Arbëri

Rrugëtimi për t’u bërë pjesë e BE-së vlerësohet i gjatë dhe i mundimshëm

Reagime të shumta kanë ardhur pas dorëzimit të aplikimit të Kosovës për ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky hap i Kosovës është vlerësuar si akt i rëndësishëm dhe historik. Mbështetje në këtë rrugëtim kanë ofruar edhe partitë opozitare, si dhe shtete të rajonit e më gjerë. Njohësit kanë thënë se pas kësaj, Kosovën e presin procese të gjata dhe të mundimshme, ndërkohë Serbia e ka quajtur shkelje të Marrëveshjes së Washingtonit.

Dorëzimi i aplikimit të Kosovës për ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është përshëndetur e ka marrë mbështetje edhe nga opozita.

Deputetë të opozitës e kanë vlerësuar akt të domosdoshëm, ndonëse kanë kërkuar angazhim më të madh dhe lobim te pesë shtetet e bllokut që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“E përkrahim, e përshëndesim dhe do të mbështesim. Normal që kjo është detyrë jona edhe si deputetë, pasi ky është një proces i rëndësishëm. Kosova është vendi më proevropian dhe meriton të jetë në familjen e madhe evropiane. Unë si pjesëmarrëse në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Integrime do të jem lobuese sikurse kemi qenë lobuese edhe për liberalizimin e vizave, edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Hap pozitiv, por duhet tejet angazhim. Deri më tash kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë sa u përket politikës dhe integrimeve të Kosovës. Krejt proceset çka janë kryer kanë qenë merita të mëhershme, Qeverisë së mëhershme, siç është liberalizimi i vizave, që nuk është kryer hala, por fakti që ka hyrë në agjendë dhe shpresojmë se me datën 1 janar 2024 t’i vijë fundi këtij procesi. Anëtarësimi në BE është hap i domosdoshëm, por nuk duhet të mbetet vetëm aplikim, duhet punë dhe angazhim”, është shprehur Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së.

Augustin Palokaj, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, thotë se BE-ja nuk do ta ketë të lehtë shqyrtimin e aplikacionit, porse ky hap i Kosovës ka qenë më se i nevojshëm.

“Sepse Kosova si të gjitha vendet e tjera të rajonit duhet ta kuptojë procesin e integrimeve evropiane, vetëm si proces ku ka mundësi anëtarësim të plotë në BE. Të gjitha fjalitë e tjera, si perspektiva evropiane apo rrugëtim përkatës evropian, do të ishin vetëm thënie abstrakte sikur Kosova të mos aplikonte. Dhe Kosova e ka kuptuar se ka mbetur vendi i fundit jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën, i cili dëshiron të anëtarësohet në BE dhe deri sot nuk kishte aplikuar. Sikur të mos ishte pengesa politike që ka të bëjë me faktin se 5 vende nuk e kanë njohur Kosovën, procedura do të ishte shumë e qartë. Por tash i mbetet BE-së të gjejë mundësi për të avancuar me Kosovën drejt integrimeve në BE”, ka thënë Palokaj.

E Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë se Kosovën e pret një proces që mund të zgjasë me vite.

“Është e rëndësishme që edhe pas dorëzimit të aplikimit të kemi të paktën një mbështetje publike të disa shteteve që janë pjesë e BE-së dhe Këshillit të ministrave, aty ku vendoset për agjendë. Duhet sa më shumë të punohet edhe në reforma të brendshme, por të krijohet ky dialog me institucionet e BE-së, me udhëheqësit e BE-së dhe të shteteve anëtare veç e veç për të treguar se ku jemi? Çfarë mëtojmë të arrijmë dhe ku qëndron Kosova në procese të integrimit evropian. Të mundohet të ndikohet pozitivisht”, ka thënë Fetahu.

Rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian është përshëndetur edhe nga disa shtete të rajonit e më gjerë. Mbështetje pas aplikimit, Kosovës i kanë ofruar Shqipëria, Kroacia dhe Estonia.

Pas aplikimit të Kosovës, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ka thënë se me këtë “është shkelur Marrëveshja e Washingtonit”, ndërsa ka paralajmëruar përgjigje për këtë.