri salla nuk kanë mundur t’i mbulojnë kërkesat e pacientëve nga i tërë vendi.
“Tani jemi në përfundim të listës të vitit 2018 dhe fillojmë me pacientët e vitit 2019. Prandaj pacientëve u kërkoj falje, kurse nga ShSKUK-ja kërkoj përkrahje më të madhe si me anesteziologë, si me motra medicinale dhe me material të protezave. Kështu që ne, personeli i Ortopedisë është në gjendje të punojë edhe më tepër për të zvogëluar këtë listë dhe për t’ju dalë në ndihmë pacientëve të cilët i kuptojmë sinqerisht me këto probleme në gjunjë dhe kordhokë”.
Reduktimi i kësaj liste synohet të bëhet me katër sallat e reja operative të hapura dhjetë ditë më parë.
Por këto salla, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë para katër ditësh ka urdhëruar të mbyllen përkohësisht, pasi nuk i kanë plotësuar kushtet teknike sanitare dhe higjienike.
Me gjithë këtë urdhëresë, drejtori i klinikës tregon se puna ka vazhduar edhe gjatë ditëve të pezullimit, gjersa njëkohësisht janë sanuar mangësitë e identifikuara.
“Për shkak të natyrës së sëmundjeve që trajtojmë, nuk kemi mundur të ndalim krejtësisht punën, kemi punuar me orar të reduktuar, me numër të pacientëve të reduktuar, në të njëjtën kohë duke i sanuar problemet dhe kërkesat që i ka bërë AUV-i. Tani prej sot punojmë me kapacitete të plota, pasi inspektorati sanitar ka dhënë leje me punu pasi i kemi sanuar problemet që i kemi sanuar më herët”, tha Jashanica.
Pacientë, prapa kamerës, i kanë thënë KOHËS se prej qershorit këto proteza nuk janë duke u vendosur fare për pacientët e listës së pritjes.
Këtë e pohon edhe drejtori, teksa shton se në javët në vijim pritet që të rinisë puna. Sipas tij, fillimisht ndërprerja është bërë për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut për infektim, e në shtator nuk ishte e mundur shkaku i sallave.
Tri sallat e vjetra pothuajse janë boshatisur dhe pritet të rrënohen së shpejti.
Mungesa e ujit të ngrohtë, dysheme të dëmtuara e materiali jo-higjienik ishin disa nga vërejtjet, për të cilat AUV-i pas ri-inspektimit të bërë të mërkurën, ka konfirmuar se janë eliminuar.