Të dielën do të mbahet seanca për qeverinë e re. Seanca e jashtëzakonshme pritet të nisë nga ora 10 e mëngjesit, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës të premten.
Seanca është thirrur me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar deputetja Mimoza Kusari-Lila nga grupi parlamentar i VV-së.
Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i kanë mbetur edhe dy ditë kohë ligjore për ta prezantuar kabinetin e ri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ende është e paqartë nëse Kurti i ka 61 votat e nevojshme për të formuar ekzekutivin e ri.
Nëse LVV-ja nuk arrin t’i bëjë 61 vota, presidentja ka detyrën që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.