Për një seancë të hemodializës, kosovarët gjatë qëndrimit në Shqipëri janë të detyruar të paguajnë deri në 120 euro, ndërkohë që pacientëve nga Shqipëria u ofrohet falas ky shërbim në spitalet e Kosovës. Derisa pacientët nga Kosova u kanë dërguar edhe letër autoriteteve në Shqipëri, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se kjo çështje është duke u diskutuar midis dy ministrive
Rexhep Podvorica është njëri nga 229 pacientët me dializë që trajtimin e merr në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës.
Ani që ka pronë në Shqipëri, ai thotë të jetë i privuar nga mundësia për të shkuar atje, pasi që i duhet të paguajë 120 euro, për një seancë të hemodializës.
Ky shërbim ofrohet falas në Kosovë edhe për shtetasit nga Shqipëria falë marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy qeverive.
“Unë nuk kam qenë me dializë kur më ka rënë. E përpara kam qëndruar nga tri javë ditë. Kam dëgjuar që duhet të paguaj nga 100 euro a 120, edhe nuk kam shkuar më. Banesën e kam në Durrës, nuk kam shkuar. Kur ata vinë te ne, e nuk paguajnë, pse të paguajmë ne atje”, ka thënë Podvorica.
Gazetari veteran, Nehat Islami, u ka dërguar letër autoriteteve në Shqipëri me të cilën në emër të këtyre pacientëve ka kërkuar largimin e kësaj kostoje, njësoj si në Kosovë.
“Edhe ne kemi nevojë t’i kalojmë disa ditë pushimi në bregdetin e bukur shqiptar, por për shkak të çmimit të lartë që duhet ta paguajmë për një hemodializë, që shkon gjerë 120 euro vetëm për një ditë, detyrohemi të qëndrojmë në shtëpi dhe të ndahemi nga anëtarët e tjerë të familjes që shkojnë pa brenga në pushime”, vazhdon një pjesë e shkëputur nga letra e Islamit. “Besojmë se ju jeni të informuar se që nga paslufta e vitit 1999, në të gjitha spitalet e Kosovës vijnë çdo ditë nga Shqipëria mbi 70 pacientë për hemodializë dhe nuk paguajnë asgjë. Ky është një hap vëllazëror, por vetëm në një drejtim. Po ju lutemi që ta shqyrtoni kërkesën tonë dhe në koordinim me ministrin kosovar të Shëndetësisë të na mundësoni që edhe ne të kryejmë nga disa hemodializa në vit pa pagesë në spitalet e Shqipërisë, kur të gjendemi në pushime verore në Shqipëri”.
Janë rreth 23 pacientë me hemodializë nga Shqipëria, që vinë tri herë nga 4 orë në javë, kryesisht nga Kukësi për në Kosovë.
Sipas të dhënave nga Spitali i Gjakovës, në Qendrën e Hemodializës trajtohen rregullisht gjashtë pacientë, shtetas të Shqipërisë.
“Në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës, shërbim të dializës momentalisht marrin 6 pacientë nga Shqipëria. Këtë shërbim ata e marrin pa pagesë, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Ndërsa pacientët tanë, të cilët shkojnë për pushime verore në Shqipëri, duhet ta paguajnë këtë shërbim”, ka thënë në një përgjigje me shkrim, Adrian Jusufi, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Gjakovë.
Sipas të dhënave të siguruara nga Klinika e Nefrologjisë në QKUK, 17 pacientë të tjerë janë në Spitalin e Prizrenit.
Duke mos dhënë shumë detaje, në MSH kanë thënë se kjo çështje është duke u diskutuar në mes dy ministrive aktuale. E ajo e Shqipërisë nuk ka kthyer përgjigje.
“Çështja për të cilën keni pyetur është duke u diskutuar midis dy ministrave aktualë, meqë para mandatit të tyre ka pasur ministra të tjerë e marrëveshje të ndryshme midis dy ministrive respektive. Do të njoftoheni me kohë për detaje”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Dializa është proces i pastrimit të gjakut nga lëndët e dëmshme. Në Klinikën e Nefrologjisë, Repartin e Hemodializës, pacienti më i ri në dializë është 21 vjeç e më i moshuari 81.