Arbëri

SHBA-ja ia shpreh OSBE-së shqetësimin për Kosovën

Misioni i Shteteve të Bashkuara në OSBE ka shprehur shqetësim lidhur me situatën e sigurisë në veri të Kosovës, duke përmendur mungesën e marrjes në përgjegjësi të shkaktarëve të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, si dhe vendimin e autoriteteve të Kosovës që ndalojnë përdorimin e dinarit serb. Njohës të zhvillimeve politike thonë se, pavarësisht të drejtës së Kosovë për ta shtrirë ligjshmërinë, SHBA-ja dhe BE-ja duan që në çdo rast të konsultohen dhe të diskutojnë çështjet përpara zbatimit

Zyrtarët amerikanë i kanë shprehur shqetësimet edhe në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) lidhur me situatën e sigurisë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, e edhe me Rregulloren e BQK-së që ndalon përdorimit e dinarit serb. Kjo konfirmohet në deklaratën që zëvendës-shefja e misionit në detyrë, Tracy Newell, e ka deponuar në Këshillin e Përhershëm në Vjenë.

Përmes misionit të saj të përhershëm, SHBA-ja e ka konfirmuar se mbetet e përkushtuar në arritjen e paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një aspekt thelbësor i stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Ne i nxisim të dy vendet që të angazhohen në mirëbesim përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të forcuar demokracinë, integrimin ekonomik në BE dhe për të nxitur bashkëpunimin dhe respektin shumetnik”, ka shkruar Newell në deklaratën e saj të javës së shkuar.

Por, ajo ka shtuar se vendimi sikur ai për dinarin, po pengon arritjen e këtij objektivi.

“Vendimi i njëanshëm i Kosovës për të kufizuar importimin e dinarit serb nuk i avancon këto objektiva. I bëjmë thirrje Kosovës që menjëherë të shtyjë zbatimin e këtij vendimi dhe palët e përfshira të kërkojnë zgjidhje brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për veprimet e fundit dhe të pakoordinuara që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, duke përfshirë bastisjet e institucioneve të mbështetura nga Serbia dhe mbylljen e shërbimeve në të cilat mbështeten qytetarët e Kosovës. Këto veprime nuk janë në përputhje me përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar në mënyrë konstruktive çështjet që prekin komunitetin e pakicës serbe në Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Newell.

Më tej përmendet dështimi i Serbisë për t’i vënë në përgjegjësi sulmuesit serbë të 24 shtatorit që lanë të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Ndërkohë, dështimi i Serbisë për të kërkuar përgjegjësi nga autorët e sulmit të 24 shtatorit pranë Manastirit të Banjskës në Kosovë është i paarsyeshëm dhe dëmton thellësisht besimin e nevojshëm për normalizim. Menjëherë pas atij sulmi, ne i bëmë thirrje Serbisë që t’i marrë në përgjegjësi sulmuesit”, ka thënë ajo.

Aty përmendet dhe fakti se Kosova i dorëzoi BE-së një raport prej 48 faqesh më 26 janar, duke paraqitur gjetjet e saj për sulmin në Banjskë.

“Ish-drejtuesi i Listës Serbe, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe BE-ja, Milan Radoiçiq, ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë. Megjithatë, Radoiçiq dhe të tjerët që janë përgjegjës për veprimet e tmerrshme nuk janë marrë në përgjegjësi. Serbia duhet t’i vërë para llogaridhënies autorët dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit dhe të punojë me Forcën e Kosovës- NATO-s për të siguruar që një sulm tjetër si ky të mos ndodhë më”, shkruan aty.

Newell ka ritheksuar se prioritet i SHBA-së mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, teksa përmendet se të dyja vendet nënshkruan Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj në shkurt dhe mars të vitit 2023, për të cilat BE-ja ka thënë se janë angazhime ligjërisht të detyrueshme.

“Ato shërbejnë si një udhërrëfyes për secilën palë për të ulur tensionet dhe për të ecur urgjentisht përpara në rrugët e tyre përkatëse evropiane. Progresi drejt paqes afatgjatë është me rëndësi jetike për popullin e Kosovës dhe Serbisë, si dhe për stabilitetin afatgjatë të rajonit. Falënderojmë misionet e OSBE-së në Kosovë dhe Serbi për punën e tyre të vazhdueshme, në kushte të vështira, për të ndihmuar që kjo të bëhet realitet”, përfundon deklarata e zyrtarit amerikan.

Eksperti amerikan për Çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer ka një shpjegim për insistimin e amerikanëve që veprimet të veri të jenë të koordinuara.

“Ata shqetësohen për mbajtjen e Beogradit në anën e tyre dhe stabilitetin në Kosovë. Kjo do të thotë se preferohen marrëveshjet ‘ad hoc’ që u kanë lejuar serbëve atje, veçanërisht në veri, të jetojnë sikur të ishin në Serbi. Prirja e Albinit për të vepruar pa u konsultuar me Brukselin dhe Uashingtonin e përkeqëson situatën”, ka thënë Serwer. “Amerikanët dhe evropianët nuk janë mësuar me një lider të Kosovës që sillet sikur vendi i tij është vërtet sovran. Ata mund të dyshojnë ose jo në mençurinë e këmbënguljes që vetëm euro të përdoret për transaksione, por në çdo rast duan të konsultohen dhe të diskutojnë çështjet përpara zbatimit”.

Përtej vendimeve qeveritare, sipas ish-diplomatit amerikan, Kurti duhet të punojë sa më ngushtë me serbët në veri për të fituar lojalitetin tyre.

Mospërfillja e kërkesës së SHBA-së për pezullim të Rregullores së BQK-së ka ndikuar në raportet mes dy vendeve. Së fundi, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka quajtur pamaturi të Qeverisë mënyrën se si zgjodhi ta zbatojë vendimit. Reagimi i Hovenierit u bë pas deklarimeve të Kurtit dhe vartësve të tij se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri dhe aleati më i rëndësishëm që ka Kosova.

Kurti u kritikua edhe në Seancën e Këshillit të Sigurimit, e cila u thirr me kërkesë të Serbisë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së, që njeh vetëm euron valutë zyrtare në Kosovë.