Arbëri

Sistemi shëndetësor me “imunitet të dobët” ndaj korrupsionit

Keqplanifikimi me barna, mungesa e implementimit të ligjeve të shëndetësisë dhe ndërrimi i shpeshtë i udhëheqësve të institucioneve kryesore të shëndetësisë, ishin temë diskutimi në tryezën e së enjtes të organizuar në kuadër të Javës kundër Korrupsionit, për nivelin e shtrirjes së korrupsionit në këtë fushë. Gjatë diskutimit u ngrit shqetësimi se derisa ka probleme të tilla, rritja e buxhetit shton mundësinë e rritjes edhe të korrupsionit.

Ndërrimi i shpeshtë i menaxhmenteve të institucioneve kryesore të shëndetësisë, mungesa e transparencës në përpilimin e legjislacioneve e planifikimet vjetore të barnave, ishin disa nga çështjet e ngritura për diskutim në tryezën e Institutit Columbus, mbajtur në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit.

Me temën “Imuniteti i Sistemit Shëndetësor ndaj Korrupsionit”, penalistët hodhën kritika për moszbatimin dhe implementimin në praktikë të ligjeve të shëndetësisë, për çka vlerësuan si një ndër arsyet e korrupsionit në këtë sektor.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, tha se në këtë situatë Kosova ka institucione shëndetësore, por jo edhe një sistem funksional, ka ligje të mira por jo të zbatueshme.

“Ku është përgjegjësia e moszbatimit të tij. Ky është problemi më i madh që është duke rënduar MSH-në sidomos pas ndërrimeve të shpeshta është dëmtuar shumë. Dhe në këtë mënyrë ka lejuar që burokracia apo burokratë në MSH, e cila më nuk po funksion hiç dhe thënë si populli, `t'i grahin në vetvete'. Ne kemi fakte. Fatkeqësia qëndron se ne kemi alarmu nivelet politike”, ka thënë Sejdiu.

E Besim Kodra, nga Shoqata e Pacientëve, tha se ndjeshmëria e këtij sektori e bën atë potencialisht të lehtë për t’u korruptuar dhe se pacienti e shëndeti i tij janë në rend të dytë për institucionet.

“Ankesat e pacientëve për raste korruptive vijnë shumë më rrallë tek ne. Por në studimet që ne i bëjmë del që ka korrupsion. Do të thotë në një studim të fundit që kemi bërë, i kemi pyetur 411 pacientë rreth mënyrës, eksperiencave të tyre në sistemin shëndetësor na del që 15 për qind e tyre është dashur me dhanë pare për me marrë shërbimin shëndetësor që i nevojitet. Pra, korrupsioni ekziston”, ka thënë Kodra.

Pulmologia Burbuqe Shurdha theksoi se mungesa e protokolleve mjekësore dhe e udhërrëfyesit klinik kontribuojnë për të keq në luftën kundër korrupsionit.

“Nuk ka asnjë monitorim në çfarë mënyre planifikohen, bëhet planifikimi vjetor i barnave. Do me thënë mund të konstatoj që ekziston jo vetëm në klinika, ekzistojnë grupe të interesit që bashkëpunojnë me kompani farmaceutike dhe që për interesa të tyre nuk propozojnë medikamente që ne jashtëzakonisht i kemi të domosdoshme dhe që mandej në vitet që pasojnë jemi të detyruar të kërkojmë nga pacientët që ata t'i blejnë vetë”, ka deklaruar pulmologia Burbuqe Shurdha.

E ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, Sejdë Tolaj, tha se do të adresohet problemi i funksionimit të tregut farmaceutik.

“Dje kemi biseduar që të mos ketë më barnatore me një farmacist, por me dy. Kjo do të rregullohet shumë shpejt me akt nënligjor. Është numër shumë i madh i barnatoreve dhe afër njëra-tjetrën. Duhet të rregullohet me udhëzime administrative edhe distanca. Është qenësore që në barnatore të mos jetë pronar dikush që nuk është farmacist”, ka thënë Tolaj.

Ndërsa Hysni Mehani, këshilltar i ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka thënë se rritja e buxhetit për shëndetësi do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimeve dhe në luftimin e korrupsionit.

“42 inspektorët shëndetësorë dhe farmaceutikë do t’i ndihmonin imunitetit të sistemit shëndetësor, sepse duke fuqizuar kapacitetet, rritjen e transparencës dhe duke ofruar më shumë mundësi qytetarëve për qasje në shërbime shëndetësore, reduktojmë hapësirën për veprime që e dëmtojnë interesin publik, kuletën dhe mbi të gjitha shëndetin e qytetarëve. Do të thotë me numrin e ri të inspektorëve do të katërfishohen inspektimet brenda vitit”, ka deklaruar Mehani.

Gjatë diskutimit u ngrit shqetësimi se derisa ka probleme me planifikim dhe prokurim të barnave, rritja e buxhetit shton mundësinë e rritjes edhe të korrupsionit.