Arbëri

Telashet e Fushë-Kosovës në menaxhimin e kontratave

Bazuar në raportin e ZKA-së të vitit 2021, në tetë kontrata të Komunës së Fushë-Kosovës ka pasur vonesa në realizimin e projekteve deri në nëntë muaj, në tri kontrata tjera mungonte projekti ekzistues dhe në disa raste tjera komuna ka pranuar shërbime para krijimit të urdhërblerjeve

Vonesa të shumta kanë ndodhur në realizimin e disa kontratave në Komunën e Fushë-Kosovës, duke u kaluar afatet që ishin përcaktuar.

Këto vonesa, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) kishin ndodhur deri në nëntë muaj në 8 kontrata që Auditori i ka analizuar. Bazuar në këtë raport që flet për të gjeturat e vitit 2021, këto kontrata do të duhej të përfundonin gjatë periudhës 2020-2021.

“Rregulla dhe Udhëzuesi Operativ të Prokurimit Publik, neni 61.6, 61.19 dhe 61.20 përcaktojnë se: ‘Menaxherët e kontratës janë përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe duhet të sigurojnë se OE kryen kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë’. Secila kontratë publike ka të përcaktuar afatin kohor të implementimit. Nga shpenzimet e testuara, kemi identifikuar vonesa deri në nëntë muaj, në realizimin e tetë kontratave të cilat është dashur të përfundonin në vitin 2020/2021”, thekson raporti i ZKA-së.

Image

Tutje në këtë dokument thuhet se vonesat kanë të bëjnë për kontratat, si në vijim: Rregullimin e rrethojës së oborrit të shkollës në vlerë 39,846€ të datës 20.08.2021; Asfaltimin e rrugëve në fshatrat Pomozotin, Graboc, Bardh i Vogël, Bardh i Madh, Sllatinë e vogël dhe Harilaq në vlerë 114,925€, të datës 30.08.2021; Asfaltimin e rrugëve në fshatrat Miradi e Epërme, Bresje, Kuzmin, Lismir dhe Nakarad në vlerë 145,430€, të datës 01.09.2021; Ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në fshatrat Graboc, Bardh i madh, Bardh i Vogël, Pomozotin dhe Sllatinë e Madhe në vlerë 75,068€, të datës 18.08.2020; Asfaltimin e rrugëve në fshatrat Henc, Miradi e Poshtme, Sllatinë e Vogël, Harilaq dhe Vragoli në vlerë 91,203€, të datës 20.08.2020; Asfaltimin e rrugëve në Fushë Kosovë në vlerë 53,532€, të datës 28.10.2020; Ndërtimin e trotuareve në territorin e Komunës së Fushë Kosovës në vlerë 159,681€, të datës 08.07.2021; Asfaltimin e rrugëve në fshatrat Henc, Sllatinë e Madhe, Vragoli dhe Miradi e Epërme në vlerë 132,579€, të datës 31.08.2021.

Image

“Duhet theksuar se nuk kishte kërkesë/aprovim për zgjatjen e afatit për realizimin e kontratave. Shkaqet e vonesave kryesisht ishin për shkak të menaxhimit jo adekuat të projekteve nga zyrtarët përgjegjës të komunës lidhur me problemet pronësore, specifikave të punëve, pa përgjegjshmërisë së OE, kushteve atmosferike etj”, thekson Auditori. “Vonesat në kryerjen e projekteve ndikojnë në rritjen e obligimeve kontraktuese të cilat mund të kenë implikime buxhetore për buxhetin e vitit pasues. Kjo po ashtu ndikon në performancën dhe mos arritjen e objektivave të përcaktuara të Komunës”.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur edhe mungesë të projektit ekzistues në disa kontrata të Komunës së Fushë-Kosovës.

“Asnjë autoriteti kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkangjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit. Në tre (3) mostra të testuara për kontrata pune, kemi identifikuar se komuna nuk kishte hartuar projektin ekzekutiv, por kishte zhvilluar procedurat e prokurimit duke përgatitur vetëm paramasën dhe parallogarinë”.

Sipas Auditorit, kontratat e identifikuara që ishin inicuar procedurat pa projektin ekzekutues janë: Asfaltimi i rrugëve në fshatrat Henc, Sllatinë e Madhe, Vragoli dhe Miradi e Poshtme, në vlerë 132,579€; Ndërtimi i trotuareve në territorin e Komunës së Fushë Kosovës, në vlerë 159,681€; dhe Asfaltim i rrugëve në Fushë Kosovë, në vlerë 83,741€.

“Komuna nuk kishte hartuar projektin ekzekutiv me arsyetimin se këto janë rrugë të rangut të tretë dhe se në të gjitha kontratat si pozicion në paramasë është edhe inicimi gjeodezik me anë të cilit përcaktohet trupi gjatësor i rrugës. Mungesa e projekteve ekzekutuese dhe inicimi i procedurave për projekte kapitale vetëm me paramasë dhe parallogari, rritë rrezikun që gjatë procesit të ekzekutimit të projekteve të paraqiten pengesa të ndryshme si në aspektin profesional, ashtu edhe në vonesat e punimeve apo edhe në rritjen e kostove të projekteve”, thuhet tutje në raport.

Bazuar në këtë dokument, Komuna e Fushë-Kosovës ka pranuar shërbime para krijimit të urdhërblerjeve.

“Rregulla financiare nr. 01/2013- Shpenzimi i parave publike, neni 22-procedurat e përgjithshme për procedimin e pagesave, përcakton hapat për procedimin e pagesave, ku fillimisht bëhet kërkesa për blerje, lëshohet urdhërblerja, bëhet pranimi i mallit/shërbimit, pastaj Operatori Ekonomik sjell faturën për pagesë. Në tetë raste për mallra dhe shërbime në vlerë 176,591€ kemi identifikuar se procedimi i urdhërblerjeve ishte bërë pas pranimit të faturave. Kjo ka ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të mirë të kontrollit të brendshëm”, thuhet tutje në raport.

Sipas Auditorit, pranimi i shërbimeve para krijimit të urdhërblerjes, mund të rezultojë me shërbime apo furnizime pa kërkesë nga njësia përkatëse, të cilat njëkohësisht mund të jenë jo të përshtatshme në kohë si dhe mund të ndikojnë në vonesa në pagesën e faturave.